Ka një model se si goditen plagët dhe mbrapshtitë e një vendi me mjetin e ironisë. Ky është Konica, duke na kujtuar vendin e tij, të prapambetur me përrallat nga Zullulandi, ku ndërton një fabul satirike. Aty ku e la Konica, me të njëjtin origjinalitet e të njëjtin zhgënjim therës vjen romani i ri, fitues i çmimit Kadare 2018, me shpërblimin prej 10 mijë eurosh, “Piramida e shpirtrave” e shkrimtarit Virgjil Muçi; Botuar nga Mapo Editions, romani promovohet të premten në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës
Kemi një model të fortë se si goditen plagët dhe mbrapshtitë e një vendi me mjetin e ironisë. Ky është Konica, duke na kujtuar vendin e tij, të prapambetur me përrallat nga Zullulandi, ku ndërton një fabul satirike. Aty ku e la Konica, me të njëjtin origjinalitet e të njëjtin zhgënjim therës vjen romani i ri i Virgjil Muçit, “Piramida e shpirtrave”, fitues i çmimit Kadare 2018, me shpërblimin prej 10 mijë eurosh. Me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme” – ky roman mori tre nga pesë votat e jurisë, pas një beteje të fortë, përballë romanit autobiografik të Vera Bekteshit.
Një roman diagnostikues, dëshmitar për kohët e sotme, në këto dy dekada që promovohet të premten në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, botuar nga Mapo Editions.
Për këtë roman, një nga votat më këmbëngulëse për fitoren e romanit të Virgjil Muçit, anëtarja e jurisë, poetja Ledia Dushi shprehet: “Romani i Muçit ndërtohet mbi një mjedis ku është e vështirë të ruash arsyen kur bota ka humbur fillin. Ky roman bazohet mbi groteskun ku na ndjek bashkekzistenca shpërthyese mes të qeshurës dhe të qarës. Në këtë vend, në Shqipërinë e Virgjil Muçit, njerëzit jetojnë më fort me të kaluarën se me të tashmen, pa bërë fjalë për të ardhmen, një dimension kohor që nuk ekziston. Do të kalojnë vitet dhe historianët do të shkruajnë për kohën kur demokracia duhej mbrojtur nga demokracia.
Besoj se njerëzit, për këtë kohë do të mësojnë për shumë në faqet e këtij romani.
Mark Mara, një qytetar amerikan me prindër shqiptarë, sapo shkel në tokën e tyre përplaset me një mjedis i cili ngjan me një shpellë në muret e së cilës lëvrijnë figura të ndërthurura në mënyrë të çuditshme”.
Romani është i mbushur me ngjarje dhe personazhe, e vendos lexuesin në kryeqytetin e pas ’97-ës. Flitet për ndërgjegje kombëtare, ende të pafituar, duke rrëfyer “zullutë” e politikanëve, drejtuesve të shtetit, përmes një personazhi në distancë, ardhur nga jashtë, që e sheh shoqërinë në miniaturë në vendet e “famshme” e të preferuara për pazaret e politikanëve, biznesmenëve, dhe bashkëpunimet me pronarët e mediave deri në ndërhyrjet e ambasadorëve. “Mbylli sytë për një çast dhe përfytyro sikur vendi ku ndodhesh është një skenë teatri dhe njerëzit që e popullojnë janë personazhe të një drame të madhe, ku çdonjëri luan një rol të caktuar. Nga ky këndvështrim shoqëria e mbledhur në këtë dhomë është një miniaturë e shoqërisë së madhe që gjendet atje jashtë, ndaj ne nuk jemi në gjendje ta rrokim me vështrimin tonë”, i drejtohet një prej personazheve, të ardhurit Mark Marës.
