Ndryshimi i mentalitetit sesi duhet të funksionojë sot një shkrimtar i ri duket se është thelbësore. Koha e shkrimtarëve bohemë, që jetojnë me borxhe dhe nuk blejnë dot një xhaketë i takon shekullit të 18-të. Tashmë një shkrimtar i mirë ka mundësi të jetojë ndryshe dhe kjo shihet qartë nga ajo çfarë ndodh me autorë të suksesshëm sot kudo në botë.
Nëse në tregje të mëdha të librit sot po fillojnë të dominojnë gjithnjë e më tepër emra shkrimtarësh të rinj, të cilët për disa vite arrijnë të kthehen në best-seller, apo të krijojnë profilin e një shkrimtari që bëhet i kërkuar nga botuesit kudo në botë, në Shqipëri kjo praktikë duket se është ende larg. Edhe pse botuesit vijojnë të jenë në kërkim të një autori të ri për ta kthyer në yllin e tyre të botimeve, nuk kanë arritur këto vite të shndërrojnë një autor të ri ose të panjohur në autor më të cilin konkurrojnë jo vetëm nëpër panaire por dhe libraritë e vendit. E për këtë nuk është faji gjithnjë i botuesve, ashtu siç dëgjojmë të thuhet shpesh në tryeza debatesh me autorë që e shohin letërsinë si rrugën e tyre, por mungesa e një autori i cili do të kishte gjithë cilësitë që një botues t’i jepte besimin financiar. Pjesa më e madhe e botimeve nga autorët e rinj që janë hedhur në treg këto vite me përjashtime të vogla nuk kanë qenë botime që kanë pasur një lloj vijueshmërie nga ana e autorëve, çka do të thotë, që pas botimit të parë niveli i shkrimit është rritur në botime të tjera. Në pjesën më të madhe të rasteve të rinjtë janë tërhequr që pas botimit të parë. Mungon një lloj qëndrese ndaj kaosit apo nivelit që kanë krijuar në treg botimet e huaja. Kjo ka bërë që botuesit t’i besojnë më shumë një autori të huaj, sesa një autori shqiptar i cili nuk siguron as 100 lexues. Të pasurit e letërsisë si një qëllim apo profesion duket se është problemi i parë i një shkrimtari të ri. Ashtu si gjithë profesionet e tjera dhe shkrimi kërkon përkushtim dhe disiplinë pa të cilën nuk mund të kesh asnjëherë pritshmërinë e duhur. Pjesa më e madhe e atyre që shkruajnë nuk e kanë letërsinë profesionin e tyre bazë. Dhe si një profesion i “kohës së lirë” ai nuk mund të japi atë pritshmëri që do ta jepte përkushtimi. Një nga frazat që dëgjohet më shpesh është se “nuk mund të jetohet me shkrimin”. Deri diku kjo frazë në Shqipëri është e vërtetë, por në kohët e sotme një shkrimtar nuk duhet ta shohë veten për tregje të vogla siç është tregu i librit shqip por me tregje të mëdha siç është gjuha anglishtfolëse. Kjo duket një sfidë e pamundur për shkrimtarët shqiptarë por në fakt kjo është sfida që duhet të fitojë fillimisht çdo autor që do ta lidhë jetën me shkrimin. Tashmë më shumë se dy dekada nga rënia e komunizmit nuk duhet ta shohim më veten vetëm brenda hapësirës sonë por edhe më gjerë.
Ndryshimi i mentalitetit sesi duhet të funksionojë sot një shkrimtar i ri duket se është thelbësore. Koha e shkrimtarëve bohemë, që jetojnë me borxhe dhe nuk blejnë dot një xhaketë i takon shekullit të 18-të. Tashmë një shkrimtar i mirë ka mundësi të jetojë ndryshe dhe kjo shihet qartë nga ajo çfarë ndodh me autorë të suksesshëm sot kudo në botë.
Kur flasim për letërsinë e re pas viteve 90-të, kritika analizon vetëm disa emra që në fakt nuk janë më të rinj pasi për më shumë se 20 vjet kanë mundur të rriten në tregun e librit.
