Tiranë “Më vranë! Më qëlluan pas shpine.” Këto ishin fjalët e fundit të Dritan Lamajt, thënë me vështirësi gjatë telefonatës së bërë me një kolegun e tij, oficer i krimeve në Policinë e Tiranës. Një burim nga grupi hetimor tha për MAPO-n se Dritan Lamaj ka arritur të bëjë një telefonatë të fundit, në momentin që ka ndjerë breshëritë e kallashit t’i përshkonin trupin. Në anën tjetër të telefonit ishte oficeri me inicialet K.M., i cili ka dhënë edhe dëshminë e tij para grupit hetimor. “Më mori në telefon dhe më tha se e kishin qëlluar pranë shtëpisë së tij”,- mësohet të ketë pohuar oficeri i policisë, në dëshminë e tij përpara hetuesve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Oficeri mësohet se menjëherë pas kësaj telefonate, është nisur në drejtim të zonës ku banonte Dritan Lamaj, ndërsa në telefon ka njoftuar eprorët e tij. Kur ka mbërritur pranë ‘Vasil Shantos’, Lamaj ishte nisur me urgjencë në drejtim të spitalit ushtarak. Dëshmia e oficerit të policisë së Tiranës është administruar nga hetuesit që merren me zbardhjen e vrasjes së Dritan Lamajt. Nga hetimet e kryera, policia tha se është mësuar se biseda e Lamajt me këtë person, është e fundit që ka kryer, përpara se të ndërronte jetë rrugës për në spitalin ushtarak. “E dëgjova që më tha këto fjalë, më pas telefoni i tij nuk kuptohej më”,- mësohet të ketë rrëfyer oficeri. Një moment pasi Lamaj i komunikoi kolegut të tij se e kishin qëlluar, ai është rrëzuar në trotuarin ku u gjet nga disa banorë të lagjes. Një person, fqinj dhe i njohur i Lamajt, mësohet se ka ndaluar një autoveturë dhe me të e ka nisur komisarin në drejtim të spitalit. Përpara se të mbërrinte atje, Lamaj ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë në trup e kryesisht në zonën e barkut. “Ta qëlloje pas shpine, ishte e vetmja mënyrë për ta vrarë atë njeri”, -rrëfen një ish-oficer, i njohur me Dritan Lamajn, i cili shpreh ende tronditje për atë që ka ndodhur. Policia ka mundur të sigurojë dëshminë e disa personave për momentin e atentatit, duke rikrijuar skemën. Por pak të dhëna ka, lidhur me dy personat që ndodheshin në makinën e krimit, e gjetur pak orë më vonë e shkrumbuar në Domje. Dëshmitarët kanë pohuar se dy autorët ishin të maskuar. Të tjerë kanë thënë për policinë se makina e krimit ishte parë në lagje edhe dy ditë para vrasjes së Dritan Lamajt. E errët megjithatë mbetet pjesa e kërcënimit të ish-shefit të komisariatit nr.6, ditë përpara ekzekutimit të tij. Të afërmit e Dritan Lamajt kanë pohuar për mediat se ai ndihej i kërcënuar, e këtë gjë e kishte denoncuar edhe tek eprorët. Por në deklaratat e tyre për mediat, drejtuesit e Policisë së Shtetit thanë se nuk kishte asnjë denoncim për kërcënim të Dritan Lamajt. Aktualisht, i dyshuari kryesor për vrasjen ndodhet i arrestuar në Selanik, ndërsa provat që kanë në dorë hetuesit, duken të pamjaftueshme për të mbajtur në burg Arben Frrokun.
Telefonata e Lamajt
“Më vranë! Më qëlluan pas shpine. Më goditën pranë shtëpisë sime”- kanë qenë fjalët e fundit të Dritan Lamajt, pasi trupin ia kishin përshkuar plumbat e kallashnikovit që i morën jetën.
Telefonata e Frrokut
“Porosit Wiskey se do të festojmë. Kam mbyllur një punë me sukses” – ka qenë telefonata e përgjuar e Arben Frrokut, për një person shqiptar që mbante numër grek, gjatë udhëtimit të tij drejt Selanikut.
