Në një intervistë për “Mapo”, dr. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe, shpjegon shenjat lajmëruese të sëmundjeve reumatizmale, pas diagnostikimit të hershëm dhe fillimit të mjekimit, pacienti bashkëjeton me sëmundjen duke bërë jetë normale pa dhimbje dhe pa dëmtime të parikthyeshme në organe
Sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet. Për t’iu drejtuar mjekut reumatolog njerëzit presin që t’i dhembin kyçet, kockat apo mesi, kur në fakt shenjat e sëmundjeve reumatizmale imitojnë shumë sëmundje të tjera duke ju drejtuar për kontrolle mjekësore në specialitete të tjera dhe jo te mjeku reumatolog.
Mentaliteti se këto sëmundje fillojnë gjithmonë me dhimbje kyçesh dhe se sëmundjet reumatizmale janë të pakurueshme, janë disa prej arsyeve pse zbulohen vonë sëmundjet reumatizmale. Në një intervistë për “Mapo”, dr. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe shpjegon gjerësisht pse qytetarët nuk duhet të presin të kenë dhimbje kyçesh, për të bërë vizitë mjekësore te mjeku reumatolog, pasi sëmundjet reumatizmale mund të fshihet edhe pas një anemie, dëmtimit të veshkave, dhimbje muskulore, trombozave në enët e gjakut e deri tek abortet e pashpjegueshme. Për këtë doktoresha Dhamo, apelon për kontrolle drejt mjekut specialist që sëmundja të kapet në kohë, të mbahet nën kontroll me trajtime, dhe mbi të gjitha të shmanget vetëdiagnostikimi, i cili në shumë raste mund të jetë i gabuar.
Sëmundjet reumatizmale shpesh zbulohen vonë, si mund t’i njohim shenjat?
Sëmundjet reumatizmale përfshijnë një numër shumë të madh sëmundjesh të cilat mund t’i ndajmë në katër grupe kryesore:
Sëmundjet inflamatore të kyçeve, si: Artriti Reumatoid, Spondiliti Ankilozant, Artriti nga kristalet etj.
Sëmundjet autoimune të indit lidhor, si: Lupusi, Vaskuliti, Sklerodermia, Sindromi Sjogren etj.
Sëmundjet e metabolizmit të kockës dhe kërcit, si: Osteoartriti dhe Osteoporoza.
Sindromat e dhimbjeve të lokalizuara apo të gjeneralizuara, p.sh. Dhimbjet e mesit, supit, Fibromialgjia etj.
Arsyeja pse këto sëmundje zbulohen me vonesë së pari, ka të bëjë me mentalitetin se sëmundjet reumatizmale fillojnë gjithmonë me dhimbje kyçesh dhe së dyti – sëmundjet reumatizmale janë të pakurueshme!!
Sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet, pra shenjat e tyre mund të imitojnë shumë sëmundje të tjera duke e drejtuar pacientin në mjekë të specialiteteve të tjera. P.sh. ato imitojnë pothuajse të gjitha sëmundjet e lëkurës, si: psoriaza, ekzema, infeksionet herpetike etj., dhe pacienti shkon te mjeku dermatolog. Disa pacientë kanë probleme me gjakun si anemi apo ulje të rruazave të bardha. Abortet pa shkak mund të jenë një tjetër shenjë e këtyre sëmundjeve duke i drejtuar pacientët te gjinekologu.
Në këtë mënyrë duke shkuar sa në një specialist te tjetri, pacienti me sëmundje reumatizmale vonohet në diagnozë. Diagnostikimi i hershëm i tyre është çelësi i suksesit të trajtimit të sëmundjeve reumatizmale. Është e vërtetë që këto sëmundje janë kronike dhe nuk zhduken, por me diagnostikimin e hershëm dhe me fillimin e mjekimit pacienti bashkëjeton me sëmundjen duke bërë jetë normale pa dhimbje dhe pa dëmtime të parikthyeshme në organe.
Disa nga shenjat e sëmundjeve reumatizmale janë këto:
Skuqje jonormale e lëkurës së fytyrës pas ekspozimit në diell;
Tharje të syve dhe të gojës;
Zbehje deri në nxirje të gishtave të duarve dhe këmbëve pas ekspozimit në të ftohtë;
Dhimbje dhe ënjtje të kyçeve;
Dhimbje të muskujve ose ulje të forcës muskulore;
Rënie në peshë e pashpjegueshme nga dieta;
Plagë të përsëritura në gojë;
Skuqje të syve deri në ulje të shikimit;
Aborte të pashpjegueshme;
Tromboza në enët e gjakut;
Dëmtim të veshkave;
Mpirje të këmbëve dhe të duarve nga dëmtimi i nervave periferike.