Virgjil Muçi është autor i më se 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe, së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj. Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës./ V.M
NJË BARCALETË ASPAK POLITICALLY CORRECT
Nga Virgjil Muçi
– Ej, amico! Mark Mara i mbajti këmbët dhe, kureshtar, ktheu kokën andej nga erdhi zëri. Ai që i kishte folur dhe tani po e shihte drejt e në sy, duke u zgërdhirë, ishte një person lëkurëzeshkët, thatim e me një moshë të papërcaktuar; por, siç ngjet rëndom, duhet t’i kishte nja pesëdhjetë vjeç të mira, në mos më shumë. Ajo çka i ra më fort në sy në fytyrën e tjetrit ishin mustaqet spic, si të ndonjë aktori kinematografik të viteve tridhjetë, të krehura e të ndrequra për merak, të cilat krijonin një kontrast të dukshëm me veshjen dhe pamjen e jashtme në përgjithësi të ronitur e të lënë pas dore; aq sa të krijohej përshtypja se gjithë merakun dhe përkujdesjet e veta ai njeri i kish shtënë mbi mustaqet.
– Italiano? – tha zeshkani në dukje i ngeshëm i ulur në një stol të vogël nën hijen e krijuar rrëzë murit të një ngrehine dykatëshe, me mendjen për të hyrë në muhabet me të huajin. Para vetes kishte një kuti druri brenda së cilës ndodheshin kutiza metalike me lloj-lloj bojrash, si dhe një karrige përkundruall me një jastëk me lule mbi ndenjëse. Ishte një lustraxhi këpucësh nga ata që dikur t’i zinte syri dendur në Manhatan.
– Jo, shqiptar, – tha Mark Mara.
– Hëm, – ia bëri tjetri mendueshëm. – Po të jesh ti shqiptar, atëherë unë jam kinez.
– Po sikur të të them që jam shqiptar me pasaportë amerikane, ti thua dot që je kinez me pasaportë shqiptare?- ia ktheu Mark Mara.
Tjetri heshti i kapur gafil nga përgjigja e beftë e kalimtarit, kroi kokën dhe tha:
– Jo, s’them dot. Qenke hazërxhevap zotrote. Mark Mara qeshi dhe mori të largohej, kur lustraxhiu u hodh e tha:
– Meqë ma punove, lali dhe të siguroj që s’ndodh shpesh të ma fusë njeri siç ma fute ti, marr përsipër të t’i lustroj këpucët me gjysmë çmimi…
Por kur pa që oferta nuk e shtiu myshterinë në ngasje, shtoi shpejt e shpejt: – Do të të tregoj edhe një barcaletë falas. Mark Mara iu hodhi një sy këpucëve dhe kur mendoi që kohën e kishte me bollëk e s’kish ndonjë ngut për të mbërritur gjëkundi, u kthye nga lustraxhiu e i tha:
– Dakord. E pranoj ofertën.
Dhe zuri vend e u rehatua në karrigen që kërkëlliti nën peshën e trupit sikur ta paralajmëronte të ishte sa më i kursyer në lëvizje, përndryshe mund ta pësonte keq.
Tek po e shihte tjetrin që para se t’i përvishej punës gjithë zell i vendosi te të dy çapojt e këmbëve mbrojtëse kartoni për t’i ruajtur çorapet e mos ia fshikur me sfungjerin e ngjyer me bojë, Mark Marës i ra ndër mend se fshesaxhiet që kishte parë të fshinin natën rrugët e qytetit me ca fshesa të gjata si ushta, ashtu si lustraxhinjtë e këpucëve si ky tani, ishin romë ose siç i quanin ndryshe këtu, jevgjitë; njëlloj siç ndodhte me zezakët në Amerikën e viteve pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, çka e dinte prej teksteve shkollorë ku flitej kundër diskriminimit racor dhe dëgjuar prej prindërve që i patën përjetuar ngjarjet e atyre viteve.
