I ftuar në një bashkëbisedim në Universitetin Europian të Tiranës, nën moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit Belina Budini, Eduard Selami foli mbi fillimet e Partisë Demokratike, zhgënjimin me Berishën, ikjen në SHBA dhe rikthimin në politikën aktive 5 vitet e fundit. Duke kritikuar demokracinë shqiptare që sipas tij ka mbetur në nivelin partiak, ai rrëfeu sesi e sheh PD-në nën drejtimin e Bashës, të cilin e sheh pa të ardhme në politikë dhe sesi e gjithë kasta politike bëhen bashkë në punët e këqija dhe se vërtet nuk e duan Reformën në Drejtësi, e cila vjen nga Perëndimi
I ftuar në një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të Universitetit Europian të Tiranës, nën moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit Belina Budini ishte Eduard Selami, protagonist i rëndësishëm historik për jetën publike pas viteve ‘90 në Shqipëri, një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe kryetar i saj në vitet e para. Selami foli për idealin që e çoi t’iu bashkohej lëvizjeve që sollën ndryshimet në vend që u shënjuan me pluralizmin dhe krijimin e Partisë Demokratike, zhgënjimin me Sali Berishën, i cili sipas tij rrëzoi barkën, rikthimi aktiv pas shumë vitesh, kandidimi për kryetar të partisë, ku ai foli për vjedhje të votave, gjë për të cilën nuk u fol kurrë, por gjithashtu me nota idealiste dhe optimiste pranoi se ka shpresë dhe mundësi për Shqipërinë, një nga të cilat ai sheh Reformën në Drejtësi, e cila ishte një nga arsyet që e shtynë të linte Amerikën dhe të vinte sërish për të dhënë kontributin në vendin e tij. Ai kujtoi për auditorin përvojën e tij prej 30 vitesh në jetën publike, kohën kur ishte pedagog në Universitetin e Tiranës dhe lëvizjet e para për përmbysjen e regjimit dhe pluralizëm që erdhi nga studentët. “Kam qenë dhe unë pjesë e kësaj lëvizje që dalëngadalë u krijua si forcë politike, aty filluan aksionet e mia politike si themelues i PD dhe sekretar i parë i përgjithshëm i PD, ku kryetar i parë ishte Azemi teknikisht dhe formalisht pastaj u bë Saliu”, -kujtoi ai, duke u ndalur në kohën kur ai pati një akt rebelimi. “E pashë që prirja dhe sirenat e pushtetit jo se nuk i kishte Sali Berisha, i kishte, por iu forcuan aq shumë sa filloi të rrezikonte të gjithë varkën dhe në fakt e rrezikoi. Kjo bëri dhe largimin tim, ishte prova ime e parë e forcës së karakterit se ajo që ti beson është më e rëndësishme se ajo që ti ke aty. Jam i vetmi kryetar partie që kam dalë dhe kam folur kur kam qenë kryetar partie dhe jo kur jam larguar. Pra, jam larguar duke dhënë një ide sepse po shikoja se PD dhe Shqipëria po rrëshqiste nga një histori suksesi e admirueshme dhe zoti Berisha nga Havel i Ballkanit i projektuar dhe nga Administrata Amerikane në një histori autokrate që kishte me dhjetëra. Nuk u shpëtua dot”.
Sipas Selamit, me gjithë sukseset që ka pasur Shqipëria, nuk ka pasur modelin e një lideri bashkëkohor demokrat të vënies së interesit të publikut dhe të përgjithshëm për mbi egon dhe interesin e tij personal Mania për protagonizëm, theksoi ai vihet re edhe në krizën politika aktuale që ka kapur PD-në dhe të djathtën shqiptare. “Kjo ka kompromentuar klasën politike shqiptare që me gjithë sukseset është shkaktarja kryesore që udhëtimi i Shqipërisë drejt Europës ka qenë më i gjatë, më i vështirë dhe shumë herë më i ngadaltë se duhej të ishte”.
A ishte idealizmi, që e bëri të rebelohej kur nuk i pa gjërat të shkonin si duhet e që e bëri të largohej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shumë vite, tipari që e pengoi të integrohej edhe më vonë kur vendosi të rikthehej aktivisht në politikën shqiptare, në vitin 2013?
Selami thotë se ajo që e mbajti larg ishte mosdëshira për t’u bërë pjesë e një kapitulli ku politika shihet si përfitim personal dhe masazh egoje.
“Jam optimist nga natyra por zhgënjimi më vjen për ngadalësinë e procesit, zhgënjimi më vjen me partinë time, që është vlerë kombëtare. Është problem kombëtar jo thjesht partiak. Problemin e PD-së nuk e shoh si anëtari devotshëm brenda saj, por e shoh si një njeri me ngarkesë historike kohore dhe me kontribut”.
