Mapo Letrare

Fitoret e autorit Besnik Mustafaj






               Publikuar në : 15:18 - 08/09/19 |
Skënder KARRIQI

Nga Skënder Karriqi


Duke lexuar romanin e Besnik Mustafajt, Autoportret me teleskop

Në vend të hyrjes.

Nuk është fjala për ato lloj fitoresh, të cilat shenjohen si të tilla në raste përfundimesh apo promovimesh të veprave të radhës së një autori. Në të kundërt, fjala është për fitoret e tij përtej veprës letrare, por jo pavarësisht saj, në një horizont kulturor ku prej dekadash,(së paku që në vitin 1967, kur Roland Barthes botoi esenë “Vdekja e autorit”) është mohuar dhe, ndonse me kostestime, për fat të keq, jo të artikuluara drejtpërdrejt, vazhdon të mohohet, (më e pakta të nënvlerësohet, deri edhe të zhvlerësohet) autori dhe autorësia e veprës letrare, si një aspekt domethënës i analizës, qoftë kjo edhe strukturaliste.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe, kur kritika, më së shumti ajo srtukturaliste, duket sikur ia ka arritur të imponohet me shpalljen e “vdekjes së autorit” dhe (meqë piedestalet s’mbeten bosh), të vejë veten mbi to, shkrimtari ka qënë i urtë, i sigurt dhe mospërfillës, si një Zot me të drejtën dhe mundësinë ekskluzive të krijimit, duke afirmuar ngaherë e më fuqishëm vetën e vet autoriale, pas çdo vepre të nxjerrë nga atelieja e tij aq transhedentale dhe kështu aq e pakonceptueshme nga kritika, e cila, pasi i prodhon, s’mund t’i tejkalojë dogmat e veta.

Fitorja e parë: rigjetja e vetës autoriale.

Në këtë këndvështrim, me romanin Autoportret me teleskop autori Besnik Mustafaj vjen në horizontin pritës letrar të çerekshekullit XXI si fitimtar i shumëfishtë. Duke e shenjuar zmadhueshëm vetën autoriale që në titullimin e romanit (Autoportret me teleskop), dhe duke e përforcuar me elegancë në shënimin pararendës: “Autori paralajmëron lexiesin e vet të çmuar se ky nuk është një roman biografik, edhe pse njëri nga personazhet quhet Besnik Mustafaj”, shënim i cili s’mund të lexohet, veçse si ironi me kritikën “autorvrasëse” dhe respekt për lexuesin vërtetë të çmuar të tij, autori, me stil të dukshëm volterian, u hap rrugën kështu fitoreve të tij të shumëfishta. Dhe fitorja e parë (në themel të të gjithave fitoreve) e autorit Besnik Mustafaj është rigjetja e vetës autoriale, e cila në arkitekturën e romanit në fjalë është një strukturë romanore “truall”, prej së cilës, në mënyrë të pakushtëzuar, do të “lindin” strurura të tjera romanore më vete, duke e sendërtuar në këtë mënyrë romanin Autoportret me teleskop si roman agregat.

Ai ishte i shenjuar hyjnorësisht si shkrimtar, por angazhimi me detyra të larta në fushën e diplomacisë, në mos e tëhuajti, e përgjumi shkrimtarin brenda tij. Por për të shenjuarin hyjnorësisht ndarja me pasionin s’është e lehtë: përkundrazi, është krejtësisht e pamundur: Gjithsesi, ka një kohë bashkëjetese ndërmjet Ministrit dhe Shkrimtarit (Autorit), e cila nuk është aspak e qetë dhe aq më pak konformiste.

Kjo kohë e paqetë dhe e pakompromisë brenda personalitetit të autorit, e shenjuar me dritësinë e çasteve të ndërmjetme midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, vjen si risi tematike e romanit Autoportret me teleskop. Duket sikur instinkti i vetëmbrajtjes e ka mësuar autorin të perceptojë dhe sendërtojë një poetikë interesante: poetikën e personazhit që gjen autorin dhe anasjelltas, të autorit të përgjumur brenda kostumit të ministrit, (me sinopsise romanesh të pashkruara, harruar sirtareve të zyrave), që njeh (gjen) personazhin e vet, mjerisht të harruar. Është një njohje jo e thjeshtë dhe për më tepër jo e lehtë, sidomos për autorin. I humbur në arsyen dhe interesin e botës diplomatike, pas keqkuptimeve, që me natyrën e tyre kundërshtuese, e motivojnë rrjedhën e subjektit, diplomati Besnik Mustafaj (dikur shkrimtar), gjen Ana B, heroinën e romanit Boshi, shkruar 10 vite më parë.

