Ministria e Brendshme padit zyrtarët e qeverisjes së shkuar për abuzimet me fondet e kompensimeve apo dëmshpërblimeve
Pesë ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë kallëzuar penalisht në prokurori nga ky institucion, pasi dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës kanë abuzuar me fondet dhe procedurat për kompensim apo dëmshpërblim. Katër prej zyrtarëve të kallëzuar kanë qenë pjesë e Emergjencave Civile, përfshi edhe ish-drejtorin e kësaj strukture, Alfred Ollin, ndërsa ish-zyrtarja e pestë është Drita Avdylli, e cila ka mbajtur detyrën e drejtores së Shtetësisë dhe Refugjatëve në Ministrinë e Brendshme. Kallëzimi i Ministrisë së Brendshme ndaj ish-zyrtarëve ka ardhur pas një auditi të kryer, i cili ka konstatuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës nga zyrtarët e Emergjencave Civile. “Janë dhënë fonde për pesë persona me aktivitet tregtar në shumën 1 000 000 lekë. Përveç vlerës së dëmit ekonomik në shumën e mësipërme, është krijuar mundësia e dëmit ekonomik për detyrimin e buxhetit të shtetit edhe ndaj 31 personave me aktivitet tregtar privat në shumën 143 902 657 lekë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, nga auditi është konstatuar se janë akorduar fonde në shumën e 58 milionë lekëve për emergjencën e krijuar nga reshjet e dëborës, pa dokumentacion justifikues. Më tej ministria në kallëzim thotë se ish-zyrtarët kanë dhënë fonde për emergjencë, në kundërshtim me VKM nr.80 datë 12.02.2012 për 11 njësi të qeverisjes vendore në shumën 3 000 000 lekë. “Janë akorduar fonde për ndihmë në katër raste për shumën 600.000 lekë, pa asnjë dokumentacion. Nuk është kryer kontrolli dhe dokumentimi i përdorimit të fondeve të akorduara për emergjencat civile për vitet 2012-2013”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Lidhur me këto akuza ka reaguar edhe ish-drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, i cili tha se shkeljet e pretenduara nuk qëndrojnë. “Drejtoria e Emergjencave Civile është kontrolluar shumë herë dhe asnjëherë nuk është gjetur me shkelje. Shkeljet e pretenduara nuk kanë të bëjnë me shpërdorim detyre dhe nuk qëndrojnë në asnjë koncept juridik apo administrativ”, – tha Olli. Mësohet se ministria ka bërë kallëzim edhe për shtetasen Drita Avdyli, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve në MPB. “Nga auditi i kryer ka rezultuar se Avdyli është përgjegjëse për shpërdorim detyre, në procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, si dhe keqmenaxhimin e aktiveve, me pasoja financiare në buxhetin e shtetit në vlerën 245 125 lekë”, thuhet në njoftim.
Të kallëzuar
Alfred Olli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile;
Maksimiljan Dhima, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;
Arben Qesaraj, specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;
Adem Kapo, ish-specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC;
Drita Avdyli, ish-drejtore e Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve në MPB