Prestigjiozja “Forbes” ka hequr Kylie Jenner nga lista e miliarderëve dhe ka akuzuar familjen e saj se është munduar të rrisë vlerën e pasurisë së biznesit të saj të kozmetikës.
Forbes tha se familja e prezantoi Kylien si më të pasur nga ç’është në të vërtetë.
Pas kësaj, Kylie ka reaguar në Twitter duke thënë se “artikulli ka deklarata të pavërteta dhe përfundime të pakonfirmuara”.
“Unë nuk kam kërkuar kurrë për ndonjë titull dhe nuk kam gënjyer. Mund të përmend 100 gjëra më të rëndësishme tani sesa të fiksohem se sa para kam”, -shkroi ajo.
Ky reagim i Forbes kundërshton statusin që vetë revista e famshme i dha Kylie-t në 2019-ën, kur e deklaroi një “miliardere të bërë vetë”. Pikërisht ky status shkaktoi reagime të shumta asokohe, kur kritikët u kapën më shumë me faktin që Jenner u quajt “e bërë vetë” (self-made).
Vitin e kaluar, Kylie njoftoi se do t’ia shiste 51% të aksioneve të kompanisë së saj, gjigantit Coty për 600 milionë dollarë.
Më pas, sipas Forbes, informacionet e publikuara nga Coty treguan se “firma e Jenner është më e vogël dhe më pak fitimprurëse nga sa familja mundohet ta shfaqë në media, përfshirë edhe Forbes”.
Sipas informacioneve të Coty-t, firma Kylie Cosmetics ka bërë vetëm 125 milionë dollarë shitje në 2018-ën, ndërsa familja e saj pretendonte të kishte bërë përafërsisht trefishin e shumës së vërtetë.
Kylie nuk është personazhi i parë publik që akuzohet nga Forbes për rritje të të ardhurave, pasi diçka e tillë ka ndodhur edhe me presidentin Donald Trump./ BBC