Këto ditë në qytetin e Tiranës, një burrë i moshuar ka qenë mjaft i shqetësuar për faktin se para dritareve ku ai banon, disa të rinj kanë vendqëndrimin e tyre dhe bisedojnë me fjalë të pista dhe me zë të lartë. Njërit prej tyre, banori i moshuar i është drejtuar drejtpërdrejt dhe i ka kërkuar të mos qëndrojë aty duke folur me zë të lartë e duke përdorur fjalor të pistë sepse familja e tij shqetësohet, nuk ndihet mirë. Reagimi i të riut ka qenë agresiv, madje duke goditur të moshuarin.
Ky i fundit ka shkuar të ankohet tek i ati i tij, por ka hasur në përkrahjen e fortë të të atit për veprimet e të birit. Më pas, nisur dhe nga dhuna fizike e pësuar prej të riut, i moshuari ka bërë kallëzim në polici. Por aty autoritetet kompetente të sigurisë i sugjeruan që të marrë një raport nga mjeku ligjor për plagët e mundshme të marra nga ushtrimi i dhunës dhe pastaj policisë do t’i lindte e drejta të fillonte e të ndërhynte duke marrë në këtë mënyrë në konsideratë pra, kallëzimin. Si përfundim, banori i moshuar, për të eliminuar këtë problem, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të shesë shtëpinë ku banon prej vitesh e të largohet prej atij vendi, diku tjetër.
Mjafton vetëm ky paragraf i mësipërm për të vënë në dukje malin e madh të problemeve të rënda sociale që gjenerojnë sjelljet rrugaçërore, apo incivile, në dukje të vogla, të patrajtuara nga policia dhe që cenojnë aq shumë sigurinë e një qytetari për të jetuar jashtë presionit që ushtrojnë ato mbi qetësinë e tij. Po ashtu, duket pastër se duke mos u mënjanuar, ato sjellin për pasojë të fundit edhe braktisjen e vendbanimit nga ana e viktimës përveçse ushqejnë konflikte me pasoja më të rënda. Rasti i mësipërm i ndodhur konkretisht do të përbënte shembullin teorik më të pastër për të kuptuar dhe shpjeguar fenomenin social “të ndjenjës së pasigurisë” dhe nga ana tjetër, paaftësinë e shtetit për t’i ofruar institucionalisht çdo qytetari të drejtën e tij themelore “për të jetuar i sigurt”.
E parë në terma të psikologjisë sociale, ajo që ka ndodhur më sipër është evidente se fjalori banal, zëri i lartë i të riut nuk përbën gjë tjetër veçse një sjellje jo civile, jo qytetare, të bazuar në normat e bashkëjetesës në komunitet. Kjo sjellje e të riut, e përsëritur ritmikisht në mënyrë të përditshme, pa dyshim ushtron presion, në rastin konkret mbi të drejtën e një të moshuari për të jetuar i sigurt në shtëpinë e tij. Ky moment, pra ai kur i moshuar ndodhet i trysnuar brenda katër mureve të banesës, është më ekstrem sepse në rast se do ta haste këtë dhunë në rrugë, larg banesës së tij, situata do të mbetej diçka që mund të eliminohej duke mos kaluar në atë vend në të cilin sjellja e dhunshme të shqetëson. Por krahasuar me rastin e të moshuarit që këtë dhunë e përjeton brenda mureve të shtëpisë ku presupozohet të jesh më i sigurt se kudo tjetër, ndjenja e tij e pasigurisë është më shqetësuese.
Pra, i moshuari në rastin konkret ndihet viktimë e kësaj sjelljeje të të rinjve. Kjo do të thotë se tashmë kemi dhunë të ushtruar nga sjellja jo civile dhe viktimizim prej saj të dikujt në moshë. Këtë thonë edhe sociologët: dhuna e sjelljeve jocivile me pasojë viktimizimin, godasin së pari, moshat më të mëdha sepse ato nuk ndihen të afta fizikisht t’i kundërpërgjigjen asaj. Kjo, sepse në rast se në atë banesë do të bezdiseshin p.sh. tre vëllezër në moshë të re apo “një i fortë”, me siguri i riu që u konfliktua me të moshuarin, nuk do të bënte shumë numra.
