Rrugëtimi i Hashim Thaçit si njeri i luftës çlirimtare, paqes në marrëveshjet e mëdha, Pavarësisë së Kosovës dhe politikanit që ka marrë përsipër t’i dalë në ballë një marrëveshjeje të mundshme, edhe me kosto, Kosovë-Serbi për “korrigjim” apo shkëmbim territoresh. Amerika dhe BE me qëndrime të njëjta: “Palët të bien dakord për rrugën e përbashkët drejt BE-së”. Çfarë humbet dhe fitohet. Flet pedagogu i UET, eksperti i sigurisë, Kristaq Xharo
Kosova është përfshirë në një debat të madh në lidhje me qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, çka sipas tij do të sillte marrëveshje afatgjatë dhe paqe mes dy vendeve. Si e konsideroni këtë propozim?
Deklarimi i presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” ka ndezur debatin jo vetëm në faktorin shqiptar dhe serb, por edhe në faktorin ndërkombëtar. Nuk kemi informacion zyrtar për kontekstin dhe me formulën e plotë të propozimit. Definicioni ‘korrigjim’ nga mjaft analistë është barazuar me terma ‘shkëmbim territori’, ‘ndarje’ apo edhe më tej ‘falje’. I pasuruar ky propozim, edhe me mjaft informacion konspirativ, analiza vështirësohet edhe më shumë. Ajo që njohim është fakti që propozimi po vjen tashmë kur bisedimet e Kosovës me Serbinë, nën drejtimin e BE, kanë hyrë në fazën finale. Ne njohim gjithashtu pozicionin e fuqinë e palëve në bisedime. Kosova nuk është në një pozicion më të vështirë se pala tjetër, për ta menduar se është propozim i imponuar. Është fakt që Republika e Kosovës është frutë i përpjekjeve jo vetëm të faktorit shqiptar, por edhe ndërkombëtar. Ajo u ngrit dhe konsolidua me bekimin e ndërkombëtarëve, perëndimit. Aktualisht në Kosovë ndodhet NATO dhe BE. SHBA janë të pranishme më tepër se në çdo zonë tjetër të Ballkanit. Kjo kupton që si deri tani edhe në të ardhmen Kosova nuk ka dilema të sigurisë dhe mbijetesës. Kur kancelaritë e fuqive të mëdha po angazhohen edhe për tymueset në parlamentin e Kosovës, ato kanë krijuar garancinë që nuk do të qëndrojnë indiferent për marrëveshje midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dhe për më tej, që të garantosh një marrëveshje afatgjatë midis dy vendeve duhet të analizosh faktorin e brendshëm për të cilin do të arrihet marrëveshja. I gjithë propozimi do të mund të marrë jetë vetëm pasi ai të fitojë mbështetjen e gjithë faktorëve të brendshëm politikë e socialë.
Disa eksponentë të politikës, por edhe analistë po e etiketojnë presidentin Thaçi edhe si “tradhtar”, ndërkohë që mbetet një nga personazhet kryesor të luftës së UÇK-së, a mund të konsiderohet “tradhtar” një person që luftoi për çlirimin e Kosovës, fitoi zgjedhje dhe drejtoi qeverinë, ndërsa tashmë është në krye të shtetit, por ka hedhur në diskutim një çështje të madhe ende me te panjohura?
