Mapo Letrare

Fjala nga hija/ Bashkëbisedim me shkrimtarin e mirënjohur Ardian-Christian Kyçyku







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:46 - 10/10/20 |
mapo.al

Bashkëbisedoi Mark Simoni


Tiranë-Bukuresht, tetor 2020


– A mendoni se letërsia shqipe është çliruar nga psikologjia e vjetër e të bërit letërsi, nga klishetë, reminishencat dhe konceptet e letërsisë së kaluar?



Hëpërhë s’ka se si e, sado ters të tingëllojë, s’ka as pse. Ndodh si me moshat e njeriut. Letërsia shqipe është e re dhe, meqë iu desh të kalonte përmes sprovës së realizmit socialist (periudhë pak, ose shtrembër e njohur në Perëndim), ende vazhdon të shlyejë atë që quhet “çmimi i gjakut”. Paguajnë edhe ata që shtypën lirinë e të shkruarit dhe të të botuarit, por edhe ata që heshtën, ose thjesht u lindën në atë kohë. Se vlerën e ca gjërave që bëjmë edhe thjesht duke marrë frymë e kuptojmë nga ndëshkimet apo arritjet e mëvonshme.


Kam përshtypjen se, edhe për nuk dihet sa kohë, të paktën në shtyp e qëndrime zyrtare, do të vijojë përsëritja e veseve që dikur ishin gati krime dhe që tani paraqiten si risi. Mjafton të përmendet zakoni që, duke shfrytëzuar ideologjinë, dikur sulmohej apo ndëshkohej shkrimtari për shkak të mënyrës si shkruante dhe / ose libri për të ndëshkuar autorin. Por ata që kanë dhuntinë e të shkruarit e dinë se, sa më mirë të shkruash, aq më i lehtë bëhet durimi i gjendjeve të mbrapshta. Sidomos kur aktorët dhe rolet e tyre shihen më qartë se kurrë. Ata që dje lëvdonin me gojë e me shkrim jetën e keqe, sot shajnë ose shpërfillin letërsinë e mirë. E cila vërtet s’do t’ia dijë.


-Cilat mendoni se janë sëmundjet e letërsisë shqipe dhe a besoni se kritika është e zonja të vërë në dukje e të kurojë patologjitë e kësaj letërsie?

Një fjalë e urtë thotë se “S’ka sëmundje, por të sëmurë”. Letërsia e mirëfilltë ka vërtet edhe një përmasë shëruese, por nuk është mjekësi. Që kur shtypi i përditshëm mori pushtetin dhe përcaktoi stilin e kritikës, teksa kritikët i shndërroi në ca si dealer-a që synojnë jo të vlerësojnë, por të shesin, nuk di se ç’mund të shpresohet. Më duket vegimtare një shprehje e Elitis-it gjatë falenderimit për Çmimin Nobel në vitin 1979, kur përmend mjeshtrat e mendimit suedez, të cilët, “duke iu kundërvënë peshimit sasior të vlerave, ruajnë të fshehtën dhe përtëritjen e përvitshme të mrekullisë”. Do të lexoja me kënaqësi disa kritikë që shkruajnë nën një frymëzim gati binjak me atë të letërsisë; që nuk i marrin të dhënat nga shtypi, por i nuhatin librat themeltarë, i gjuajnë, përtej bujës dhe idhujtarive, duke arritur t’i venë vërtet në mendime shkrimtarët për librat e ardhshëm.

-A mendoni se ka diferenca të dukshme mes letërsisë shqipe nga ajo e shkruar në Letërsin lindore?

Nuk kam lexuar librat e tyre “të panjohur”, ata që mbahen në hije. Po t’u hidhet një sy i vëmendshëm dhe i paanshëm pasojave që solli realizmi socialist në Lindje, shihet qartë se rrënjët e politikës janë ende aq të pranishme, sa duken vena gjaku, ose damarë shkëmbinjsh. Ndërsa marrëdhënia mes politikës e letërsisë mbetet shajnitëse. Secila bën çmos të shfrytëzojë tjetrën dhe ia del mbanë. Në një pjesë ende të pabotuar teatri, – ndjesë që detyrohem të citoj veten, – Bufoni im thotë: “Kur tirani filloi të bëhej shkrimtar, shkrimtari filloi të bëhej tiran. Përfytyroni ç’shoqëri la pas vdekja e tiranit. Se ky vdiq i pari, siç ndodh rëndom me shkrimtarët…

Ka qenë një përkëmbim i çuditshëm qëniesh, zakonesh e mjetesh për të pasur pushtet të plotë edhe në politikë, edhe në letërsi. E keqja është se shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në ngjarje vërtet dinë ta mbajnë pushtetin, por nuk dinë ta përdorin… Një dallim është në mënyrën se si sillen shkrimtarët e disa vendeve lindore ndaj shoshoqit dhe ndaj asaj hapësire që ende mund të quhet “letërsi kombëtare”. Janë vetëm dy trajta: shkrimtarë që krijojnë për hir të letërsisë nga rrjedhin dhe letërsi që vihen të rropaten për e shumta tre autorë. Njëherazi, duke parë si idhuj disa shkrimtarë perëndimorë përtejoqeanikë me emër, jo pak nga “tanët” nuk rreshtin së shkruari, botuari e vlerësuari ca si libra që mund të quhen “dietetikë”, pa kripë, pa sheqer, pa piper e sidomos pa gjak. Me kohë, kanë arritur që, edhe si njerëz, t’u ngjajnë librave të tyre.