Në morinë e botimeve të viteve të fundit ne mund të evidentojmë emra autorësh me potencial të ardhshëm, por u takon atyre e ardhmja që do vendosin të kenë me letërsinë. Pasi si në çdo fushë tjetër dhe rregullat sot kanë ndryshuar. Tregu është gara dhe matësi më i mirë për një shkrimtar, dhe tregu është ai që i referohet jo vetëm botuesi por edhe kritika. Sigurisht që jo çdo libër i shitur është një libër i mirë dhe anasjelltas, por një libër i mirë nuk kalon asnjëherë në heshtje. Ndaj këshilla më e mirë që mund t’i jepet të rinjve që kanë vendosur të lidhin jetën me letërsinë është të jetojnë me të. Vetëm duke e parë atë si parësore do të mund të arrijnë suksesin.
Çfarë u mungon shkrimtarëve të rinj
Nga Shkëlqim Çela
Është e vështirë për mua të kem një përshtypje të edukuar për shkrimtarët e rinj. Kjo sepse letërsia sot është bërë tejet e shpërqendruar, botohet në shumë vende e mënyra, në letër dhe online, dhe shtëpitë e botimit janë vërtet të panumërta. Kështu që ato pak gjëra që më kanë bërë përshtypje nga shkrimtarët e rinj, do t’i them me rezervimin e dijes gjysmake. Më bën përshtypje që nuk shoh një apo pak emra të qëmtueshëm nga hapësira e autorëve të rinj. Shkrimtaria në vetvete është një lloj oligarkie, por kjo ka ndryshuar si shumëçka në dy dekadat e fundit. Nuk kemi një apo disa yje, por një mori me xixëllonja në muzg. Kjo i bën shkrimtarët e rinj të ndihen sipëranë në barazitizmin e përgjithshëm, pasi nuk ka bashkëkohës për të cilët ata mund të thonë kjo është steka që më duhet të kapërcej. Sepse si çdo aktivitet njerëzor, letërsia është mirëfilli një konkurrencë. Askush nuk shkruan vetëm për vete. Me siguri që mes shkrimtarëve të rinj ka nivele që potencialisht janë më lart se të tjerët, por për disa arsye objektive, që nuk e ndihmojnë letërsinë, si drobitja dhe mpirja e publikut lexues dhe mungesa e një autoriteti të kritikës dhe e gazetarisë kulturore cilësore, autorët e rinj premtues nuk shquhen e veçohen. Kjo u bën dëm atyre, sepse as Kadareja ynë i madh nuk do ishte bërë Kadare pa të qenit i qëmtuar dhe pa një feedback pozitiv (shumë të merituar) të publikut. Në këtë pikëpamje, autori i ri talentuar është në një disavantazh të vërtetë. Ndërkohë që dihet se koha jonë e konsumit masiv të vlerave nuk përkrah e mbështet talentet e mëdha – kjo është një dukuri jo vetëm shqiptare – një autor italian që s’më kujtohet emri tani, ka bërë një shkrim shumë inteligjent për këtë.
Një tjetër përshtypje që uroj ta kem të gabuar për shkrimtarët e rinj, është mungesa e dijes së përgjithshme dhe e nivelit jo të kënaqshëm kulturor. Letërsia sot duhet të shkojë krah për krah me zhvillimin e kërkimit shkencor, na duhet një letërsi më e ditur, autorët më të mirë të sotëm (p.sh., Houellebecq, De Lillo, D. F. Wallace, P. Auster) shquhen për një nivel intelektual të lakmueshëm dhe pikëpamje jo vetëm inteligjente, por edhe të mirinformuara dhe të edukuara mbi botën. Shkrimtari i ri duhet të dijë që sot nuk të spikat më psherëtima e bukur, një lloj tregu i ndjenjave sipërfaqësore, zhbirilimi i pafund mbi shpirtin njerëzor, ndarja e çasteve të ndjenjave të bukura e kështu me radhë. Të tjerë e kanë bërë këtë, dhe shumë mirë. Sot të spikat një këndvështrim i ri dhe interesant mbi botën që të rrethon, dhe kjo nuk është punë ndjenjash të çastit. Nuk them të jenë enciklopedistë alla Borges, por në ditshin dy gjëra, t’i dinë mirë ato, në thellësi, duke investuar studim dhe meditim. Është koha e letërsisë së ditur, edhe pse ajo nuk shet. Kur them “spikat”, nuk e kam fjalën në numër librash të shitur, por për momentin kur lexuesi i mirë (ky është bërë më i rrallë edhe se autori i mirë), pasi ka lexuar një kapitull apo poezi, të thotë vetiu: të lumtë, zotëri, të heq kapelen.