Në fakt, ishte ajo që e kërkonte prej vitesh, që kur kishte lexuar romanin Boshi dhe “rasti” e solli ta njohë dhe ta takojë në tarracën e një hoteli luksoz në Monako, ku ndodheshin të dy, aq afër, autori Ministër dhe personazhi Këshilltare e Presidentit (slloven). Ky takim, në fakt rinjohje e ndërsjelltë baladeske në një kontekst modern me shenjën agresive të autorit të rrezikuar ( Eseja e Cvetan Todorovit Letësia në rrezik, mund të lexohet edhe si Autori në rrezik), është ai moment zgjimi dhe kthimi përfundimtar i autorit në vetën e vet autoriale. Është pra fitorja e tij e parë, cila e stilizuar, kulmon me dialogun debatues ndërmjet Shkrimtarit dhe Ministrit, Akuzat janë të ndërsjellta dhe secili ka për “armë” të drejtën e vet, deri sa në fund, në figurën e një sfondi paqësor, gjithçka nënkupton fitoren përfundimtare të Shkrimtarit (Autorit).

Fitorja e dytë si fitore mbi kritikën e “vdekjes së autorit”

Nga ana tjetër ky moment zgjimi dhe rinjohjeje mund të lexohet pastërtisht edhe si një takim i ndërsjelltë (pas kërkimesh të gjata), i autorit dhe lexuesit, të cilët, jo thjeshtë si një rast i veçantë, vetidentifikohen në botët përkatëse të secilit: lexuesi në botën letrare të autorit dhe autori në botën e njëmendëtë (reale) të lexuesit. Me sa duket, ata nuk janë të sigurt ashtu, të ndarë, të humbur, ndaj, ndoshta pa e kuptuar, kërkojnë ndërsjelltazi njëri-tjetrin, deri sa e gjejnë, duke u mjaftuar kështu me praninë po të ndërsjelltë, që garanton sigurinë e tyre të përjetshme. Dhe kështu, në kontekstin e kritikës së “vdekjes së autorit”, e cila shpall lexuesin si autorvrasës, është ajo që përgënjeshtrohet, kritika, pikërisht nëpërmjet figurës së kërkuar dhe të gjetur (ndërsjelltazi), autor-lexues, si kusht i panegociueshëm ekzistencial i këtij binomi të pandashëm.

Dhe nuk është fjala për njohje të thjeshtëzuar në kufijtë, fjalavjen, të “atësisë, dhe “birësisë).. Përtej një njohjeje thjeshtë të tillë, fjala është pë njohjen e plotë absolute, deri në vetat respektive erotike të njëri-tjëtrit. Dimensionimi i tillë i njohjes (gjithmonë të ndërsjelltë), së autorit dhe lexuesit si kusht ekzistencial, është fitorja e dytë e autorit Besnik Mustafaj, e cila, në kontekstin e përmendur kritiko-letrar ,mund të lexohet si fitore ndaj kritikës së “vdekjes së autorit”.

Fitorja e tretë e autorit

Ajo që mund të shenjohet fitorja e tretë e autorit Besnik Mustafaj, është një fitore stilistiko-zhanërore, me ç’rast ai sjell në letërsinë shqipe zhanërin e romanit agregat. Si modele të tilla shembullore studiuesit u referohen dy romaneve madhore të Tolstoit: Lufta dhe Paqja e Ana Karenina, të përbërë nga dy e më shumë romane, që, të agreguar në një kohë të përbashkët vëzhgimi, nuk e shkaktojnë njëri-tjetrin, duke qënë kështu të pavarur. Por, nga ana tjetër, nuk është e thënë që domosdoshmërisht historia letrare të përvijohet sipas perceptimit të Matei Kalineskut, i cili ( nga pozita klasiciste) nëPesë fytyrat e modernizmit, flet për një histori letrare me Xhuxha modernë mbi supe viganësh të lashtë, duke minimizuan kështu në stil pezhorativ autorin modern. Në fakt, përtej trashëgimive të epokave, ku gjithmonë dallohen gjigantë, zenë fill udhët specifike të autorëve modernë, stilet dhe poetikat e tyre autoriale, me të cilat ata shenjojnë dhe sendërtojnë botët e tyre letrare, duke përftuar standardet e horizonteve të reja kulturore të fushës

