Në ekonominë tonë flitet shpesh për politikën fiskale dhe monetare, por rrallëherë për politikën në tregun e punës dhe në paga. Në një treg që vetërregullohet, gjithsecili nga ne ka një çmim në treg, por në një vend si Shqipëria me probleme të shumta në ekonomi dhe në politikë, ndërhyrja e shtetit për të përcaktuar me ligj një pagë minimale është mëse e nevojshme. Pak punime dhe analiza konrete ka në vendin tonë rreth politikës së pagave, por duke e parë edhe si një instrument të rëndësishëm të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu solli një studim analitik dhe konkret mbi këtë politikë. Për të kuptuar më nga afër pse duhet të rritet paga minimale në Shqipëri, cilat janë efektet e rritjes së saj në ekonomi dhe në mirëqenien sociale, ne i morëm këtë intervistë të shkurtër Arbi Agalliut, administrator i Universitetit Europian të Tiranës.
Bisedoi: Niko Zhezha
Para disa javësh, librave studimorë të UET PRESS iu bashkua edhe libri juaj i ri “Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqiptare”. Çfarë ju shtyu dhe ju motivoi për ta bërë këtë analizë dhe të nxirrni këtë libër në treg?
Realiteti shqiptar është një realitet, i cili në këtë situatë tepër komplekse dhe tepër dinamike të zhvillimeve ekonomike, ngelet përsëri një realitet i brishtë dhe jo i drejtë përsa i përket shtresave në nevojë. Në bindjet e mia, të cilat i përkasin bindjeve liberale të djathta, personalisht jam kundër pagës minimale, duke menduar dhe duke besuar plotësisht se është tregu që vendos çmimin e gjithsecilit. Por duke parë abuzivizmin në realitetin shqiptar dhe mosdrejtësinë në struktura të caktuara të sistemit të tregjeve, u ndjeva i interesuar dhe besova që pa një ent rregullator dhe pa një bazë ligjore do të ishte shumë e vështirë që një kategori e caktuar personash të ishin të paguar drejt apo të ishin korrekt me pagesat që do të merrnin nga të tretët. Kështu që në këtë kontekst lindi ideja e zhvillimit dhe krijimit të një studimi; unë nuk do ta quaja libër, do ta quaja një policy paper mbi këtë lloj situate. Nga ana tjetër një shtysë të veçantë pati edhe Konfederata e Sindikatave Shqiptare, e cila kërkonte një lloj argumenti shkencor për të kerkuar zyrtarisht pranë qeverisë shqiptare rritjen e pagës minimale në tregun shqiptar, që për hir të së vërtetës në momentin kur studimi ka filluar, kishte rreth tre vite që qeveria nuk rriste pagën minimale, por as nuk e indeksonte atë me normën e inflacionit. Pra, këtu nisi zanafilla e krijimit të këtij studimi.
Në strukturën e ekonomisë shqiptare, sikurse edhe në ato perëndimore, është tregu ai që vendos për çdo gjë, përfshirë këtu edhe për pagën e punonjësve. Pse ndërhyrja e shtetit për të përcaktuar një pagë minimale është mëse e nevojshme, sidomos këtu në Shqipëri?