– Kryeministri ynë për të cilin kam votuar ngaqë është nontëdhjetenonç si puna ime, la gruan e mori një gocë të re, – filloi lustraxhiu mbasi u prezantua dhe i tha Mark Marës se ia thoshin emrin Reshat, ndërkohë që shokët e thërrisnin Shati, – është prej atyre politikanëve që i ka dalë nami dhe është përfolur për korrupsion, por edhe si pijanec, lapërdhar e fems i madh. Një ditë, që thua ti, kishte dalë bashkë me gruan, këtë të renë, me Porschen e vet të zi, luksoz dhe shkoi e ndaloi në semafor. Aty iu afrua një gabel si puna ime që lypte, i cili, ashtu si shokët, e ka zakon dhe e rri e pret makinat që ndalojnë te semafori, dhe kur e pa me atë alamet makine i kërkoi t’i falte ndonjë lek, pa e njohur se kush qe ai tipi në timon. Kryeministri ynë i nderuar që, siç të thashë, është tip garipi dhe i afrueshëm me njerëzit e thjeshtë, uli xhamin e makinës dhe i tha lypësit: “Ç’kemi robo? Ke bo ndonjë lek sot? “Ncuk”, ia bëri lypësi dhe i zgjati dorën. Kryeministri i hodhi një sy dorës së zgjatur të lypësit dhe i tha: “Do të jap, por më parë dua të bosh be e t’më thuash të vërtetën; ke bo ndonji pisllik të vogël?”
“Jo”, i tha lypësi. “E ke zakon të kthesh ndonji gotë?” vazhdoi ta pyeste kryeministri. “Jo”, tha lypësi. “Po fems je?” “Jo”, tha lypësi i gjorë që s’po e merrte vesh se ku donte të dilte tjetri. “Ke zgërlepur gjë?” “Meazallah”, ia ktheu lypësi i tmerruar. Atëherë kryeministri pa nga e shoqja në krah dhe i tha: “E sheh grua? Ja kështu do të përfundoja edhe unë sikur të isha kaq i virtytshëm si ky këtu”. Mbasi i la në dorë nja dy monedha, kryeministri ynë i nderuar u bë erë me Porsche-in e vet të zi që fekste si kurriz buburreci.
Duke ia hequr me zhdërvjelltësinë e njeriut të stërvitur dhe një profesionisti të vërtetë mbrojtëset e kartonit prej këpucëve klientit, Shati i hodhi kryet pas dhe, për një çast, këqyri me sytë e picërruar, si piktori tablon e sapopërfunduar, frytin e punës. Më pas shtoi pa e fshehur një dozë krenarie: – Me shëndet.
– Faleminderit, – i tha Mark Mara dhe i zgjati një kartmonedhë pesëdollarëshe. Kur pa që lustraxhiu e humbi toruan dhe zuri të bërbëliste e të thoshte nëpër dhëmbë që s’kishte t’i kthente kusur, Mark Mara vuri buzën në gaz dhe i tha:
– Për barcaletën, – dhe mori të ikte.
Tjetri i thirri nga pas:
– Ej, robo, sa herë të kesh qejf të dëgjosh ndonjë barcaletë gjithë kripë e lezet, e di vetë ku ta gjesh Shatin. Mua këtu më ke. Non stop!
Kartolina e dytë
Paraqet një pikturë ku me ngjyra të ndezura e të gëzueshme janë pikturuar njerëz që nxitojnë diku me një shprehje hareje që lexohet qartazi në fytyrat e tyre; në mes të kuadrit është një grua, me tipare burrërore do të thosha, që shtyn një karrocë fëmijësh me hap të vrullshëm; gjithçka tek ajo shpalos forcë e vendosmëri; në karrocë shohim një çunak buçkaran, faqekuq e të qeshur, i cili mban në dorën e djathtë një flamur të kuq me shkabën dykrenore në mes dhe një yll të verdhë.
E dashur D.,
Falë një telefonate të mikut tim R. F., ( një telefonatë dhe kaq) sot më priti ministri i Ekonomisë – by the way a total dick! Me lidhjet e duhura në këtë vend dyert të hapen si me magji deri në majën më të lartë të pushtetit. Ti, më mirë se kushdo tjetër, e di që nuk vuaj nga narcisizmi ose nga kompleksi i inferioritetit ndaj të mëdhenjve të kësaj bote, por ja që kontakte të kësaj natyre janë të domosdoshme për të njohur realitetin e vendit dhe për të shqyrtuar opcionet e mundshme për të vënë në jetë fazën e dytë të projektit të jetës sime; të përshkoj Purgatorin që t’i hap rrugë vetes për të mbërritur në Parajsë – metaforikisht – sipas porosisë së At Francisit.
