Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, pas fjalës që mbajti presidenti ukrainas. Berisha tha se qëndresa e popullit rus është frymëzuese për ata që kërkojnë lirinë.
Më tej, ai kërkoi edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë dhe largiminin respektiv të ambasadorëve.
“Ndoqëm me vëmendje dhe interes të madh por edhe emocione të thella, fjalimin e Presidentit të Ukrainës, këtij kombi që po martirizohet për lirinë e Botës, në një agresion barbar të Putin, i cili theksoi se paraqet sot, një monstër me fytyrë njerëzore, një Kain, që ka shndërruar kombin e tij në ekzekutues që vrasin vëllezër e djegin e shkatërrojnë. Qëndresa e kombit ukrainas është një frymëzim i madh për ata që duan lirinë. Që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin për ndihma konkrete.
Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, ka dhënë ndihmesë në OKB, ajo që më lëndon shumë dhe mund të them se edhe na turpëroi sot është qëndrimi i Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar, Në një anë votohet për dënimin e tij në KS, po nga ana tjetër promovohet ideja ruso serbe e Ballkanit të hapur, një projekt fund e krye antieuropian. Ka qenë një vendim absurd shpallja dhe ftesa e Ramës, për turistët rusë në Shqipëri.
Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona, për të marrë veten. Kjo ishte fyerje për shqiptarët dhe kërkesë e Zelenskyt. C’ishte ky xhest mes kësaj barbarie, kjo ftesë për rusët, që po bëjnë luftën më të padrejtë? Kërkoj me urgjencë të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri. Po në këtë kontekst kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorin nga Moska, zvogëlimin e marrëdhënieve me Rusinë”, deklaroi Berisha.