-Ka mendime se një pjesë e letërsisë shqipe është e dobët, pasi shkrimtarët e kësaj letërsie kanë probleme me kulturën, leximin, dijet, kufizime në njohjen e letërsive të tjera, letërsive eksperimentale dhe alternative. Ç’mendoni ju për këtë çështje?

Çdo letërsi ka zonat e veta shkretinore dhe librat që bëhen pashmangshëm gazeta, letra për bixhoz e cigare, apo edhe këpucë a kravata. S’mund t’i kërkosh askujt më tepër nga ç’mund të bëjë. Por duhet sqaruar sa më njerëzisht, për të mirën e vet dhe të përgjithshme, – përmes shkrimit të epërm, – të heqë dorë nga bindja se ajo që bën ai është gjithë sa mund të bëhet në Letërsi. Ndoshta kësisoj do të shpëtojmë nga etja për t’i paraqitur gjer në velje të paftuarit si shkrimtarë, mesatarët – si të mëdhenj, të talentuarit – si pronarë të amëshimit etj.

-A ka prodhuar letërsia shqipe autoritete letrare në këta 30 vite të të shkruarit në liri, apo jemi akoma nën figurat e vjetra? Nëse ka autorë të rinj, a mund të na përmendni ndonjë dhe profilet e tyre të spikatura letrare?

Në letërsi mosha vepron ndryshe. Nuk ka nevojë të jesh plak për të qenë dështak (alias në vendin / hisen e tjetërkujt) e as i ri për të qenë gjení. Ka të paftuar me dy libra dhe gjeni me mbi tridhjetë. Gjithçka ndodh si mbi një shkarje të pandërprerë toke, aq më tepër në kapërcyellin shpirtëror e mendor ku gjendemi. Në të kaluarën e afërt, thënë metaforikisht, gjer edhe tavlla duhej luajtur sipas rregullave të shahut, ndërsa tani duket sikur edhe shahu duhet luajtur sipas rregullave të tavllës. Dikur shteti kujdesej për autorët e vet dhe gjithçka ishte ligj, që nga leximi i detyruar e deri tek ngritja në qiell, pak më poshtë oxhaqeve, e librave.

Pas shndërrimit të atij lloji shteti, shumica e librave përkatës u harruan, edhe ngaqë e kryen “misionin”, por emrat e jo pak autorëve mbetën. Vërtet fama nuk është medoemos edhe vlerë e mirëfilltë letrare, sikurse as mungesa e saj, por lexuesi i gjerë ende nuk pranon dot një tjetër lloj “përjetësie”. Ngjan disi me rregullat e një akademie: po s’vdiq njëri, s’ka vend tjetri… Me aq sa njoh, letërsia shqipe e këtyre viteve, – megjithë, ose pikërisht falë vështirësive e pengesave shpesh çnjerëzore, – ka sjellë libra dhe autorë të pazakontë. Për disa prej tyre, të sotëm e të (për)hershëm, kam shkruar ese dhe paraqitje shqip e rumanisht, botuar nga disa herë nëpër revista, gazeta, libra. Gjenden lehtë.

-Përveç futjes në fushën e leximit të mjeteve jashtë librit, teknologjive të reja, a mendoni se lexuesi i është larguar librit pikërisht për këtë arsye, apo është arsye tjetër, i qarkullimit të letërsisë së dobët si faj i shkrimtarëve, dhe lexuesi është bërë më sqimatar dhe ka rritur kërkesat e pritshmërisë ndaj letërsisë?

Kjo që po ndodh më është dukur “betejë e shumëfishtë e hormonit kundër neuronit dhe e trupit kundër librit”. Ndonëse nuk kërkon veçse fare pak vend, libri po dëbohet nga banesat e sotme, gjë që përgatit dëbimin nga vetëdijet. E ngaqë shumica dërrmuese e librave sot shkruhen për të zgjidhur probleme, sidomos shoqërore, lexuesi mbetet prore i zhgënjyer. Ai të kujton një votues, të cilit hallet jo vetëm nuk i zgjidhen, por i shtohen në përpjestim të drejtë me premtimet, shto hidhërimin e të qënit (prapë) i mashtruar.

Se pak fusha të tjera ushtrojnë joshje më të fuqishme, rrënjosin utopira (këto nuk janë, siç mund të duken, degë të idealizmit, por goditje ritmike ndaj tij) sa letërsia… Në varësi të vlerave që njeriu zgjedh t’u përkushtohet, vuloset edhe fati i librave. Por dihet se as në burimet që ndodhen majë malesh, apo buzë honesh, nuk mbush ujë i gjithë fshati (përfshi Fshatin Global) e as nuk shkon çdokush përditë.