Që nga periudha e krijimit të shtetit shqiptar etiketime termit ‘tradhti’ kanë qenë aq të pranishme, sa edhe në luftëra ballkanike apo botërore, ne, më shumë shfaqemi se kemi luftuar me ‘tradhtaret’ se me pushtuesin. Që të etiketosh një person ‘tradhtar’ duhet të deklarosh luftën, më pas frontet, e më tej: të mirët e të këqijtë. Në debatin që është ‘ndezur’, me gjithë qëndrimet kategorike ndaj propozimit të Thaçit, termi ‘tradhtar’ nuk ndihmon në zgjerimin e argumentit. Thaçi nuk ka nevojë për mbrojtje. Siç e shprehni edhe ju, me të drejtë, në pyetjen tuaj Thaçi nuk është një person që u shfaq ‘papritur dhe nga hiçi’. Pavarësisht nga epiteti që zgjodhi gjatë luftës, për çlirimin e Kosovës, të gjithë e kanë ditur të menduarit dhe vepruarit për Kosovën. Një tradhtar zgjedh formë tjetër shfaqje. Por, çfarë shprehu Thaçi për tu quajtur ‘tradhtar’. Asgjë më shumë, se atë që kanë shprehur të gjithë që në 1913. Janë mbi një qind vite që shqiptarët flasin për padrejtësitë që na janë bërë me territoret dhe për korrigjim kufijsh. Askush më parë nuk u quajt ‘tradhtar’. Thaçi ‘guxoi’ të trazojë ujin që nuk lëvizte, në sipërfaqe. Nuk besoj se e kanë seriozisht përdorimin e termit. Pavarësisht nga propozimi me mjaft të panjohura, etiketime të tilla veç dobësojnë pozitën e faktorit shqiptar dhe energjinë për të gjeneruar zgjidhje, e konsumojnë duke u sherrosur me njëri-tjetrin. Megjithatë kjo nuk e zbeh aspak nevojën për mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit të drejtuesve të shtetit me publikun. Sot nuk ka çështje monopol, që i zotërojnë vetëm liderët e mëdhenj, aq më tepër kur flitet për kufij, territor dhe sovranitet. Edhe kjo e dallon demokracinë nga autokracia.
Si e shihni mundësinë e ndarjes dhe nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës dhe Mitrovica e Veriut Serbisë, do kishte paqe afatgjatë. Sipas jush a janë ndërmjetësuesit e kësaj marrëveshjeje të mundshme SHBA dhe BE? Po rreziku i precedentit për ndryshime kufijsh, a mund të sjellë destabilitet edhe në vendet e tjera ballkanike?
Pyetja juaj është e vështirë pasi me siguri ne mund të flasim veç për të shkuarën ndërsa për të tashmen e të ardhmen vetëm mund të bëjmë supozime. Për pjesën e parë të pyetjes që lidhet me bashkimin apo shkëputjen e territoreve, sigurisht që duhet t’iu referohemi praktikave ndërkombëtare. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, apo më së paku që nga viti 1945 është e vështirë të përmendim ndonjë rast të korrigjimit të kufijve e aq më pak të bashkimit të territoreve apo të shkëmbimit të tyre, përveç rastit minor belgo-holandez. Po, kemi ndryshime kufijsh, kryesisht, për shkak të krijimit të shteteve të rinj. Fillimisht, pas Luftës së dytë Botërore, shtete që lindën pas shembjes së kolonializmit dhe më vonë, shtete që lindën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë: shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, e Çekosllovakisë dhe e Jugosllavisë. Frutë i këtij procesi është edhe vetë shteti i Kosovës. I vetmi rast, ndryshimi kufijsh me proces bashkimi është rasti i Gjermanisë. Por, në çdo rast: dukuria e shpërbërjes apo bashkimit kanë marrë bekimin e fuqive të mëdha e të komunitetit ndërkombëtar. Krimea është precedent që rindau komunitetin ndërkombëtar. Pra, çdo propozim nga Thaçi apo Vuçiç do të realizohen apo të jenë afatgjatë kur të gjejnë dakordësinë e fuqive të mëdha. Balanca e fuqisë dhe dilema e sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë është tërësisht e varur nga faktori ndërkombëtar. Kosova, Serbia, Presheva apo Mitrovica vështirë se do të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre nga bashkimi në rajonin më të varfër të Europës. Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pothuaj se vuajnë nga të njëjta probleme. Duket paradoksale që ndërsa gjithë Europa heq kufijtë debati bëhet si të çimentojmë apo ‘korrigjojmë’ kufijtë. A nuk do të ishte më qetësues propozimi që si Kosova dhe Serbia të ishin në të njëjtën kohë pjesë e Bashkimit Europian?