Por më duhet të jem krejt i çiltër me ty dhe të pohoj se nga takimi dola me ide më konfuze nga ç’hyra. Ministri më foli gjerë e gjatë, jo pa u mburrur, për koleksionin e purove që, siç më tha me gojën e vet, kështu që mos të të shkoj nëpër mend se po shtoj ndonjë gjë nga xhepi, linte pas edhe atë të homologëve të tij të një sërë vendesh më të mëdha e më të pasura se Shqipëria. Kam përshtypjen se sikur të kishte qenë edhe ministri kuban i Ekonomisë nuk kishte për të pasur cojones ta ngrinte aq lart në qiell vanitetin e tij.
Duke përfituar nga një pauzë e shkurtër për t’u mbushur me frymë në ligjëratën e gjatë dhe elokuente të zotit Ministër, ndërhyra për t’i shpjeguar arsyen e ardhjes në këtë vend, por ai nuk më la të mbaroj dhe më shpjegoi, jo pa një brengë të thellë shpirtërore si bashkëshort i devotshëm se, për shkak të angazhimeve shtetërore e politike, nuk kishte mundur, të paktën deri më sot, t’ia plotësonte dëshirën të shoqes dhe ta shpinte të ndiqte karnavalet e Rio de Zhaineros.
Me këto fjalë u mbyll takimi ynë zyrtar se në atë çast hyri sekretarja, e cila, i bëri me dije se kishin mbërritur gazetarët dhe gjithçka ishte gati për konferencën për shtyp.
Sa hap e mbyll sytë pashë para hundës të më drejtoheshin dhjetëra kamera – për një çast arrita të përfytyroj se çfarë do të thoshte të ndodheshe para një skuadre pushkatimi me tytat e armëve të drejtuara nga ty dhe gati për t’u shkrehur – ndjeva blicat e aparateve fotografikë që shkrepëtinin verbueshëm si rrufetë e Zeusit dhe dëgjova zërin e zotit Ministër të merrte fjalën e të thoshte me zë bas se kishte pasur kënaqësinë të priste në takim biznesmenin e shquar shqiptaro-amerikan, Mark Mara, me të cilin kishte biseduar rreth mundësive për të kryer investime në vend dhe, përmes tij – domethënë meje, duke m’u drejtuar gjithmonë në vetë të tretë sikur të mos ndodhesha aty – të shihej mundësia e thithjes së kapitaleve të kompanive të mëdha amerikane në sektorë jetikë të ekonomisë si: minierat, bujqësia, turizmi e kështu me radhë. Prania e zotit Mara – domethënë e imja, it goes without saying – është dëshmi e pakontestueshme e suksesit të kësaj qeverie në përgjithësi dhe të ministrisë së drejtuar prej tij në veçanti në afrimin e investitorëve të huaj strategjikë, në krijimin e një klime të favorshme, çka, automatikisht, konvertohet në krijimin e qindra, mijëra vendeve të punës, ashtu siç partia kishte premtuar gjatë fushatës elektorale.
Duke e mbyllur fjalën, zoti Ministër nuk harroi ta vlerësonte edhe një herë këtë takim si shumë të frytshëm dhe, në fund, ma dha fjalën mua. Siç mund ta marrësh me mend, e dashur D., nuk më kishte mbetur veçse të belbëzoja nja dy fjalë falenderimi për mikpritësin tim dhe, mbasi i shtrënguam duart njëri-tjetrit me buzën vesh më vesh para kamerave, u ndamë si dy miq të mirë.
Në darkë, siç më tha R. F. takimi im me ministrin e Ekonomisë u transmetua nga të gjithë kanalet televizivë të vendit, të cilët, më duhet të pohoj, mund t’ua kalojnë për nga numri edhe atyre në një vend si Amerika.
Ke plot te drejte, shikon kush ka qeverisur dhe gjyko Ku jemi ,ne fukarallek, ne vrasje, ne batak, dhe personazhet e matit ne ,luks I dashur………