Manjola Nasi: Vështirësitë e të qënurit i ri
Pavarësisht nga vendi, përballja me lexuesin është sfidë për çdo autor, aq më tepër kur bëhet fjalë për poezinë, e cila lexohet nga një numër shumë më i vogël dhe i zgjedhur njerëzish. Në Shqipëri ka shumë pak mundësi për t’iu prezantuar publikut në mënyrë më graduale, para botimit të një libri, pasi numri i revistave letrare është i vogël, ndaj botimi mbetet prova e madhe. Nga ana tjetër, janë të pakta shtëpitë botuese të cilat vendosin filtra të mirëfilltë për cilësinë e veprave që pranojnë për botim, gjë që natyrshëm krijon skepticizëm te lexuesit dhe i zmbraps ata nga leximi i veprave të autorëve jo të afirmuar. As kritika letrare nuk ka arritur të krijojë një strukturë të besueshme dhe, përveç zërave të veçantë, as ajo nuk ofron garancinë se një vepër që i ka rënë në sy meriton të lexohet. Të gjitha këto janë vështirësi jo të vogla, por unë arrij të perceptoj një lëvizje, sado të ngadaltë, drejt përmirësimit të kësaj panorame.
Elona Çuliq: Çdo të thotë i ri…
Po e filloj përgjigjen time nisur nga mbiemri “i ri”. Çka do me thanë “shkrimtar i ri”? Pra kujt i referohemi me këtë përcaktim? I referohemi rinisë së moshës, rinisë së rrugëtimit letrar apo rinisë së botimit, pra e daljes në treg përballë lexuesit? Në mendjen time shkrimtarët i kam zhveshë nga caku i moshës, apo i mbiemrave të tillë përcaktues. Do e pranoja këtë mbiemër, vetëm nëse do të ishte sinonim i shpirtit riosh, që gjallon në qenien e shkrimtarit dhe që nuk njeh stinë tjetër vetëm atë të rinisë. Kështu ai e thotë, e shkruan dhe fton të tjerë në kopshtin e tij për të shijuar frytet.
Besoj se në rastin konkret “shkrimtar i ri” i referohet atij që është i ri në rrugëtimin poetik, letrar. E me dashtë me iu referue këtij shkrimtari të ri, atëherë realiteti i tij këtu, në Shqipëri, nuk është i lehtë. Kuptohet që nuk po pretendoj me qenë fushë me lule, sidoqoftë.
Jetojmë në një kohë ku komunikimi asht në formën e tij ma shpërthyese dhe të ofron mediume të ndryshme të komunikimit të vetes. Ndër to edhe mediume fast food, mediume konsumi. Sot të gjithë jemi shkrimtarë. Sot të gjithë jemi poetë. Sot të gjithë botojmë. Por si për ironi jo të gjithë lexohemi, ose ka një përmbysje të kahut të leximit; lexohen antivlerat. Me shkrue asht një sfidë që e merr përsipër me e përballue e me e ballue, secili që e ka seriozisht këtë punë. Por me shkrue në Shqipëri duhet me kapërcye disa gardhe klanore e mendore që të përcaktojnë diametrin e lëvizjes. Dhe me e përmbyllë, mendoj që ka ardhë koha e shkrimtarit të ri, që rrugëtimin e tij poetik e letrar nuk e kanalizon në struktura ku përkëdhelet, i rrihen krahët dhe i mundësohen favorite. Mendoj që ka ardhur koha e shkrimtarit të ri që me letërsinë që bën mos me ndryshue vetëm realitetin e tij, por me ndryshue realitetin letrar e kulturor të mbarë vendit.
E papërfillshmja forcë e Letërsisë
Nga Eris Rusi
Për çfarë shërben letërsia? Kjo është një pyetje e rëndësishme që sot në moshën tridhjetë e pesë vjeçare, vazhdoj t’ia bëj me këmbëngulje vetes, duke kërkuar që t’i jap një përgjigje që të jetë e ngjashme me kohën kur nisa të shkruaj dhe të botoj librin e parë në prozë. Ishte viti 1997, Shqipëria e asaj kohe ishte pre e një marrëzie kolektive, me armët që qarkullonin në të gjithë vendin dhe jetët e njerëzve të zbrazura nga rëndësia e tyre. Unë, adoleshent katërmbëdhjetë vjeçar, provova të tërhiqem drejt një bote tjetër duke shkruar katërmbëdhjetë tregime që u përfshinë në një libër me titullin “Kohë çmendurie”.