Në kushtet e rigjetjes së vetës autoriale, i motivuar dhe i nxitur drejtpërdrejt nga prania e lexuesit personazh (Ana B, e cila ka gjetur shkrimtarin e vet), Besnik Mustafajt, i figuruar si rrëfimtar në vetë të parë brenda strukturës narrative të romanit të vet, veç motiveve të reja, i duhet të shkruajë në këtë kohë çlirimi, romanet e pashkruara, sinopsiset e tyre të braktisura sirtareve të tavolinave ministrore. Është, si të thuash, figura e “ përroit psiqik”, penguar nga barrierat ministrore, që në këtë kohë çlirimi prej tyre, shkarkohet vrullshëm. Domosdoshmëria e shprehjes së një ngarkese të tillë akumuluar në vitet e ndërprerjes, e ka çuar atë në zgjidhje poetike dhe stilistike, që përkojnë me zhanërin e romanit agregat (në stilin autorial të Besnik Mustafajt).

Struktura agregate e romanit Autoporttret me teleskop

Shenja autoriale e romanit në fjalë skalitet në mënyrën më shprehëse (sintetike dhe epigrafike) në titullin e romanit Autoportret me teleskop, nëpërmjet të cilit sygjerohet këndvështrimi tripërmasor (gjerësi, gjatësi, thellësi), me pikënisje vetën autoriale. Ideja teleskopike që në titullimin e romanit, e “huazuar” prej personazhit Myzafer Zhivini, ngaqë në roman nuk mbetet thjeshtë e tillë, por, siç do të shihet më poshtë, zhvillohet deri në standartin e teknikës teleskopike, është detaj kuptimplotë i fitores së autorit, përkundrejt kritikës autorvrasëse, sipas së cilës, vepra letrare dhe nëpërmjet saj edhe personazhet që popullojnë atë, janë vrasësit e autorit.

Një roman si Autoportret me teleskop, ku personazhi/et dhe autori, përveç se kërkojnë në mënyrë të ndërsjelltë dhe gjejnë njëri-tjetrin në vetat përkatëse, për më tepër janë në marrëdhënie të tilla huazimi, që produktojnë gjetje stilistike, së paku e përgënjeshtron kritikën e vdekjes së autorit dhe aq më pak që këtij të fundit kjo vdekje i vika nga vepra dhe personazhet e tij (!)

Në fillim të fillimit, (leokucion nistor i romanit Autoportret me teleskop), në strukturën agregate të romanit në fjalë receptohet Romani i Ana B, (titulli është imi, SK), përndryshe, siç është theksuar, romani i personazhit / lexuesit dhe autorit që kërkojnë ndërsjelltazi dhe gjejnë njëri-tjetrin. Mbi rrjedhën subjektore të këtij romani “truall”, autori ndërton tërë strukturën agregate romanore, të përbërë të paktën nga 6 romane, të cilët në këndvështrimin strukturor nuk e kushtëzojnë aspak njëri-tjetrin, duke u receptuar dhe lexuar kështu edhe si romane më vete, për më tepër, në të shumtën e rasteve, duke u përcaktuar shprehimisht si të tillë nga figura e autorëve të mundshëm të tyre.

Fjalavjen, ideja për ta shndrruar në roman një prej aventuarve të Selami Beshirit, i cili mbrrin emigrant në Belgjikë në përmbushje të dëshirës së parealizuar të tij për t’u ngopur me sallam, është e Këshilltarit të Shtetit Belg. Në këtë episod të parë të Romanit mbi aventurat e Selami Beshirit, (titulli është imi, S.K.), prania e kohëhapësirës së mëvetësishme romanore, më së shumti, vjen si figurë e kohëhapësirës burokratike nga kalon çështja e legalizimit të qëndrimit të tij në Mbretërinë Belge, deri sa atë (çështjen), e merr në shqyrtim Këshilltari i Shteti Belg. Ndërsa dy episodet e tjera aventurore të Romanit mbi aventirat e Selami Beshirit, përkatësisht atij për t’u shënuar në Librin Gines si njeriu me hundën më të madhe në botë dhe atij të shndërrimit të tij në shërues popullor i sëmundjeve psiqike, episode këto të shpërndara sipas teknikës së përroit psiqik përgjatë rrjedhës subjektore të Romanit për Ana B, autori i bën të vëzhgueshme me anë të teknikës së zmadhimit teleskopik, nëpërmjet së cilës zmadhohet pikërisht kohëhapësira episodike e tyre dhe portreti karikaturesk (miqësor) i Selami Beshirit, duke përftuar kështu mundësinë reale për receptimin si njësi më vete të Romanit mbi aventurat e Selami Besshiri.

