Aktualitet

Flet njeriu që ndërtoi Kukësin nëntokësor në Shqipërinë staliniste





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 14:43 - 05/02/20 |
mapo.al

Nga Shaun Walker dhe Fatjona Mejdini-The Guardian


Për afro dy dekada, Feti Gjici punoi në një projekt aq të fshehtë sa detyrohej të mbante planet e tij kyçur në një kasafortë para se të linte zyrën çdo mbrëmje. Ai kurrë nuk foli për këtë me miqtë ose familjen e tij. Gjici ishte kryeplanifikuesi i qytetit të Kukësit, në veri të Shqipërisë, duke punuar gjatë viteve të regjimit komunist të udhëhequr nga diktatori stalinist Enver Hoxha. Udhëheqësi paranojak dhe izolacionist u tmerrua nga lufta e afërt dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë për të mbrojtur vendin nga kërcënimi i një pushtimi të mundshëm.



Në Kukës, jo larg kufirit me Jugosllavinë socialiste, gjërat u çuan një hap më tej. Detyra e Gjicit, që nisi nga fillimi i viteve 1970 dhe përfundoi me rrëzimin e regjimit më 1991, ishte të ndërtonte një kopje nëntokësore të Kukësit 30 metra nën qytet. Në fillim të viteve 1970, planet e para përfshinin një seri vendqëndrimesh për bomba. Përgjatë viteve ’80, me urdhër të shefave të ushtrisë, Gjici shtoi gjithnjë e më shumë tunele dhe dhoma në projektin nëntokësor, duke përfshirë një shtypshkronjë, një spital dhe një furrë buke. Më pas, u shtuan rrjetet e energjisë elektrike dhe të ujit. Duhej edhe një qendër komande e ushtrisë, një post policie dhe një sallë gjyqi. Qëllimi ishte të siguronte mbijetesën e 10,000 njerëzve nën tokë për gjashtë muaj.


“Sigurisht, në kohë lufte, gjërat mund të funksiononin me kapacitet të reduktuar, por ideja ishte të projektonim një kopje të të gjithë qytetit nën tokë,” tha Gjici, tani 72 vjeç.

Në fillim të viteve 1970, autoritetet komuniste përmbytën të gjithë vendbanimin e Kukësit me një liqen artificial gjatë ndërtimit të një hidrocentrali. Planifikuesit e qytetit duhej të krijonin një qytet krejt të ri përkrah tij dhe të zhvendosnin të gjithë popullsinë aty. Gjici po ndihmonte për të projektuar Kukësin e ri mbi tokë kur iu afruan shefat e ushtrisë dhe policisë sekrete. “Meqë isha duke bërë një punë të mirë, ata më besuan me planet për qytetin nëntokësor”, tha ai.

<
>
Kukesi2 KUKES Kukesi1 Kukesi3 Kukesi4

Ai qeshi kur u pyet se çfarë do të thoshte nëse një koleg do ta pyeste për punën e tij. “Nuk ishte në kulturë që njerëzit të pyesnin se çfarë po bëje”. Gruaja e tij e dinte pak a shumë që ai po punonte në një projekt nëntokësor prej shumë vitesh, por kurrë nuk kërkoi detaje. “Ajo e dinte që nuk duhej të bënte pyetje”.

Për shkak se strehimi ishte aq i fshehtë, Gjici kishte një ekip prej vetëm 30 punëtorësh për zbatimin e projektit. Secili punëtor duhej të kontrollohej imtësisht nga shërbimet e sigurisë për besueshmërinë e tij politike. “Sa më pak njerëz që dinin, aq më mirë,” tha ai. Ky ekip i vogël u nda më tej në çifte që u dërguan për të punuar në pjesë të ndryshme të strehimit, të cilët në fakt nuk e dinin ekzistencën e një rrjeti të madh të ndërlidhur.

Gjatë viteve 1980, autoritetet kryen gërmime regullisht: kur binte sirena, e gjithë popullata e Kukësit mund të zbriste nën tokë për shtatë minuta, përmes 30 hyrjeve në rrjet. Por ishte e ndaluar lëvizja nën tokë dhe informacioni se i gjithë rrjeti lidhej me tunele që shtriheshin me kilometra të tërë ishte i klasifikuar.

Ndërtimi i rrjetit nëntokësor përfundoi në vitin 1989 dhe u instalua energjia elektrike dhe uji. Megjithatë, regjimi ra përpara se strehimi të pajisej siç duhet për funksionin e planinfikuar.

