Një garë e vështirë për letrat në Ballkan, secili mendon se është më mirë në gjuhë të vet. Por kur është thirrur emri i Bashkim Shehut, padyshim juria ka patur mendje absolute si fitues i edicionit për vitin 2015 për çmimin Balkanika. Pas ceremonisë së organizuar në Shkup, dje në Tiranë është përcjellë ngjarja përmes konferencës për shtyp, ku prania e shkrimtarit Bashkim Shehu gjithnjë krijon një ceremonial plot kujdesje për librin, e modelin e shkrimtarit.
Një garë e vështirë për letrat në Ballkan, secili mendon se është më mirë në gjuhë të vet. Por kur është thirrur emri i Bashkim Shehut, padyshim juria ka patur mendje absolute si fitues i edicionit për vitin 2015 për çmimin Balkanika, me romanin “Loja, shembja e qiellit”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë.
Pas ceremonisë së organizuar në Shkup, dje në Tiranë është përcjellë ngjarja përmes konferencës për shtyp, ku prania e shkrimtarit Bashkim Shehu gjithnjë krijon një ceremonial plot kujdesje për librin, e modelin e shkrimtarit.
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Fondacionin Balkanika, Irena Toçi, ka treguar se ka qenë ky edicion një ankth jo i zakontë për vetë natyrën ballkanase që marrin të tilla organizime, e sidomos kur është fjala për gara, edhe në letërsi. Toçi është ndalur në veçanti edhe në pritjen e jashtëzakonshme që i është bërë dhe përfaqësimit tjetër shqiptar, Luljeta Lleshanaku për edicionin 2016 të Balkanika, edhe pse nuk rezultoi me fitore. Duke patur një tjetër përfaqësim shqiptar, në jurinë ndërballkanike të Balkanika, Bisej Kapon, kjo e fundit ka thënë se fitorja e Shehut ka qenë e padyshimtë, dhe e merituar nga votimi i shumicës së jurisë. Ndërsa vetë shkrimtari Bashkim Shehu u shpreh se gara ishte e nxehtë, dhe duke pasur ashtu si çdo çmim prestigjin e tij, edhe ky si i vetmi në rajon ka qenë mjaft i vështirë. Në këtë pohim Shehu ka pasur parasysh njohjen e traditës së pasur dhe shumë të rëndësishme letrare që ka Ballkani dhe vendet ballkanike veç e veç.
Shehu ka treguar për veprën e tij se është një vepër e besimit te Zoti, me lëndë të parë marrë nga kujtimet e At Zef Pllumit. Duke krijuar fictionin, ngjarjet e veçuara nga libri me kujtime burgu “Rrno për me tregue”, si fakti se sigurimi i shtetit ka futur armë në Kuvendin e Françeskanëve, shkrimtari thotë se ishte një nga historitë e lëna ashtu siç ishte e vërteta, duke e konsideruar një ngjarje të rëndësishme historike.
“Duke konceptuar romanin në tërësi, ato pjesë që janë dy kapituj dhe, që marrin nga lënda e kujtimeve kanë ndryshuar, janë modifikuar. Është vetë konteksti në të cilin futen që i kushtëzon modifikimet, por duke ruajtur ngjarjet e rëndësishme historike. Fakti që sigurimi i shtetit futi armë në Kuvendin e Françeskanëve, këtë duhej ta lija kështu siç është pasi është ngjarje e rëndësishme historike”, ka folur Shehu për mediat, në pak fjalë në rastin e marrjes së çmimit Balkanika. Pak kohë më parë ky roman, ka njohur edhe botimin në gjuhën franceze me siglën Les Editions des Quatre Vivants, me përkthim të Michel Aubry dhe parathënie të Eric Naulleaut. “Ky roman merr trajtën e kujtimeve të Aleks Krastës, ish-bashkëvuajtës i rrëfyesit (edhe njëri, edhe tjetri, dyzime të tejdukshme të autorit), “dhjetëra faqe të shkruara ethshëm, rrëmbyeshëm, një pjesë e madhe shënime fragmentare, me një shtjellim të ndërlikuar, madje herë-herë të rrëmujshëm”. Një tekst limit “me përjetime në kufijtë e së pamundurës”. Ëndrra të njëpasnjëshme, ku peripecitë iu binden ligjeve të gjendjes së jashtëzakonshme nokturne, domethënë pa u shqetësuar për kronologjinë dhe aq më pak për identitetet e qëndrueshme – një vajzë shndërrohet brenda çastit në një dyzetvjeçare, mbesa i zë vendin emtës ashtu si zëvendësimi i beftë i personazheve në një film të Mélièsit, tre aktorë të ndryshëm luajnë njëri pas tjetrit rolin e një prifti të ngarkuar që të dëgjojë rrëfimet në prag të vdekjes. Episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe përsëriten të deformuar: Aleksi arrestohet nga policia politike në po atë tren që, kohë më parë, vidhte udhëtarët nën urdhrat e Xhimit, përvoja e tij seksuale me një të çmendur përfundon në një guvë të nëndheshme, ku e kishte çuar më parë një ëndërr që pasonte varrimin e të atit dhe ku do ta shpien sërishmi disa orë të kaluara në një klub nate. “Njohje nëpërmjet humnerave”, thoshte Henri Michaux. Gjumëprishur, personazhi kryesor, rrëfyesi dhe lexuesi nuk arrijnë të çlirohen nga çarçafët e lagur të rrëfimit, ashtu si të dyshuarit që nuk dinë se për çfarë krimi akuzohen, që t’i lënë më së fundi rehat: ‘s’kuptonte ç’po ndodhte, i bëhej si një ëndërr e keqe, nga e cila nuk zgjohej dot. Përveçse po të trillonte, të shpikte gjëra të paqena dhe të thurte me to një ëndërr për të dalë nga kjo ëndërr ku ndodhej’”, ka shkruar për këtë libër Eric Naulleaut. Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit, ndërsa pritet që romani fitues “Loja, shembja e qiellit”, të njohë botimin në gjuhët pjesëmarrëse në garën e Balkanika. V.M
Çmimi letrar “Balkanika 2016” ka shkuar për autorin turk Murat Ozyasar për romanin “Laugh yellow”. Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Më parë këtë çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli me romanin “Ëndrra e Damokleut” (2002) dhe Ismail Kadare me romanin “E penguara” (2009).