Duke parë këtë larmi shenjash klinike është e pritshme që të kemi një vonesë ne diagnozë. T’i diagnostikosh këta të sëmurë është si të plotësosh një “puzzle”. Pjesët e këtij “puzzle” fillojnë të formohen që në momentin kur pacienti vjen te mjeku dhe i tregon shenjat e sëmundjes. Nëse merret me kujdes historia e sëmundjes, bëhet një vizitë e kujdesshme e të gjitha organeve dhe kërkohen analizat e duhura, diagnoza nuk është e vështirë.
Sa u takon ilaçeve që përdoren kundër sëmundjeve reumatizmale, akuzohen se kanë shumë efekte anësore. Ka të reja në fushën e trajtimit, për uljen e këtyre efekteve?
Në momentin që pacienti diagnostikohet, mjekimi fillon sipas protokolleve të caktuara për çdo sëmundje reumatizmale. Këto protokolle janë standardizuar nga Shoqata Europiane dhe Amerikane e Reumatologjisë. Medikamente të reja dalin çdo vit. Trajtimi i këtyre të sëmurëve vjen duke u përmirësuar. Vite më parë shkalla e invaliditetit dhe vdekshmërisë ka qenë shumë e lartë pikërisht se nuk kishte preparate që kontrollonin sëmundjen. Terapia individualizohet në varësi të moshës së pacientit, stadit të sëmundjes, në varësi të funksionit të zemrës, veshkave apo sistemit nervor. Është shumë e rëndësishme nëse kemi të bëjmë me një paciente në moshë riprodhuese apo me një femër shtatzënë.
Zgjidhen ato medikamente që kontrollojnë sëmundjen por pa dëmtuar shtatzëninë apo fertilitetin. Për mjekun e rëndësishme është të kontrollohet aktiviteti i sëmundjes, prandaj ne nuk këshillojmë shtatzëni te një paciente me sëmundje aktive.
Preparatet që përdoren për këto sëmundje frenojnë sistemin imunitar për të shuar në një farë mënyre luftën që qelizat imunitare bëjnë ndaj qelizave të vetë organizmit. Sigurisht që kanë efekte anësore, por kur peshorja anon nga efektet pozitive në trup, këto preparate janë e vetmja zgjidhje për të kontrolluar sëmundjen. Janë e vetmja rrugë shpëtimi që u mundëson një jetë normale të sëmurëve.
Efektet anësore shmangen duke bërë kontrolle të rregullta çdo 2-3 muaj te mjeku me disa analiza të thjeshta që na ndihmojnë të shohim funksionin e organeve kryesore. Pacientët që marrin këto medikamente u këshillohet vaksinimi çdo vit kundër gripit dhe një herë në 5 vjet ndaj pneumokokut për t’i mbrojtur nga këto infeksione.
Frakturat e kockave, kush rrezikohet më shumë? Pse ndodhin? Pse nuk duhen neglizhuar?
Frakturat kockore në Reumatologji i hasim te pacientët me osteoporozë. Kjo është një sëmundje që prek kryesisht femrat gjatë dhe pas menopauzës. Vjen si rezultat i dobësimit të arkitekturës së kockës. Në këtë mënyrë rritet shumë rreziku për thyerje ose fraktura spontane.
Hormonet femërore janë mbrojtës shumë të mirë kundër osteoporozës. Kur vjen menopauza niveli i tyre në gjak bie shumë dhe fillon sëmundja e osteoporozës. Kjo është sëmundje e fshehtë e cila shumicën e rasteve zbulohet pasi ka ndodhur fraktura. Qëllimi është t’i zbulojmë këto pacientë përpara se të ndodhë fraktura. Për këtë u këshillohet grave në menopauzë të bëjnë një ekzaminim që quhet DEXA dhe mat fortësinë e kockës. Personat që kanë familjarë me osteoporozë, ata që mjekohen për sëmundje reumatizmale dhe femrat që kanë hequr vezoret janë më shumë të rrezikuar për osteoporozë. Pacientët me osteoporozë nuk kanë asnjë shenjë klinike deri në momentin që ndodh fraktura.