24 shkurt
Dritan Lamaj, ish-shef i komisariatit nr.6 u ekzekutua në makinën e tij, pak pasi kishte dalë nga shtëpia. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar, të cilët udhëtonin me një makinë që u gjet e djegur.
25 shkurt
Biznesmeni Arben Frroku u arrestua në një hotel në Selanik, pak orë pasi kishte mbërritur atje përmes doganës së Kapshticës. Frroku u largua nga dogana e Kapshticës, rreth tri orë pas vrasjes së Dritan Lamajt.
Arrestimi i nipit të biznesmenit, acarim i konfliktit
Grupi hetimor verifikon arrestimin e Ilir Laskut në Kukës, me urdhër-arrest të drejtësisë italiane. Dyshohet se ky episod ka krijuar një konflikt të ri mes Dritan Lamajt dhe Arben Frrokut
Tiranë Konflikti mes Arben Frrokut dhe ish-shefit të komisariatit nr.6, Dritan Lamaj është tashmë i qartë për hetuesit e çështjes. Megjithatë, ky konflikt ka pasur kulmet e veta, siç dyshohet të ketë qenë edhe momenti i arrestimit të nipit të Arben Frrokut në Kukës. Burime nga grupi hetimor i thanë MAPO-s se po hetojnë kronologjinë e marrëdhënieve mes të dyshuarit për vrasjen dhe komisarit të policisë, e cila duket se është acaruar sërish, një muaj e pak ditë para krimit tronditës. Në janar të 2013, është arrestuar nipi i Frrokut, Ilir Lasku në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga drejtësia italiane. Ky i fundit ishte dënuar me 6 vjet e 4 muaj burg nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike, ndërsa emri i tij rezulton mes sipërmarrësve të zonës së Kombinatit, që kishte bërë kallëzim në adresë të Dritan Lamajt. Hetuesit e çështjes dyshojnë se arrestimi i Laskut në Kukës mund të ketë shënuar një acarim të ri në marrëdhënien problematike mes Arben Frrokut dhe Dritan Lamajt. Megjithatë, hetuesit janë duke verifikuar nëse Lamaj ka dhënë ndonjë informacion mbi identifikimin e vendndodhjes së Ilir Laskut, para ekzekutimit të urdhër-arrestit ndërkombëtar.
Së paku, kjo është një nga pistat e mundshme që po heton Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, në lidhje me vrasjen e 24 shkurtit, kur Dritan Lamaj u qëllua me dy breshëri “Kallashnikovi”, në veturën e tij “Lancia Ypsilon” me ngjyrë gri. Hetuesit po shikojnë mundësinë nëse arrestimi i Laskut mund të ketë shërbyer si një rast për të nisur hakmarrjen ndaj tij. Arrestimi ka ndodhur vetëm pak javë pasi Dritan Lamaj ishte shkarkuar nga detyra e shefit të komisariatit të Kombinatit, detyrë të cilën e kishte marrë që në fillim të vitit 2011.
Zoom
Rimerret në pyetje djali i Frrokut
Oficerët e policisë së zyrës së Hetimit të Vrasjeve kanë pyetur së fundmi edhe babanë e Ilir Laskut, por ende nuk dihet ndonjë detaj nga dëshmia e tij. Po ashtu, grupi hetimor ka marrë për të disatën herë në pyetje Grandi Frrokun, por edhe një studente 22 –vjeçare nga Shkodra, e cila njihej si person i afërt me biznesmenin. Frroku mësohet se sërish i ka qëndruar versionit se babai i tij nuk ka gisht në vrasjen e kryekomisar Lamajt. Ai ka ofruar shpjegime dhe detaje në lidhje me lëvizjet e Arben Frrokut, ditën e atentatit të Lamajt, duke hedhur poshtë mundësinë që ai të ketë gisht në vrasje. Burimet e policisë thanë për MAPO-n se kanë mbajtur në vëzhgim familjarët e biznesmenit dhe janë në dijeni se disa prej tyre kanë udhëtuar në drejtim të Greqisë për ta takuar. Një takim i mundshëm mes tyre ka dështuar, pasi policia greke nuk ka lejuar takime me të paraburgosurin Arben Frroku.
po dihet ajo pune kryqat te pabes jane vetem mbas shpinet dine te vrasin,por mos te merziten dardha e ka bishtin prapa thone.