Ish-kryeministri Sali Berisha do të ndalet nesër në Librazhd, në vijim të lëvizjes së tij ‘Foltorja’.
Mësohet se takimi i Berishës me demokratët e Librazhdit do të bëhet në ambientet e Pallatit të Kulturës në orën 17:00.
Sali Berisha ka mbledhur 4200 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor.
Në këtë mbledhje sipas rendit të ditës të njoftuar tashmë nga organizatorët, ku do të miratohet statuti i ri si dhe do të analizohen qëndrimet e aktet e Lulzim Bashës ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike
Thirrja e Kuvendit të 11 dhjetorit
Në kushtet kur Partia Demokratike e Shqipërisë po përjeton krizën më të rëndë të identititetit dhe demokracisë së brendëshme që nga koha e themelimit të saj, për shkak të dështimeve në aksionin e saj politik dhe mosfunksionimit të forumeve të saj vendimarrëse, si dhe
- kur brenda Partisë Demokratike hapësirat e lirisë dhe të demokracisë po asgjësohen qëllimisht dita ditës,
- kur forca kryesore e opozitës në vend nuk arrin të përmbushë misionin e saj për të ndalur keqqeverisjen e vendit dhe për t’u kthyer në shpresë të qytetarëve dhe në alternativë serioze qeverisëse,
- kur rikthimi i ushtrimit të sovranitetit nga antarësia, brenda familjes tonë politike, është imperativ për t’i dhënë fund uzurpimit të partisë nga një grup njerzish me qëllime dhe agjenda tërësisht personale,
Me qëllim rikthimin në legjitimitet moral, politik dhe statutor të funksionimit të Partisë Demokratike, për t’a rikthyer atë në shpresë për njerzit e lirë të këtij vendi,
ne, një grup deputetësh, antarësh Kryesie, antarësh të Këshillit Kombëtar, kryetarë degësh, grupseksionesh, seksionesh, delegatë të organit më të lartë drejtues të Partisë, Kuvendit Kombëtar, në përputhje me parashikimet e nenit 43 pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, marrim përgjegjësinë statutore për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në datën 11 dhjetor 2021 ora 11.00, me rend dite si më poshtë:
- Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimarrjen në forumet e Partise Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike
- Vendimarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të antarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike
- Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë
- Të ndryshme