Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për krizën energjitike që pritet të përfshijë vendin.
Ai është shprehur në një prononcim për mediat se fle më pak pasi sipas tij, ai ndjen shqetësimet e qytetarëve shqiptarë për rritjen e çmimeve, si të energjisë elektrike, ashtu edhe të bukës.
“Nëse zgjidhja do të ishte hajde rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do bënte çdo qytetar për vendin e tij. Jemi këtu për të mishëruar shqetësimet e çdo qytetari. Për shkak të detyrës, unë fle më pak se çdo qytetar pasi ndjej çdo shqetësim të tyre. Sot për sot është shumë e rëndësishme. Unë e kam të pamundur të mendojë se mund të vrapoj me vrapin që ka marrë çmimi i energjisë.
Broçkullat që Shqipëria ka ujë, e prodhon energjinë dhe naftën vetë. Kjo situatë vjen nga që këtu bëhet e pabëra, duhen lënë më njëanë për të kuptuar veten se çfarë flasin. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet. Shqipëria e shet energjinë, pasi kur ka shi me tepricë dhe reshje, ose ta shesë ose ta derdhë. Kur është mot i përgjithshëm reshjes, çmimi është më i ulët dhe e shet në një moment kur kërkesa nuk është e lartë.
Një ekonomi e varur 100% nga zoti, ka të mirën e vetë pasi ka energji të gjelbër, por nuk ka burime energjie të planifikueshme dhe kur e shet e shet me lirë dhe e blen më shtrenjtë gjatë thatësirës pasi kërkesa është më e lartë. Tregu nuk të pyet si e ke emrin kur shkon e blen, nuk të pyet nëse je Gjermania apo Shqipëria.
Për ne është më sfiduese ose më e vështirë. Duhet t’i kuptojmë në mënyrë që të jemi të qartë për çfarë po flasim. Kjo është vetëm për tani, apo përgjithmonë. Sot ekspertët thonë se kriza do ketë një kulm që do të zgjasë të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm. Por thonë se çmimet nuk do të shkojnë aty ku ishin” – tha Rama.