Psikologu klinik, Enkel Bulica, i trajnuar për fëmijët që kanë kryer krime, në një intervistë për gazetën MAPO analizon krimin që ka ndodhur në Kavajë. Çfarë i shtyu djemtë të kryenin një krim kaq të rëndë dhe si duhet trajtuar viktima. Enkel Bulica është Psikolog Klinicist dhe Psikoterapist Psikanalitik i supervizuar, i cili ka punuar më parë me të miturit shkelës të ligjit, në vlerësimin dhe riintegrimin e tyre në kontekstin e Shërbimit të Provës.
Zoti Bulica, a e keni ndjekur ngjarjen e Kavajës, si e shikoni këtë ngjarje ku janë përfshirë vetëm të mitur?
Është e vështirë që një ngjarje e tillë të kalojë pa të të tërhequr vëmendjen, si në aspektin njerëzor po ashtu në aspektin profesional. Kjo ngjarje është në radhë të parë tronditja e thellë e botës së brendshme të viktimës, tronditja e thellë e një familjeje, e bashkëmoshatarëve, një komuniteti dhe më gjerë, tronditja e një shoqërie. Ngjarje të tilla, përpos perspektivave të ndryshme që mund të ndërmarrim, kanë një efekt ‘shkundjeje’ për të gjithë shoqërinë, për shumë arsye; ne si qenie njerëzore kemi tendencën e vendosjes së vetes në vendin e viktimës, pra të ndjejmë empati dhe të mundohemi të imagjinojmë dhimbjen nëpër të cilën viktima ka kaluar dhe po kalon; nga ana tjetër, na frikëson ideja se diçka e tillë që ndodh kaq pranë nesh, mund të na rrezikojë dhe ne apo fëmijët e tanë. Ajo që me të drejtë ju e vini në dukje është që në këtë ngjarje janë të përfshirë vetëm të mitur, të cilët gjenden në mes të një fabule monstruoze. Fëmijë të cilët tentojmë t’i trajtojmë shkujdesur derisa realiteti na përplas me të tilla ngjarje. Ajo që duhet të pyesim sot, përtej ngjarjes, “na kanë lënë fëmijët në baltë, apo i kemi lënë ne ata në baltë?”. Me të miturit, kjo vijë nuk është gjithmonë e qartë. Duhet të fillojmë të arsyetojmë mbi shkaqet dhe se çfarë mund të kishim bërë për ta parandaluar një ngjarje të tillë.
Nga syri i psikologut si është e mundur të përfshihen në një krim kaq të rëndë kaq shumë fëmijë të moshës 14 vjeç? Çfarë mendoni se ka ndodhur?
Bota e të miturve ndonjëherë reduktohet nga të rriturit në një botë ku ekzistojnë vetëm gjëra të parashikuara, si shkolla apo aktivitete të tjera rutinë të cilat të krijojnë idenë se gjithçka është nën kontroll dhe neglizhojmë dhënien e kujdesit emocional dhe ndarjen me ta të problemeve të cilat ato po kalojnë. Kjo mungesë komunikimi të jep deri diku idenë se i kemi ‘braktisur’ në një farë mënyre, që ta ndërtojnë vetë idenë e moralit, e të drejtës dhe të gabuarës. Në botën e tyre shpeshherë lëvron një botë aq e pasur dhe komplekse ndjenjash, motivesh, tensioni dhe agresiviteti. Ndonjëherë mund të rrëshqasin në mungesë vetëdije për veprimet dhe pasojat e tyre, prandaj mbikëqyrja e përshtatshme e prindit nuk duhet të mungojë në këtë fazë zhvillimi. Nga ana tjetër, kjo është mosha, ndoshta më delikate për sa i përket formimit të individit social. Është moshë vendimtare ku të miturit kalojnë zhvillimet si fiziologjike po ashtu dhe psikologjike. Për këtë arsye prania e të rriturve përveçse si modele pozitive, duhet të shërbejë dhe për të folur me të miturit, për t’i udhëzuar ata në një farë mënyre në lidhje me ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë që ata kanë në lidhje me të tjerët. Konkretisht për ngjarjen në fjalë, duhet të dëgjohen vetë të miturit nga profesionistët për të dalë në konkluzione të sakta.
Ju keni punuar me të mitur të dënuar për krime të ndryshme, si mendoni pse ata kryejnë krime, çfarë ndodh me ta pasi arrestohen?