-Në Rumani është një pjesë e fondit të vjetër të letërsisë sonë. Sa e njohur është ajo dhe a e thërrasin në vëmendje dhe e ruajnë me respekt këtë fond autorët tanë që jetojnë atje?

Letërsinë shqipe që është krijuar e botuar në Rumani, – duke përmendur veçmas Lasgushin, Kutelin, Asdrenin, Naimin, apo revistat e gazetat, – e kam quajtur “Gadishull nga ku ngjizet një kontinent”. Ka dëshmi të mjaftueshme për vlerën e pazëvendësueshme të kësaj krijimtarie në Letërsinë Shqipe Gjithëkohore.

-A është Rumania një realitet favorizues për librin dhe letërsinë, dhe a mund të ketë lexuesi ynë një panoramë rreth letërsisë dhe autorëve më në zë të atjeshëm?

Rumania është një hapësirë e rrallë për të shkruar. Ndikon jo vetëm marrëdhënia e qënies rumune me jetën e vdekjen, me të tashmen e të përhershmen, mjetet që ajo përdor për ta shndërruar mbijetesën në vlerë artistike – dhe anasjelltas, por edhe larmia e pejsazheve, e banorëve, përvojat e shumë pakicave kombëtare, lirizmi e sidomos humori. Ndaj edhe poezia rumune është një nga më të pasurat e më befasueset.

Ka këtu poetë të rangut botëror, si vlerë flas, disa krejt të panjohur, dhe kritikë që mund t’i ndërrojnë udhën një letërsie të tërë. Një i tillë, për shembull, – meqë më parë përmendëm kritikën, – është Marian Popa, autori i “Histori e letërsisë rumune me sot për nesër”, me mbi dhjetë mijë faqe, ku gati çdo faqe vlen sa një ese. Në prozë, teatër e filozofi, disa autorë rumunë kanë vënë gurë themelesh në letrat evropiane: Panait Istrati, Eugen Ionesco, Emil Cioran, Vintilă Horia, Constantin Virgil Gheorghiu, Mircea Eliade etj.

-Letërsia juaj është ndër më të admiruarat nga lexuesi shqiptar, ndaj dua t’i sjell këtij lexuesi, nëpërmjet jush, planet tuaja letrare për të ardhmen, librat në proces, që ky lexues ka vemendjen ndaj jush dhe pret të lexojë me shumë kërshëri…

Gjatë këtyre dy viteve kam botuar disa libra, – romane, pjesë teatri, ”shkujtime”, skenarë filmash, – shumica online. ”Naimi” ka vënë në qarkullim tani vonë njërin prej romaneve të mi të parë, “Mortët”, rishkruar pas 32 vjetësh. I kam botuar këta libra për t’u hapur vend në kohë e kohë në vend librave që shkruaj ndërkaq. Vërtet nuk di se cili do të pasojë; di vetëm se nuk do të jetë si paraardhësit.

-Ç’raporte keni me autorët më në zë në Shqipëri, me atmosferën krijuese këtu apo dhe me shtypin tonë?

Pas gati tridhjetë vjetësh largimi, ndoshta dukem si ndonjë i murosur brenda Kullës së Fildishtë. Nuk jam as i hapur e as i murosur; është thjesht përdorim i kohës sikur të ishte prej pikash gjaku. Boja më ka çuar këtu. Kam mjaft të njohur e miq, disa pa i takuar prej vitesh, dhe kam pak miq të afërt, të cilët e dinë se, në rastin dhe kushtet e mia, vetmia në hije është shpërblim, jo ndëshkim. Cili zgjedh ndëshkimin në vend të shpërblimit?! E çmojnë këtë gjendje dhe u jam mirënjohës.

Ndaj edhe kam lënë librat si mëkëmbës, apo mëkokës, në jetët letrare shqiptare e rumune. Me fare pak përjashtime, shtypi ka qenë pabesueshëm i hapur ndaj librave të mi. Ngaqë kam punuar shumë vite në shtypin kulturor, por dhe në shenjë nderimi për mundin, nuk kam kthyer mbrapsht pothuajse asnjë ftesë për bisedë, apo për të më botuar diçka, pavarësisht se gati pata bërë bé të heshtja për një kohë të pacaktuar. Por e kam bërë edhe ngaqë këto biseda janë ndër të vetmet mjete që fshehtësia e domosdoshme e një shkrimtari të mos duket strategji mediatike.

 * Ardian KYÇYKU (pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), lindur në Pogradec më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë shkruar në gjuhët shqip e rumanisht. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Doktor i shkencave filologjike, doktorand në teologji, profesor universiteti dhe rektor. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Çmimi Kombëtar i Letërsisë “Penda e Argjendtë” për tregim (2012); Qytetar Nderi i Pogradecit (2014); Akademia Kult – Çmimi “Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit” (2015 dhe 2018); Çmimi II “Katarina Josip” për Dramë Origjinale Shqipe (2016); Çmimi i Madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Très court (2017); Ambasador i Kombit, Tiranë 2019

www.arkycyku.info

 


Etiketa: ,

Pas