Cikël poetik nga Valter Dauti
1-AKUAREL
Fërshëllen era ndër gjethe, derdh mbi pellgje pikëllim,
Zbret një re dhe trishtë tretet…zhytur pellgut atje tej…
Krahë zogjsh shkundin portretet e një vere në harrim,
Një vëth vajze dergjet mbytur, copkë- ëndërr rënë nga qiej.
Fundtetori zhurit zjarret… vjeshta rend… penelin lag…
Shuan ç’qeshte shpirtndërkryer, ëndrra hedh te një ylber,
Copëza resh me shpirt të lagur ikin tutje…grinden varg,
…Era fërshëllen në mekje, vjeshta-azmë, frymë nxjerr…
S’di se ç’bojë u derdh mbi pyje, ç’po ofshan mbytur, shpirtthatë,
– shpupurisen retë-pirgje, tallen si një tufë gargujsh,
Fle në pyll, fle edhe zgjohet, një rënkim – lëngim i gjatë,
Dhe një botë poshtë rrënjësh, pjell e zbehtë fytyra avujsh.
…Brohoret vargan i zogjve si miting përmbi qytet,
…Netëve, dritat vdesin rrugësh, si protestë pse hënë s’ka,
Me penel të ngjyer zjarresh, rend kjo vjeshtë dhe ulëret,
Mbi qytet një gri prej muzgjesh, se nga rrodhi…se nga ra…
Flokëve, vajzat ndezin zjarre- shkund penel vjeshta mbi to,
Akuarel vjeshtor i hershëm – Vangjush Mio dorën zgjat…
Frymë e stinës, rend e marrë, mblidh ca ëndrra dhe i zgjo!
…vdes fundvjeshta përmbi pellgje, si virtyti mbi mëkat…
…një vëth, pellgut vdes i mbytur… përqafim ish apo grindje?
Djeg peneli ngjyer zjarresh, tretur shirash me rrëmbim…
Pleqërisht po grindet vjeshta…tretet, shuhet nëpër ikje,
Veç penelin nuk e flak… le ca gjurmë për në rikthim…
2-AKORDE ÇASTI.
Unë shuhem… brenda buzës tënde,
Tulatem, vdes…dhe më s’marr frymë,
Më more moshën- trill, ma çmende,
Me ca të qeshura…që dalin…hyjnë…
Si dreqin është kjo punë kështu?
Nga hyre ti, nga ç’derë, nga ç’ cep?!
Unë të kam puthur…mbi retë flu,
Bashkë qemë, s’e di se në ç’planet…
Krejt kot, çapkënçe, shkela syrin,
Reflekset bjondë, morën ngacmim.
Ti, si nje xhind, derdhe vështrimin,
Eh, ku ta dija ç’është një xhind?!
…Tulatem brenda buzës tënde,
dhe dridhërohem, nuk nxjerr dot zë…
Ma more moshën dhe ma çmënde,
Sa vjeçar jam… s’e gjej dot më…
* *
* * * *
Sytë e tu se ç’lëshojnë ca tinguj,
Si një harpë a kitarë.S’di se si.
Unë hutohem duke të brohoritur,
Ti buzëqesh edhe derdh simfoni.
Sytë e tu vesërojnë tinguj múze,
Lumenj ngjyrash dhe zërash!Ç’mister!
Te kërkoj të ta puth një cep buze,
…ti buzëqesh…dhe ca tinguj se ç’nxjerr…
Nëpër flokë, se ç’këndojnë ca çapkënë,
serenata që muzash i dredh,
Gjysmë tokë-gjysmë diell- gjysmë hënë,
Ti, të gjitha, magjishëm i mbledh…
…ky peizazh mbush dhjetorin, tek eci,
Duar ngrirë nëpër rrugët pa skaj.
Frymë merr dhe dihat, …ja, qyteti,
Njollëz gri, në mes tij, unë ngjaj…
3- ROJTARI I VRESHTIT.
Shikon si shkojnë vitet…vdes vjeshta,
Shket koha… nuk ndal… e më s’vjen…
I pjekur fle rrushi ndër vreshta,
Mbërdhin roja plak tej si qen…
Mbledh vitet, te zbardhen e zverdhen,
Ah! Gjethet, si vdesin ngadalë…!
Gëzime, ankime, tej derdhen,
dhe treten ndën mjegull të bardhë….
Sheh vitet si gjethe që kalben…
Dremit vreshti plak si i shkretë…
Mbi të, retë shkunden dhe hapen,
Me rojen dremisin në vreshtë…
U terka gjithçka tok me vjeshtën,
Nektar e ambrozë…s’ paska më…
…rojtari me lot e qull heshtjen,
kujis si një qen…e s’nxjerr zë…
Parajsë e dikurshme është mekur,
E dehur nga vera, shtron fletë…
Rojtari, mbi re, sytë ndez tretur,
Mundohet të gjejë ku është vetë…
I shfaqen gjithë yjet e stinëve,
Në netët që s’do që të flerë,
Me zemër në dorë, Perëndive,
U jep si vreshtar një kupë verë…
4-MËSHTEKNAT E MOLLASIT.