Arsyeja pse nuk duhet neglizhuar kjo sëmundje është shkalla e lartë e invaliditetit që shkakton fraktura dhe kostoja e lartë që ka për individin dhe familjen. Nëse osteoporoza zbulohet fillohet një terapi me tableta nga goja ose injeksione në varësi të gjendjes së pacientit.
Kyçe të fryra, gishta të ftohtë, janë këto sinjale për sëmundje reumatizmale?
Personat me këto ankesa gjithmonë duhet të shkojnë mjeku reumatolog për ta vlerësuar situatën, nëse kemi të bëjmë me një sëmundje reumatizmale apo thjesht një reagim jonormal i trupit ndaj të ftohtit. Nëse gishtat ndryshojnë dhe ngjyrën e lëkurës në të zbehta apo vjollcë patjetër që duhet vlerësuar nga mjeku. Në këto raste kemi të bëjmë me fenomenin Raynaud, zbehje e gishtave nga ngushtimi i enëve fundore të gjakut pas ekspozimit në të ftohtë.
Sëmundjet autoimune, abuzohet se vuajnë më shumë gratë. Si qëndron e vërteta? Kush rrezikohet më shumë?
Ekzistojnë mbi 100 sëmundje autoimune të cilat mund të prekin lëkurën, kyçet, tiroiden, sistemin nervor, qelizat e gjakut, veshkat, mëlçinë, mushkëritë dhe muskujt. Këto sëmundje prekin afërsisht 8% të popullatës dhe 78% janë femra. Ato janë një grup sëmundjesh që zhvillohen në një organizëm i cili ka një predispozitë gjenetike të favorshme për sëmundjet autoimune. Por nuk mjafton vetëm gjenetika. Mendohet se kemi dhe një faktor të jashtëm ende të paidentifikuar që e ndihmon autoimunitetin në trupin e njeriut. Autoimunitet do të thotë luftë kundër vetes, pra qelizat imunitare që janë mbrojtësit tanë kthehen në qeliza që e luftojnë trupin dhe zhvillohen kështu sëmundjet autoimune. Është fakt që sëmundjet autoimune kanë preferencë për femrat dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Hormone femërore si estrogjeni dhe prolaktina rrisin jetëgjatësinë e qelizave që ndihmojnë zhvillimin e autoimunitetit. Te meshkujt këto qeliza shkatërrohen më shpejt duke ulur shanset për autoimunitet.
Cilat sëmundje reumatizmale akuzohen se japin shenjat e para tek duart, ngërçe, fryrje, dhembje etj.?
Sëmundjet që kanë preferencë për kyçet e duarve janë Osteoartriti dhe Artriti reumatoid. Të dyja këto sëmundje prekin kyçet e duarve por me karakteristika të ndryshme dhe mbi të gjitha trajtimi i njërës është ndryshe nga tjetra. Prandaj nëse keni qoftë dhe një nga këto shenja duhet të konsultoheni me reumatologun për të ditur nëse keni Artrit reumatoid apo Osteoartrit. Megjithëse ka raste kur të dyja këto sëmundje bashkekzistojnë te një pacient.
Çfarë këshillohet më së shumti bashkë me trajtimet?
Këshilla ime është që mos të neglizhoni asnjë nga shenjat e mësipërme. Sa më herët të shkoni të diagnostikoheni, aq më shumë mundësi keni të bëni një jetë normale. Mos ju nënshtroni dhimbjes dhe sëmundjes pasi sot ka preparate të cilat e kontrollojnë sëmundjen dhe ju bashkëjetoni me të pa vuajtur pasojat. Ushqehuni shëndetshëm dhe bëni aktivitet të rregullt fizik pasi mbipesha dhe obeziteti janë tashmë faktor risku ose faktor agravues të sëmundjes për Artritin Reumatoid, Artritin nga acidi urik, Osteoartitin dhe Lupusin eritematoz sistemik. Dhe mbi të gjitha: MOS U VETËDIAGNOSTIKONI NË GOOGLE!!! Keni shumë mundësi të gaboheni dhe nuk është aspak në të mirë të shëndetit tuaj! Lëruani profesionistëve të shëndetit të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë.