Ambasadorja amerikane e ka vënë theksin dhe ka përsëritur mesazhin e integritetit dhe pastërtisë së kandidatëve për deputetë, më shumë se çdo paraardhës i saj. Dhe që këtu, çdokush e kupton se kemi të bëjmë me një prioritet.
Inkriminimi i politikës, mesa duket tashmë nuk duhet thjesht të dëshmohet, të denoncohet, apo të dënohet.
Ky fenomen, duhet parandaluar. Pra duhet zhdukur.
Dhe ky do të ishte në fakt një kontribut aspak i vogël i partnerëve dhe miqve të Shqipërisë, duke patur fort mirë parasysh, se nëse i lihet në dorë thjesht ligjit apo kujdesit të udhëheqësve, zgjidhja nuk vjen.
Jo më kot, ai që ndihet më ligsht nga këto qendrime, është Edi Rama. Sepse kur flitet për inkriminim të politikës, automatikisht ai është nën akuzë.
Kryeministri ka bërë një hap të madh dje në kursin e përplasjes me perendimin në çdo front.
Por, ka dalë jashtë përuljes dhe servilzimit madje që ka dëshmuar kohë më parë, ndaj përfaqësueses së SHBA në Tiranë, duke i thënë që s’ka nevojë t’ia kujtojë ajo punët dhe detyrat.
Përgjigja një ditë më pas e ambasadores Kim është e thukët, lakonike dhe me përmbajtjen e një diplomateje karriere.
Duket se thelbi i replikës, qendron tek një fjalë.
Yuri Kim, vë në dukje, se listat e deputetëve, janë përgjegjësi e Kryetarëve.
Teksa thotë, “listat e tyre”.
Në fakt, listat e kandidatëve për deputetë, janë listat e tyre. Sepse, emrat përzgjidhen nga kryetarët. Janë kryetarët që bëjnë një pakt me ta, ka një kod besimi në momentin që një person futet në atë listë. Dhe janë pikërisht kryetarët që i firmosin ato emra, dhe i dërgojnë në KQZ.
Ndaj, dhe është saktësisht ashtu siç e thotë zonja Kim me një fjali. Listat e tyre. Janë produkt i udhëheqësve, dhe askush tjetër s’mund të japë llogari, përpos tyre. Çdo qasje e ndryshme, është bishtnim, devijim, fshehje nga përgjegjësia.