Ai foli për zhgënjimin që i erdhi nga vjedhja e votave, një ngjarje për të cilën nuk u fol dhe nuk mori shpjegime kurrë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha edhe pse ia premtoi para 10 muajve. “A kam unë të drejtë ta kërkoj këtë?! Kam hyrë në një garë të shkurtër, të shpejtë, dhe nuk e kam bërë gjithçka për të fituar. Po të fitoja unë, duke e lënë mënjanë modestinë, fitorja më e madhe do të ishte e Partisë Demokratike”.
Sipas Selamit, fakti që z. Basha nuk e dënoi vjedhjen e votave, të faktuar me video e bën atë të duket si rrëmbyesi i pushtetit. “Ja, more dhe një listë dhe e nxore nga xhepi, që është turpi i tij. Theu statutin. Edhe Berisha i nënte formalisht. Të mos ketë njeri mendimin se e ngatërroj për demokrat Sali Berishën, autokrat klasi është, por të paktën kishte karizmën. Ky shkon edhe më tej, Ai të paktën ua kishte dhënë një kryesie përpara, ky nuk ishte as origjinali dhe e mbylli këtë punë me turpin e vet. Fatkeqësia është se kështu punojnë demokracitë këtu.
Politikanët shqiptarë janë bashkë në punët e këqija
I ftuar në një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të Universitetit Europian të Tiranës, nën moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit Belina Budini ishte Eduard Selami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe kryetar i saj në vitet e para.
Sipas Selamit, demokracia shqiptare ka mbetur në nivelin partiak, diçka që e vëren jo vetëm në Partinë Demokratike, por në të gjitha partitë kryesore politike.
“Është bërë One Man Show. Si të ngrihet në mëngjes. Nuk pyet as për struktura dhe as për asgjë. Kjo sjell ngadalësim të theksuar të rrugës së suksesit shqiptar, sepse do gabosh. Njerëz të mirë janë, por e dinë se po ngrite zërin ai të fshin nga dheu, njeriu ka familje, ka karrierë. Po çfarë klime u krijua? Ishte klima e konkurrencës së Shqipërisë së hapur? Jo. Këtu ka mbetur fatkeqësisht”. Megjithatë me nota optimiste foli për krijimin e një aleance të re. “Është aleancë mes qytetarit të angazhuar, pedagogut të dedikuar që nuk bën korrupsion, hidraulikut që punon me ndershmëri, pastruesit, fermerit, asaj pjesë të shëndetshme të shoqërisë shqiptare me ndihmën e komuniteteve ndërkombëtare. Por ky është bypass, jo autostrada, sepse ndaj janë zgjedhur në krye politikanë, për të qenë promotorë, por ata zihen me njëri-tjetrin dhe e pengojnë. Këtë po bëjnë edhe këta të mitë. I vetmi deputet që ka ngelur e thotë aty se është mbytur vendi nga droga. Jo, droga aty ka qenë dhe ata më përpara po atë punë kanë bërë, edhe korrupsionin… njësoj janë fatkeqësisht. Notojnë pa uniformë në det. Më e keqja akoma për Shqipërinë është se janë bashkë për punët e këqija dhe kundërshtari kryesor i tyre është Perëndimi. Ajo reformë në Drejtësi për të cilën sakrifikova me dëshirë të madhe dhe e vura veten me dëshirë në stacion është sepse është ua dha Perëndimi, sepse këta nuk e duan”.
Selami tha se pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë duhet të ishte sot para gjykatës duke dhënë llogari. “Për shkelje serioze të ligjit, për abuzime serioze të fondeve publike. Por e kanë prishur rregullin e lojës. Nuk ka pasur gjykatë. Gjykata kanë qenë ata vetë. Por do vijë kjo ditë, jo si hakmarrje, por si shpresë për konkurrencën e vlerave më të mira”.
Kongresi i PD-së, qesharak. Basha, gënjeshtar serial
I pyetur se ç’pritet të ndodhë gjatë Kongresit të PD-së, Selami tha se ky kongres i kuvendit ishte i shumëpritur. “Kuvendet janë mbledhjet e mëdha ku çdo katër vjet paritë- si në Perëndim- kur merren vendimet kryesore politike dhe zgjidhen të gjitha organet drejtuese për një afat katër vjeçar. Kur u bënë zgjedhjet e fundit, kërkohet të bëhet një analizë edhe m’u duk racionale dhe kur u futa në garë mendova se mund t’ia ktheja mendjen z. Basha sepse mendova se interesi i tij është të dalë sa më i fortë. Je kryetar, të mos jesh vetëm i një pjese, por ta zgjerosh. Po nuk fitove besimin brenda forcës tënde politike si do e fitosh besimin e një shumice më të madhe të shqiptarëve?!. E humba atë betejë, por më premtoi se do të bëhej menjëherë analiza më pas. Nuk u bë, kanë kaluar 10 muaj. Dhe ky këshilli kombëtar, organi më i lartë vendimmarrës sa u bë, merr vendime politike, asnjë vendim politik nuk u mor, unë as formalisht nuk isha”. Selami tha se mosmbledhja e Këshillit Kombëtar është shkelje e rëndë e statutit që e parashikon dy herë në vit, ndërsa kanë kaluar pesë vjet, tha ai, që nuk është mbledhur.