Pastaj vjen momenti tjetër. Viktima e të riut kërkon ta zgjidhë presionin duke biseduar me të atin dhe nuk arrin dot të merret vesh me të. Pra, roli rregullues i familjes mbetet në shkallën zero. Konflikti përshkallëzohet dhe dhuna rritet. Vjen momenti kur zgjidhja kërkohet tek institucionet, pra te Policia. Kjo e fundit nuk sheh mundësi ndërhyrjeje sepse për të gjithçka që ka ndodhur nuk përmban objekt pune për të. Që policia të vihej në lëvizje, duhej që kallëzimi i të moshuarit, të shoqërohej me raport të mjekut ligjor. Pra, shenja dhune në trupin e viktimës dhe jo sjellja rrugaçërore e djalit të ri dhe përplasja fizike pa dëmtime fizike.
Me fjalë të tjera, djali i ri duhej ta kishte rrahur të moshuarin akoma më shumë, sa të bëhej për te mjeku sepse ndryshe policia nuk kishte motiv të ndërhynte. Kjo do të thotë që i gjithë presioni i dhunës që ndjen i moshuari nga këto sjellje që i ushqejnë ndjenjën e tij të pasigurisë, nuk ka gjetur dot zgjidhje në mënyrë institucionale nga organet kompetente siç është në rastin konkret policia. Del qartë se shteti, garantues i sigurisë, nuk i jep dot zgjidhje gjithë presionit, gjithë dhunës që ushtron sjellja rrugaçërore e një të riu karshi një të moshuari në rast se ata nuk i kanë bërë turinjtë përshesh.
Në këto kushte, i moshuari nuk mund të jetojë dot më nën trysninë e këtij presioni. Natyrshëm ai do të kërkojë ta shmangë atë, presioni që ai ushtron Po si? Sepse shteti nuk ndërhyn. Ndaj dhe i moshuari, i braktisur nën forcën e dhunës, për të shpëtuar, ka në plan të largohet nga ajo shtëpi. Ndoshta një viktimë tjetër do të gjente tjetër zgjidhje duke sjellë “një të fortë”, i cili do të vinte rregull. Në gjuhën e sociologëve kur autoriteti i shtetit konkurrohet nga një autoritet tjetër jo institucional, jemi në kushtet e kulturës mafioze. Kurse në rastin më ekstrem, konflikti ndoshta do të përshkallëzohej deri në përdorim të armëve. Por i moshuari nuk i ka këto mundësi dhe nuk ka rrugë tjetër veçse të shesë banesën e të largohet. Pra, kemi të bëjmë me aktin final të një viktime që nuk ndihet e sigurt për shkak të dhunës që ushtron inciviliteti, pra që në fund braktis vendbanimin. Braktisja është finalja kur problemi nuk merr zgjidhje sipas sociologëve.
Konkluzioni mbetet i thjeshtë. Në vendin tonë kemi shfaqje të dhunës në forma të shumta të sjelljes jo civile që shkaktojnë viktima të konsiderueshme nëpërmjet presionit të përditshëm që ushtrojnë mbi shtresat më vulnerabël të shoqërisë siç janë femrat, të moshuarit apo ata modestë ekonomikisht dhe që duke mos gjetur zgjidhje institucionale ose përshkallëzohen duke arritur në dëmtime tepër të rënda, ose shoqërohen me braktisje të vendbanimit nga viktimat. Në shumë vende të botës së përparuar ky shqetësim ka dekada që adresohet dhe po ashtu, ka marrë edhe zgjidhjet e duhura.
Kjo do të ishte një tematikë me të cilën duhej të hulumtojë Akademia e Sigurisë dhe jo tërmetet. Kjo gjë duhet ta shqetësojë më shumë qeverinë sesa përdorimi i policisë masivisht për ndërtimet pa leje. Forcimi i shtetit jo në raport të drejtë me forcimin e sigurisë së individit, e kthen policinë në institucion autoritar.