Çmenduria e asaj kohe të vështirë dhe gati të pamundur u balancua me përfytyrimin që krijova për krejt letërsinë e vendit tim: e krahasoja atë me një varkë të vogël që mbante përsipër rremtarë të guximshëm e unë isha njëri prej tyre. Pastaj iu urdhëronim lexuesve të hipnin brenda saj, duke i drejtuar në një lumë misterioz, drejt brigjeve të panjohura, ku gjithçka të kujtonte jetën dhe lexuesit fillonin të mësonin gjëra ngadalë.
Nga ajo kohë, deri më sot, krahasimi i letërsisë së vendin tim me një varkë të vogël, ka ndryshuar interpretim. Lexuesit që dikur mendoja se hipnin në këtë varkë, kanë nisur të hidhen si në panik jashtë saj. E braktisin me shpërfillje, ndonjëherë tregojnë mëri që sapo e shohin së largu t’iu afrohet, ka të tjerë që e quajnë gjënë më të mërzitshme këtë rrugëtim të ngadaltë, aspak bashkëkohor, që nuk të nxjerr kund veçse mund të të japë të përziera apo dhimbje të forta koke.
Pa dyshim që ky lloj përfytyrimi i braktisjes së anijes me gjithë këtë ngulm e panik, mund të ketë të bëjë me përmasat e kësaj të fundit, me destinacionin e saj, me të metat që mund të ketë (ndoshta fut ujë në të katër anët), e nuk duhet neglizhuar edhe që erërat e ditëve të sotme nuk janë aspak në favor e nuk fryjnë kah lundrimit të mbarë të letërsisë.
- Pasiguria dhe frika nga e paparashikueshmja
Në ditarin e tij piktori Paul Klee shkruante se në moshën nëntë vjeçare u fut në restorantin e ungjit të tij, ku “kishte tavolina me shtresë të lëmuar mermeri, sipërfaqja e cila ishte, nga mosha, një labirint vijash dhe brazdash. Në këtë labirint të vijave ju mund të shihnt figura njerëzore groteske dhe t’i fiksoni ato me laps “(Ditari, 27).
Vitgenstein e komentoi këtë kështu: një lëmsh i vijave papritmas gjallërohet dhe në to ne shohim një figurë, një fytyrë, një fizionomi. Ato vija japin shkas për një shumëllojshmëri përfytyrimesh dhe formash, asnjëra prej të cilave nuk mund të jetë e parashikueshme.
Me ne sot po ndodh diçka krejt tjetër. Kemi humbur aftësinë të duam të paparashikueshmen. E kuptoj që një pjesë e njerëzve mund të ndjehen të kapur në çark nga pasiguria e jetës, nuk e dinë si do të jetë trokitja e mëngjesit tjetër në derën e tyre. Njerëzit nuk kanë kohë të vrapojnë pas asaj që nuk mund të jetë e sigurt dhe e garantuar, ngjajnë të zgjuar nga një gjumë i rëndë, i keq, e ajo që i intereson më tepër është një lloj dëshire që ta dinë nga fillimi në fund si do të shkojë puna e tyre, dashuria e tyre, e ardhmja e tyre, jeta që bëjnë deri në vdekje. Por kjo nuk mund e nuk duhet t’i bëjë që të shohin me dyshim, të sfidojnë me injorim çdo lloj sinjali që e bën të paparashikueshmen interesante dhe te dashur.
- Anijet e rreme
Në këto njëzet- tridhjetë vitet e fundit profesioni i shkrimtarit ka ndryshuar shumë: nuk mund të bëhet dot një krahasim me atë që ndodhte në Shqipëri para viteve ’90 . Sigurisht që profesioni i shkrimtarit atëherë lidhej me diçka elitare, të admirueshme, e nëse krahasohet me shkrimtarin e ditëve të sotme, që konsiderohet shpesh si një nga të tjerët, që duket se nuk ka asgjë më tepër tërheqëse dhe të veçantë por ndoshta stonon me ata që janë “më të kërkuarit e ditës” jemi përballë një problemi të dukshëm.