Në ditët e sotme, zbritja në tunele nuk është për njerëz me zemër të dobët. Akoma plot energji, Gjici udhëheq rrugën përmes një shkalle të lagësht plot rrjeta merimangash thellë nën tokë. Hyrja në pjesën më të madhe të rrjetit të tuneleve dhe dhomave është bllokuar nga grumbuj rëre dhe balte.

Por pas 30 vitesh harrese, kryetari i ri i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, kushëriri i Fetiut, dëshiron të mbarojë atë që filluan komunistët dhe të përfundojë projektin e Kukësit të nëndheshëm që ta hapë për publikun.

Në vitet 1990 ai u bë kurioz pasi dëgjoi tregimet e kushëririt të tij dhe zbriti në rrjetin e braktisur të tuneleve me disa miq. “Të jem i sinqertë, nuk e besoja se sa i thellë ishte”, tha ai në një intervistë në zyrën e kryetarit. “Ne hymë në një farë mënyre, por unë u tmerrova dhe u ktheva mbrapa. Kishte zëra që njerëz janë futur atje dhe nuk janë kthyer më“.

Më vonë ai i vizitoi tunelet përsëri, këtë herë me kushëririn e tij dhe ndriçimin e duhur, dhe nuk i besoi syve se sa e madha ishte vepra. Filloi të formonte një vizion madhështor. Ai u zgjodh kryetar para disa muajsh dhe vendosi që kishte ardhur koha të vepronte.

“Ne duam ta shndërrojmë atë në një qytet nëntokësor për vendasit dhe turistët”, tha ai. Kryetari i Bashkisë e pranoi se idetë e tij ishin ende të paqarta, por ai parashikonte restorante, atraksione dhe dyqane. Sipas tij, njerëzit do të ishin në gjendje të udhëtonin nëpër tunele për të dalë në afërsi të liqenit artificial dhe më pas të shkonin për shëtitje me varkë.

Në mars ai shpreson të përfundojë një marrëveshje prej 2.6 milion euro nga fondi i BE-së për të filluar rinovimet. Por pa kaq shumë para, planet e tij ambicioze mund të dukeshin po aq të paimgjinueshme sa ato të Shqipërisë komuniste.

Ka edhe nga ata që e vënë në dyshim shndërrimin e trashëgimisë komuniste të vendit në atraksione të modelit të parqeve. Kompleksi i gjerë i bunkerëve të ndërtuar për elitën në periferi të kryeqytetit, Tiranë, tashmë është shndërruar në një muze. Ka plane për të hapur për publikun shtëpinë e Hoxhës, e cila është lënë ashtu siç ishte kur diktatori vdiq më 1985.

Në pjesën tjetër të Evropës komuniste, persekutimet përfunduan në vitet 1960, por këtu i shkuan kësaj pune deri në fund”, tha Enriketa Papa, historiane në Universitetin e Tiranës. “Njerëzit ishin të uritur dhe ata ende po ndërtonin bunkerë. Pse na duhen muzetë e bunkerëve tani kur nuk ka muze për viktimat e komunizmit?”.

Safet Gjici tha se ishte i bindur se asnjë muze nëntokësor nuk do të shkëlqente mbi anën e errët të viteve të komunizmit. “Ishte një kohë e tmerrshme. Gjysma e popullsisë ishte informatore dhe kishte kufizime për gjithçka. Ne nuk duam t’i shohim ato kohëra përsëri, as për veten tonë dhe as për njeri tjetër”, tha ai.

Kushëriri i tij dukej më i dyzuar, duke shfaqur një nostalgji për regjimin Hoxha si një pjesë të popullatës më të vjetër të Shqipërisë, veçanërisht ata që zunë pozita të privilegjuara. “Unë kam qenë nga një familje fermerësh në një fshat dhe kam patur mundësi të studioj inxhinieri në kryeqytet së bashku me dhëndrin e Hoxhës. Në atë kohë, nuk kishte diskriminim”, tha ai, duke folur për ekzekutimet, kampet e punës dhe të burgosurit politikë.

Sa për qytetin nëntokësor, ai hodhi poshtë idenë se ndërtimi i tij reflektonte një mentalitet paranojak dhe tha se ishte “minimumi absolute” që çdo qeveri e arsyeshme mund të bënte për qytetarët e saj. “Tani më shumë se kurrë na duhet”, tha ai. “Duhet të mbahet për t’u mësuar brezave të rinj se rreziku i luftës është gjithmonë prezent”.


Etiketa: , , , ,

Pas