Arsyet se pse të miturit kryejnë sjellje kriminale janë të lidhura ngushtësisht si me faktorë personalë, po ashtu dhe me faktorë të mikrosocialë dhe më gjerë. Ndër të tjera disa prej faktorëve personalë të përfshirjes në sjellje kriminale janë qëndrimet antisociale apo kryerja e sjelljeve agresive ndaj të tjerëve pa patur ndjeshmërinë e duhur për të ndjerë keqardhje për tjetrin. Ndërsa faktorët mikrosocialë janë të lidhur ngushtësisht me mënyrën e rritjes, faktorë të tjerë të rëndësishëm kanë të bëjnë me brendësimin e normave morale, modeleve të ofruara nga familja, komuniteti, mediat e ndryshme etj…Rregulli kryesor që vlen në këto raste është parandalimi, pasi dëmi i kryer shlyhet por nuk zhbëhet dot. Në bazë të përvojës sime në punën rehabilituese me të miturit shkelës të ligjit, pas arrestimit dhe kalimit nëpër hallkat e sistemit të drejtësisë penale, është shumë e rëndësishme që për ta të synohet përtej ndëshkimit të përshtatshëm dhe rehabilitimi i tyre e më pas riintegrimi. Të miturit, ndryshe nga të rriturit trajtohen ndryshe nga të rriturit dhe iu jepen garanci ligjore të diferencuara pasi zhvillimi dhe krijimi i identitetit të tyre nuk ka përfunduar ende.
Sipas jush çfarë pasojash psikologjike ka kjo ngjarje për vajzën e cila është bërë viktimë e këtij krimi të rëndë? A rëndon mbi të dhe familjen edhe fakti që kjo ka ndodhur në një qytet të vogël ku mentaliteti provincial godet edhe viktimën, për fat të keq ndonjëherë më shumë se agresorët?
Pasojat e këtij krimi mund vetëm të imagjinohen sepse kemi të bëjmë me dhunimin më të thellë që mund t’i bëhet një fëmije duke marrë parasysh këtu edhe kohëzgjatjen nëpër të cilat përdhunimet raportohen të kenë zgjatur. Të gjitha elementet që ju përmendni në pyetjen tuaj janë të rëndësishëm për rikuperimin e familjes nga kjo ngjarje, megjithatë solidarizimi i komunitetit me familjen, e cila është ajo çfarë ky komunitet mund të bëjë për ta ndihmuar familjen, do të ndihmojë dhe vetë komunitetin për ta tejkaluar mentalitetin që ju e quani provincial e për ta shndërruar në forcë parandaluese. Prandaj nevojitet reflektim i thellë dhe dialog i hapur brenda komunitetit. Fundja në këtë situatë mund të gjendej secila prej këtyre familjeve.
Sipas kush si duhet të sillen me vajzën familja, mësuesit, organet kompetente shtetërore që t’i ofrojnë ndihmën që i duhet?
Në radhë të parë familja është ajo e cila do t’i gjendet pranë të miturës dhe të gjithë së bashku ta përpunojnë emocionalisht dhe mendërisht ndodhinë. Sigurisht për ta gjërat nuk do të jenë më kurrë njësoj, bota e tyre është tronditur rëndë, megjithatë duhet të kemi besim te forca e njeriut për ta rimarrë veten dhe për të mbledhur copëzat e për ta përballuar këtë ngjarje. Sigurisht kjo gjë nuk do të jetë aspak e lehtë sidomos për viktimën, prindërit, familjen, shoqet dhe shokët e saj, besimi i të cilëve te njerëzit është thyer. Këtu do të duhet të jetë e domosdoshme mbështetja nga institucionet shtetërore, qoftë me ndihmë psikologjike po ashtu dhe çdo lloj mbështetje e cila do të nevojitet për t’i ndihmuar ata gjatë këtij rikuperimi. Po ashtu një mbështetje duhet të ofrohet nga sistemi shkollor për bashkënxënësit e viktimës, në mënyrë që të kuptojnë në mënyrë sa më të shëndetshme se çfarë ka ndodhur. Me fëmijët duhet të gjejmë mënyrën e përshtatshme për të folur për ngjarje të tilla, por nuk duhet të heshtim para tyre apo të bëjmë sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Policia dhe media në Shqipëri e ka zakon që i zbulon identitetet e viktimave dhe të arrestuarve për krime të ndryshme…si duhet të sillet në këtë rast? A duhet të mbahen sekret identiteti i vajzës dhe i agresorëve të saj? Pse?
Ka shumë pak për t’u diskutuar në lidhje me këtë çështje. Kodi i drejtësisë penale për të miturit e garanton ruajtjen e privatësisë si për viktimën po ashtu dhe për agresorët, kështu që nxjerrja e mundshme e të dhënave identifikuese të tyre do të përbënte shkelje të të drejtave që ata zotërojnë pavarësisht ngjarjes dhe rrethanave të rënda që kanë ardhur prej saj.