Dalin detaje të reja mbi ngjarjen tronditëse që ndodhi mbrëmjen e kaluar, ku brenda komisariatit u vra një efektiv policie nga kolegu i tij.
Efektivi 25-vjeçar Ludian Zaimi (në foto) qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç.
Nga dëshmia pas krimit polici që kreu krimin mësohet të ketë thënë se, “Çaush Saliasi nuk punonte, pinte dhe më shante.”
“Si do e lëmë bashkë”, mësohet t’i ketë thënë polici vrasës kolegut të tij, para se të shkarkonte më pas karikatorin e armës së shërbimit ndaj tij.
Pas kontrollit në banesë, policia i gjeti anti-depresantë. Zaimi gjithashtu mësohet se këshillohej edhe nga një psikologe.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:20 në ambientet e brendshme të komisariatit nr.3 të Tiranës.
Zaimi kishte 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, ndërsa viktima Çaush Saliasi mbi 20 vite karrierë.
Kjo ishte ngjarja e dytë e shënuar brenda pak orëve, ku protagonistë kanë qenë efektivët e policisë. Në Kombinat, efektivi i FNSH-së në gjendje të dehur ka qëlluar me armë 60-vjeçarin Murteza Lika, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambientet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore.
Për dy ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e shkuar, AMP ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e tyre. /Liberale.al/