Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte kapitulli i fundit për Shpëtim Duron në pankinën e Flamurtarit. Në një sezon që nisi si skuadër favorite, tani Flamurtari është jashtë çdo objektivi dhe me shumë gjasa rrezikon dhe rënien nga kategoria.
“Mund t’iu them se kam marrë një vendim, e ai është se nuk do jem më trajner i Flamurtarit. Duke pasur parasysh ndeshjet e fundit, rezultatet negative, por edhe eliminimin e sotëm, them se duhet të marr përgjegjësinë plotësisht mbi mua”, është shprehur ai.
Pavarësisht se Flamurtari e ka të mundur matematikisht që të sigurojë kupat e Europës përmes renditjes në kampionat, Duro ka vijuar se nuk mundet ta përballojë më situatën e krijuar.
Një pjesë të fajit, ai ia ka vënë edhe arbitrimit tendencioz, duke e konsideruar si një ndër faktorët që e kanë çuar të ndërmarrë këtë hap, pa harruar të theksojë se ekipi është penalizuar edhe nga dëmtimet e shumta.
Top Channel