Aktori Florian Binaj u bë pjes ë e nismës për të prezantuar vendet më të bukura të Shqipërisë. ‘Taken by Albania’ është një video që u bë virale, dhe synon promovimin e vendit. I ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” aktori tregoi kënaqësinë që kishte marrë nga kjo eksperiencë dhe përfitoi nga rasti për t’u bërë thirrje të gjithë të rinjve që ta duan vendin e tyre çdo ditë.
Flori tha se gjatë xhirimeve kishte pasur mundësinë të vizitonte disa prej destinacioneve më të bukura të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Valbonën, aty ku aktori nuk kishte qenë më parë. Udhëtimi nuk kishte shkuar siç e kishin planifikuar, pasi moti i keq i kishte penguar të eksploronin disa pika të njohura të zonës, por të paktën kishin siguruar strehim dhe ushqim nga një familje që jetonte në një fshat afër.
“Me aq pak sa kishin i ndanë pa u menduar edhe rakinë, edhe bukën, edhe gatimet që kishin bërë, ishin me të vërtetë fantastikë”, tha ai.