Përpëlisi gjeth i fundit, (porsi shtërgu i Lasgushit),
Ra, u tret në gjoks të vjeshtës, krejt i zverdhur dhe pa frymë.
Te frymojnë zërat e jetës, te regtijnë grahmat e fundit,
Ja…një rresht plot me mështekna, përpëlis duart plot brymë.
Nëpër rrugën bosh, pa njerëz, unë vrapoj mbi flori vjeshte,
Ti mungon prej shumë kohësh, vetë kohët ke braktisur.
Pas ca fëshfërima gjethesh, pëshpërima: A më deshe?
Pas një lemze vetëtime, ëndërr e hershme ka lektisur.
Shkel mbi vjeshtë duke fsharë, (Oh, ç’më duket, shkel mbi flokë!)
Dreq i keq, po, ah ç’më bëre! Ti s’e kishe emrin Vjeshtë!
Zogjtë më shohin si të marrë, sigurisht që duan shokë,
Edhe rendin të harbuar, bashkë me mua për te retë.
Shkel mbi vjeshtë a shkel mbi flokë? Brenda shpirtit s’di ç’më dhemb,
Një mështeknë, murgeshë e ftohtë, qëndron frymën dhe më sheh,
Si një re e bardhë vjeshte, malli, rrugë pa rrugë rend,
Dhe tek krëhëri i një pishe, në fildish flokët i kreh.
S’di, ke lënë kujtim ca flokë, vjeshta mike ty të paskësh!
S’di, u grindët si dy gra dhe u shqyhet xhelozish…
…rrinë mështeknat porsi mjellma, ëndërrojnë për së largësh,
flokët shtruar nëpër rrugë, mbushur frymë arratish…
Unë s’shkel, por ajërohem, dua vjeshtën, ty të dua,
Nëse arin brenda gjethesh, ti ke vjedhur… e ke derdhur,
Brenda shpirtit të florinjtë, kjo mështeknë më mban dhe mua,
Si një udhëtar të humbur, që kërkon ca flokë të verdhur…
5-ÇMENDURI VJESHTORE
Ti mike me dy gjinj të fryrë,
Nën jakën poshtë, s’ke ç’farë fsheh më!
Brenda fustanit, timen fytyrë,
e mban, më mek… s’nxjerr dot një zë…
Ti qesh, dhe dielli qesh mbi gjinjtë,
Ti qesh, dhe unë ndën hije hesht.
Aty, ndën përrua, fle e florinjtë,
Një hënë, që qumësht – mjaltë tret…
…Vetveten shoh…ndër vreshta heshtur,
Ku bryma qesh,dhe hënën ngrin,
Ku një rojtar, dikur ka vdekur,
I ngrirë nën qefỉnin rubin…
Aty…ndër vreshta qesh hardhia,
Dehet me gjoksin vajzëror…
…kur ti, ta dish ç’është dashuria,
Kjo tokë, është kthyer meteor…
Dy gjinj të fryrë – mikja ime…
Unë, vjeshtë pi… vera më deh…
qeshim të dy në drithërime,
po… zjarrin tim, në gjoks…e fsheh…
Ty mike, të janë fryrë gjinjtë,
Hardhisë, në shpirt vera, i rrjedh
Tej,hëna, derdh dritë të florinjtë,
Dhe bashkë me të, s’di ç’tjetër derdh…
6-PÁNJA.
Kitarë e bëra shpirtin tënd:
-Rrjedhin lumenj e grinden pyje!
Pa, qesh një zë që zogjtë i çmënd,
Një si Orfé, digjet ndër yje.
Kitarë e bëra syrin tënd:
-(Binjak ka veç Syrin e Kaltër)!
Venit dhe perlën që të çmënd,
Dhe qesh, verbon, po t’i rrish afër.
Kitarë e bëra buzën tënde:
-Ndoshta u nguta gabimisht.
Se ti tani, qesh me zë ëndrre,
a, mërmërin veç, vjeshtërisht…
Kitarë e bëra zemrën tënde,
që bora të kish mbretërinë:
-Unë mbeta vetëm fillim kënge,
Ti-mjegull që pështjell çdo stinë…
…dhe kërcënon egërsisht pánja,
Sa herë guxoj për t’iu afruar…
Nga trup i saj lindi kitara,
Jo për t’u qarë…për të kënduar…
METEOROLOGJI.
Mbi një postiqe të vjetër,
Dremit ulur plaka Nysret.
Filxhanin dhe xhezven-te pragu.
Tani sa ka zbritur me shtëpi në qytet.
Sytë i thërresin mjegullat së largu…
Fërkon gjurin duke psherëtirë,
Do prishet koha –mërmërin,
Jashtë,vapa qytetin e djeg,
Jashtë mëngjesi kotet i djersirë.
Dy vajza tallen me plakën Nysret,
Si për të përzenë vapën ,
…Plaka qenka më e mirë se çdo internet,
Perënditë kuvendokan me plakën…
Pasdite,si për çudi,
Qielli rrëzon shi…