Por përveç kësaj qasjeje që mund të ngjallë simpati për shkrimtarin e braktisur sot, ka edhe nga ata rremtarë në letërsinë tonë që nuk janë përherë shkrimtarë të cilët meritojnë të quhen të tillë. Profesioni i krijuesit nuk kërkon asnjë diplomë apo certifikatë që të ushtrohet ligjshmërisht, cilido në këtë vend mund të ulet, të krijojë dhe të botojë, jo një por shumë libra, vëllime që mund të jenë të mbushur me rrëfenja e pakta që janë me vlerë dhe domethënie të dyshimtë. Gjithë kjo bën që iluzioni i të mirës dhe të bukurës të rrudhoset shumë shpejt.
E kuptoj që kjo e vështirëson punën e çdo shkrimtari në vendin tonë, por besoj që kjo situatë mund të jetë edhe një sfidë e veçantë për këdo që ushqen nevojën për të shkruar dhe beson tek talenti i tij. Letërsia nuk kufizohet vetëm brenda kontureve të një vendi, ajo ka mundësi të qarkullojë dhe zotëron forcë që t’i rezistojë edhe kohës. Ndaj në këto ujëra të turbullta ku lundrojnë anijet e rreme, nëse duket në horizont e duhura, të gjithë mund të priren të vrapojnë drejt saj.
- Vetmia e mbushur me njerëz
Letërsia na dhuron, nëse mund ta themi, një vetmi të mbushur me njerëz, na drejton nga hapësirat e mbyllura të dhomave tona, për në sheshet ku gjëmojnë fjalët, e pastaj më tutje, përtej kufijve të hapësirës dhe të kohës. Por nuk ka vetmi të më madhe se braktisja e vetes, heqja dorë nga komunikimi me atë që ishte ëndrra jonë e vogëlisë, e më sot duket sikur e kemi harruar krejt. Letërsia këtu di të orientojë, e të jesh shkrimtar sot në vendin tonë, do të thotë të përballesh me hije të mëdha vetmie, të lëshuara nga njerëz që ngjajnë të qeshur, por nuk janë të tillë; me pezmin dhe frikën që i bën të qëndrojnë në turmë, pa e kuptuar dot sa keq është të harrojnë zërin intim dhe të pavarur të vetvetes. Sot jetojmë në një kohë ku të gjithë janë të lidhur në rrjetin e iluzioneve të lumtura, të humbura të gjetura, komunikojnë çdo çast dhe letërsia nuk është më përthithësja kryesore e vëmendjes së tyre. E megjithatë si shkrimtar që krijon në këtë vend, e quaj misterin e vetmisë, hijen e asaj që është refleks i mendimeve tona, jo diçka të keqe dhe të errët, por ndonjëherë të domosdoshme dhe të mirëpritur. Mirë se të vijë vetmia. Kur ushqehet përmes letërsisë, çdo hije vjen çasti që nuk ngjall më frikë!
TE JESH NE BOTEN E SHKRIMTAREVE ESHTE VEPER E MIRE SE NJE MENTALITET E FEVE NE VESHTIRESI NE HOLLESI PER TE QENE NE BOTEN E TYRE ESHTE VEPER TRASHEGUS DHE MUNDESIT PER TE MOS QENE NE REALITET E PJESEVE TE TJERE NE BOTEN E TYRE, SE MUNDESIT JANE TE PAKET ME REALIZU DHE DIKUSH PERFITON NGA DTITURIA E TYRE ..POR NUK ESHTE E LEHTE TE BESH DICKA TE BUKUR KUR JE PJESE E VETES SATE DHE MER NJE MREKULLI KRIJES QE TE ‘KA DHENE ZOTI .. GJITHMONE DUHET TE KEMI PARASYSH QE VEPREN QE KRIJON VETE MOS TE BEHET PJESE QE TA MARIN TE TJERET KU JE VET ME DIJEN TENDE .ATEHERE KUR NJE SHKRIMTAR ESHTE I ZGJUAR E KUPTON REALITETIN E TE QENURIT VETE E VEPRES SE TYRE . SPEKTE .