Qindra veta mbetën të plagosur të hënën në xhaminë e Al-Aksës, në zonën e nderuar si nga bota islamike, edhe nga izraelitët.
Përplasjet në Jerusalem i dhanë shenjat e para në fundjavë, por këtë herë forcat izraelite mësynë më dhunshëm duke nxjerrë me forcë, me gaz lotsjellës dhe me plumba gome besimtarët që luteshin me rastin e Ramazanit.
Nga përleshjet pati të dëmtuar nga të dyja palët, por mbi 300 ishin palestinezë.
“Situata është kjo që duket: nuk po na lënë të hymë në xhami. Janë mbi 200 të plagosur brenda që po kërkojnë ndihmë. Ku është ndërgjegjja, vetëdija ndërkombëtare, humanizmi i botës. Po na lënë të vetëm me këta nazistë”, deklarojnë palestinezët.
Tensionet kthejnë në kujtesë konfliktin arabo-izraelit që përshkallëzoi shekullin e shkuar.
Palestinezët thonë se po provokohen nga Izraeli, por edhe izraelitët pretendojnë se pala tjetër po e vështirëson bashkëjetesën.
Ky acarim mes palëve u vu re gjatë ditës kur një izraelit banor i Jerusalemit drejtoi makinën e tij mes një grupi palestinezësh.
“Dy rrugë që duhej të ruheshin nga policia, ishin përplot me të rinj, vrasës, arabë, që na goditnin me gurë. Mora kthesën dhe teksa po flisja me Policinë se nga do shkoja, na sulmuan“, tha izraeliti.
Vendet myslimane e kanë dënuar sulmin e forcave izraelite në Xhaminë e Al-Aksës dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për të kërkuar qetësimin e situatës.