“Këshilli duhet të vendoste sipas rregullave kush do të ishte në listë. Lisën e nxori nga xhepi dhe humbi dhe ky kuvend që vjen fatkeqësisht nuk do të zgjedhë Këshillin kombëtar që e ka të detyruar. Nuk e ka fare në statut”.
Selami kujtoi bisedat që ka bërë me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën për të shtuar një nen në statut. “ I thashë: “Kjo histori me ty nuk merr fund; humbe njëherë, humbe dy herë, shfrytëzon faktin se je 45 vjeç dhe deri 60 vjeç të të vijë njëherë radha?! Kjo është konkurrenca që i ofron shoqërisë shqiptare, së djathtës së PD-së?! Neni që propozova është ky: Nëse PD si forcë kryesore dhe e parë nuk del parti e parë në zgjedhje, kryetari jep dorëheqjen, pikë. Kush të jetë! Nuk ka emër. Pikërisht për shqetësimin kryesor; për ta ndërruar marshin pak më lart, për ta ndryshuar korsinë në pak më të shpejtë. Ky kuvend është fare formal, fare qesharak, jam këtu e do të shkoj formalisht por nuk kam qejf. Nuk di pse jam. Është një fyerje ekstreme, që për mua është jashtëzakonisht e vështirë dhe jashtëzakonisht zhgënjyese”.
Sipas Eduard Selamit, Basha e ka futur Partinë Demokratike në një rreth vicioz, të pafrytshëm e pa rrugëdalje. “Një përplasje e panevojshme , një gjendje e “luftës civile” brenda PD. A e kanë tepruar kritikët? Po, edhe unë mbase. Por, ky ka kapërcyer çdo lloj parashikimi. Ma ka thënë privatisht, do të bëj analizë. Nuk bëri asgjë, e ka shkrirë gjithçka. Nuk di çfarë halli ka duhet të ketë! Duket të jetë njeri jashtëzakonisht i shqetësuar, Ta ndajë! Është person publik, nuk di ku do e nxjerrë”.
Selami hodhi dyshime mbi të ardhmen politike të z. Basha. “Nuk shoh asnjë të ardhme për të, absolutisht nuk ka asnjë të ardhme. Për të mos thënë që edhe kredencialet si Kryetar Bashkie i pati shumë të ulëta. Ka dy humbje të regjistruara njëra pas tjetrës, njëra më e madhja në të gjithë historinë e PD-së , duke i marrë të gjitha në krah. Kritikët më thanë: “i hodhe kamerdaren e shpëtimit”, unë ia hodha partisë sime për ta kthyer në mjedis diskutimi si do ta dalim nga kjo punë e nuk e dija se do thoshte: “dakord, e mora, i pa edhe ata duke vjedhur i mbylli të gjitha dhe pret tani, Kaq qesharake është bërë”.
Në parashikimet e tij, me platformën aktuale situata e PD-së duket edhe më keq. “Do të
jetë humbje për PD-ën, humbje për të Djathtën shqiptare dhe për Shqipërinë”.
Duke u ndalur te keqqeverisja një pjesë të fajit ia vuri mungesës së opozitës. “Këta shijnë. Ua vë Kukësit taksën e rrugës 5 euro. Po 5 dollarë është në Manhatan dhe po ta bësh brenda ditës ke edhe ulje. Në Manhatan që është qendra e parasë botërore. Vetëm kaq të duhet për të kuptuar se kryeministri nuk ia ka haberin si qeveriset. Ku do shkojnë këta njerëz? Rrugë alternative nuk ke. Por nuk ka opozitë”.
Megjithëse situata në vend duket e padurueshme dhe njerëzit mezi presin të largohen. Selami tha se e ardhmja dhe mundësitë në vend janë të mëdha, por problemi mbetet te qeverisja dhe politika. “Ndaj them ky kuvend është fare formal, fake meqë është fjalë në modë
dhe nuk ia vlen karburanti i atyre që do të vijnë për të aprovuar një statut që nuk thotë asgjë, sepse të vetmen anë politike e statutit që, nëse kush i humbet zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen, nuk e ka vënë”.
