Kryesore

Fondet për Shqipërinë, dyshimet për qeverinë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:13 - 17/02/20 |
Mapo.al

Konferenca e donatorëve sot në Bruksel, mblodhi mbi 1.1 miliardë euro për Shqipërinë, për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Një lajm fort i mirë dhe i gëzueshëm. Ky solidaritet, sidomos i shtrirë në mbarë botën, nga Emiratet në Kore, nga Lituania në SHBA, dhe sigurisht në zemër të Europës, ishte me të vërtetë prekës.


Sic pritej, propaganda pranë Ramës ka ndezur motorrët sapo u mbyll konferenca, dhe në gjithë hapësirën që kontrollon rilindja, e gjitha po trumpetohet si sukses personal i Kryeministrit. Lapërdhi pa fund do dëgjojmë në vijim, dhe ska dyshim që skemi parë gjë akoma.



Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë kuptohet se pjesa e fondit e dhënë si kredi, është gati 80 përqind e shumës së mbledhur. Po edhe kjo nuk është pak.


Më e rëndësishmja është që paratë të vijnë, të vihen në punë, e jeta e mijëra familjeve të rikthehet sa më shpejt në normalitet.

Të rrënuarit nga tërmeti ndërkohë, edhe pse nuk kanë kaluar më shumë se 3 muaj, janë harruar. Askush nuk e di më, se çfarë po bëjnë ato mijëra familje, larguar nga hotelet, në çadra e ndoshta në askund. Vetëm një fundjavë e prishur kësisoj, do ta ndikonte rutinën e një njeriu, jo më  90 ditë.

Mesazhi i parë që erdhi sot nga Brukseli ishte qëndrimi në krah të shqiptarëve.

Mesazhi i dytë, ishte dyshimi i shprehur me plot gojën, pa asnjë lloj elegance politike, për transparencën dhe mirëpërdorimin e parave.

Shqipëria u ndihmua në mënyrë të paprecedentë, por qeveria ngjan se u vendos nën akuzë, nga mosbesimi për mënyrën e menaxhimit të parave. Kemi, nga qendrimet për monitorim nga afër të fondeve, e deri tek deklarata amerikane për ngritjen e një akademie, enkas për transparencë. Këto tregojnë se skepticizmi për ndershmërinë dhe integritetin e qeverisë është në majë.

Dhe jo rastësisht. Sapo janë publikuar disa raporte të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare lidhur me korrupsionin në vend. Vendet anëtare të BE e nxjerrin gjithnjë si argument abuzimin me pushtetin. Arsyeja është e thjeshtë. Aferat, PPP-të, klientelizmi, mungesa e garës, rryshfeti, janë stili i qeverisjes së rilindjes.

Mapo.al


Etiketa: ,

Pas