Siç e thashë edhe më parë realiteti shqiptar është krejt i çuditshëm, shpesh herë teoritë ekonomike nuk mishërohen apo nuk identifikohen në realitet, kjo për vetë kulturën ekonomike dhe mundësitë financiare që ka ky vend. Por nisur përgjithësisht me natyrën abuzuese të tregut shqiptar, kjo jo nga dëshira e tyre, por nga mosekzistenca e një pakete fiskale që përkrah biznesin, e shtyn biznesin drejt informalitetit dhe drejt gjiljeve të zgjidhjeve jo adeguate për zhvillimin e tyre. Kështu që në këtë kontekst besoj se është e nevojshme që ligji dhe strukturat përkatëse të detyrojnë biznesin për të patur një minimum të caktuar pagese ndaj kapitalit human që ata kanë, por kjo nuk e zhbën, edhe një herë, bindjen time personale që në një treg të rregulluar vendosja e pagës minimale me ligj nuk është e nevojshme pasi tregu, siç thotë edhe Adam Smith, vetërregullohet dhe vetëpërshtatet. Shteti duhet të ketë nocionin e një enti rregullator siç është një gjyqtar në një ndeshje futbolli ku nuk i lejohet të ndikojë direkt në lojë, por me vendimet që ai merr mund të ndikojë pozitivisht apo negativisht në një ekip. Po kështu edhe qeveria duhet të sigurojë, le të themi, rregullat e lojës për biznesin. Nëse Shqipëria do të ishte një vend me rregulla loje të qarta dhe të pastra atëherë nuk do të kishte nevojë për një pagë minimale të përcaktuar me ligj, por do të ishte tregu që e përcakton. Për aq kohë sa kjo nuk funksionon atëherë është e detyruar të ndërhyjë shteti për të siguruar një minimum për një kategori të caktuar punonjësish në bizneset shqiptare por dhe në administatën publike.
Pse duhet të rritet paga minimale në vendin tonë? Çfarë efektesh do të sillte një rritje e saj në ekonominë shqiptare?
Unë e kam hapur librin me një shprehje timen, e cila u vetëkrijua që në momentin e parë kur mendova për të zhvilluar këtë studim: “Të rrisësh pagën minimale nuk do të thotë shpenzim i kotë buxhetor, as shpenzim i kotë i sistemit privat, por do të thotë të shkosh te rritja ekonomike nëpërmjet solidaritetit”. Në këtë kontekst, rritja e pagës minimale do të ndikojë sadopak tek ajo shtresë vulnerabël e shoqërisë, e cila nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të rrisë konsumin në ekonomi. Dhe duke rritur konsumin në ekonomi, sado minimalist të jetë, dihen efektet zinxhir që do të ndikojnë në të gjithë ekonominë shqiptare duke rritur dhe prekur çdo hallkë të këtij sistemi. Rritja e pagës minimale sjell rritje të ekonomisë në përgjithësi, rritje të mirëqenies për atë kontigjent të caktuar njerëzish si dhe motivon një shtresë jo të vogël të shoqërisë. Në studim është treguar saktë se si ndikon në vlerë rritja e pagës minimale me përqindje të caktuara.
Paga minimale ndikon jo vetëm në mirëqenien ekonomike. Sa ndikon ajo sipas jush në mirëqenien sociale?
Dihet që në zinxhirin ekonomik të një vendi kemi hallka të cilat ndikojnë për mirë apo për keq në tërësinë e ekonomisë. Kalimi nga një efekt financiar në një efekt ekonomik, është pikërisht ky, që në një moment të caktuar, kontigjent të caktuar kompanish, firmash apo limitesh përkeqësojnë apo përmirësojnë situatat e tyre financiare. Dhe me shpenzimet që ata bëjnë apo nuk bëjnë, kjo përkthehet në një ndikim në ekonominë e një vendi. Kështu që nga impakti financiar i drejtpërdrejtë në rritjen e pagës minimale, absolutisht që shoqërohet me një impakt në ekonominë e një vendi, dhe aq më tepër në një lloj stabiliteti apo motivimi të një shtrese sociale e cila është një shtresë që duhet të ketë vëmendje të mjaftueshme dhe të nevojshme nga institucionet shtetërore. Por edhe sektori privat është një shtresë sociale që nuk bën gjë tjetër veçse e motivon atë për të ecur përpara dhe i siguron një minimum jetik që në realitetin e kapitalizmit, sado e egër mund të jetë një strukturë kapitaliste, duhet patur në vëmendje të caktuar kjo lloj shtrese, sepse për një arsye apo për një tjetër mund të mos kenë përfitimet e merituara në këtë lloj shoqërie që ne përfaqësojmë. Prandaj rritja e pagës minimale jo vetëm që ka një impakt financiar në xhepat e personave që e marrin këtë lloj page, por kjo përkthehet në një impakt ekonomik më pas, dhe në një motivim social të këtij kontigjenti për të ecur përpara dhe për të kërkuar më tepër nga vetja dhe nga aktorët e ekonomisë shqiptare.