Historia e emigrantit shqiptar Gjergj Shkodra receptohet në strukturën agregarte të romanit “Autoportret me teleskop” me trajtat e saj romanore, përkatësisht në dy romane. I pari si roman me autor finlandezin Arto Paasilinna, i cili, ndërkohë që pret çmimin “Nobel”, në romanin e tij të radhës do të hedhë një vështrim edhe nga Shqipëria. I dyti, me autor ministrin shkrimtar Besnik Mustafaj, i cili, për të ruajtur ekuilibrat në marrëdheniet me eprorin e vet, vendos, (si për t’i dhënë përparësi shkrimtarit në atë situatë absurde dyzimi, Ministër-Shkrimtar), t’i kundërpërgjigjet shkrimtarit finlandez “për fyerjen e inteligjencës shqiptare”, me mënyrën e shkrimtarit dhe jo të diplomatit, aq më pak të diplomatit Don Kishot, një variant ky i propozuar, madje i urdhëruar, nga eprori i tij, (manjak deri në donkishotizëm pas lavdisë personale).

Në strukturën agregate romani i finlandezit Paasilinna brendësohet si një roman-maket, i cili do t’i paraprijë romanit të njëmendtë duke verifikuar më parë shkallën e realizmit të tij. Rrëfimi i kësaj praktike metaromanore-maket, ku emigranti Gjergj Shkodra punësohetn për të luajtur rolin e vet të emigrantit, është mënyra e sendëritmit të romanit të parë për Gjergj Shkodrën brenda strukturës agregate të romanit “Autoportret me teleskop”. Ndërsa romani i dytë për emigranrin Gjergj Shkodra (si kundërpërgjigje ndaj të parit, por jo i kushtëzuar strukturalisht prej tij), vjen në trajtën e një sinopsisi, ku, edhe pse ruhen personazhet e të parit, roli dhe funksioni i tyre ndryshon rrënjësisht.

Në stilin sinoprik aty parashihet gjithçka, madje edhe lloji i romanit (një triller i tipit Dan Braun). Si roman që ka qëllim të zhbëjë të parin, ku finlandezi Paasilinna “fyen inteligjencën shqiptare, ky i fundit këmbehet me emigrantin shqiptar Gjergj Shkodra. Ai (Paasilinna) punësohet si shkrimtar nga emigranti Gjergj Shkodra për të shkruajtur subjektin e Romanit mbithesarin e Luftës, dhe perftohet kështu një roman që rrëfen për një roman tjetër, duke u përvijuar dukshën një roman tjetër i mëvetësishëm, në teknikën sinoptike-metaromanore. Në një regjitër të tillë stilistik (sinoptik-metaromanor), receptohet edhe romani i ministrit shkrimtar Besnik Mustafaj Për rrënjët e Lirisë.

Ndërsa në romanin mbi Bilal Barzezin ose Romani mbi paranojën e Ministrit Shkrimtar, duke iu kthyer teknikës së zmadhimit teleskopik, si në rastin e Romanit mbi aventurat e Selami Beahirit, gjithmonë në funksion të vetës autoriale, autori bën të mundur receptimin e kostumit të ngushtë të diplomatit të vëzhguar, të paragjykuar dhe të përcaktuar në mënyrë steriotipike, përkundrejt shtatit “të harlisur” të shkrimtarit, i cili krijon botët e tij të trilluara si një Zot i vërtetë.

Mbyllja ose fitorja e romanit si fitore e autorit

Si strukturë agregate (shumëromanore), ndoshta romani Autoportret me teleskop i Besnik Mustafajt (një produkt letrar/artistik i çlirimit të përroit psiqik prej kostumit të ngushtë të Ministrit), vjen paksa. i parakohshëm (por jo i pakohshëm) në këtë horizont letrar/artistik, i cili vuan kiçin e përgjithshëm kulturor. Ndaj për më tej, perspektiva i takon vetë romanit për ta fituar betejën historiko-letrare. Është betja që romani duhet ta fitojë dhe do ta fitojë. Kjo fitore e romanit do të jetë edhe fitorja e autorit, madje nga më të bukurat, përkundrejt absurdit të kritikës së “vdekjes së autorit.“


Etiketa: ,

Pas