Ai foli edhe për një pikë tjetër të statutit që e kufizon mandatin në dy vjet, me të cilën Basha nuk ishte dakord, por as vetë z. Selami nuk e mbështet. “Nuk jam për kufizim, sepse janë parti elektorale. Lëre elektoratin të të ndërpresë. Por ka edhe një kod kur nuk ke mundësi të fitojë jep dorëheqjen, por ky nuk e bën këtë”.
I pyetur gjithashtu nga auditori nëse ndihet fajtor që mori pjesë në zgjedhjet për kryetar, duke u krahasuar nga kritika si Maqo Lakrori, rivali i z. Rama në zgjedhjet brenda PS-së, Selami tha se tani i sheh me realizëm kritikët dhe alarmin e tyre. “Por edhe nëse do të dija atëherë sa di tani do të isha prapë për garën, sepse garën nuk e kam parë vetëm kush fiton por edhe për shpalosje platforme, për t’u përmirësuar dhe dhënë”.
Selami tha se zhgënjimin e mori pas garës, ku nuk u mbajt asnjë qëndrim ndaj vjedhjeve, të cilat ishin të faktuara me video. “Nuk ka marrë qëndrim ndaj tyre. Ose thuaj të paktën që videoja është e paprovuar dhe specialistët e nxorën fake. Por nuk ke dhënë asnjë përgjigje. Premtove publikisht analizë”.
Selami nuk i kurseu akuzat ndaj Bashës duke e quajtur gënjeshtar. “Është gënjeshtar serial, me G të madhe, skam fjalë tjetër, është publike. Kredencialet e tij morale janë të vogla, aftësitë e tij politike dhe intelektuale janë tejet të kufizuara. Prandaj ka këtë qëndrim me çdo kusht për ta mbajtur dhe s’ka për ta mbajtur gjatë”.
Për ata që kërkojnë një rikthim të z. Berisha në lidershipin e PD-së, Selami e quajti ciklin e tij të mbyllur. “Këta që kërkojnë kthimin e tij nuk i bëjnë nder as atij vetë. Është periudhë e kapërcyer. Rikrijimi dhe riformimi mbi vlerat demokratike është betejë e pamundur, por s’ka rrugë tjetër”. Selami tha se ka qenë i detyruar nga rrethanat të thyejë rregullin e tij për të mos i nxjerrë problemet e “shtëpisë” në publik. “Por nuk kam rrugë tjetër, sepse kanë marrë dhenë. Dy humbje rresht, lënia bosh e së Djathtës shqiptare politikisht, ideologjikisht dhe strukturalisht. Opozita e mekur dhe e fikur e ka lënë fushën bosh, keqqeverisje dhe arrogancë dhe çon ngadalësim i zhvillimit të Shqipërisë”.
Selami si Blushi? A ka një alternativë konkrete narrativa e tij?
Selami: e quaj veten viktimë të dobishme
I krahasuar nga të pranishmit në auditor me rastin e Ben Blushit dhe kritikës që ai i bëri Partisë Socialiste para se të largohej, z. Selami u pyet nëse veç kritikave ofronte edhe alternativa konkrete për qytetarët shqiptarë.
I shoqëruar nga idealizmi dhe pesimizmi me nuanca të lehta, Selami tha se PD ditët e mira i ka përpara. E tija nuk është vetëm kritikë apo narrativë, por ai thotë se e ka paraqitur platformën etj.
“Para 10 muajsh sapo prezantova brenda PD dhe në publik një platformë reale si duhet ringritur PD dhe e djathta, por nuk u miratua, nuk u mbështet. Nuk mendoj që realitetin që pasqyroj, qoftë edhe z. Blushi për të cilin kam respekt dhe ka dhënë kontribut, janë gjëra që duhen parë o i merr të gjitha o asgjë, progresi social është shumë herë më i komplikuar.
Kontributi jepet edhe duke i pasqyruar dhe ato ide janë marrë edhe nga kundërshtarët dhe faleminderit edhe po t’i marrin të gjitha. Në këta 30 vjet më ka vendosur jeta pothuajse duke shkuar deri atje, por nuk kam arritur ishte sepse i kam dhënë më shumë gaz seç duhet. Nuk kam dashur të pres”. Ai kujtoi një batutë të mikut të tij të vjetër, ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri, Rajersonit. “Më tha: “E pësove si ata gjeneralët e këqij që ishe dy hapa përpara dhe të vranë ushtarët e tu”. Dhe ky është rrezik dhe vjen edhe nga dëshira intelektuale, prapë e quaj veten një viktimë të dobishme sepse shtron rrugën, nuk dua pranoj status quo-në. Ato çka kam kërkuar në ‘96 shumica janë bërë sot, por nuk jam i kënaqur sot, ato që kërkoj sot është dëshira për të vazhduar, për të qenë pjesë suksesit, e së resë. Masa duhet ruajtur. Sot jam më kritik seç duhet për shkak të rrethanave”.
Selami tha se Partia Demokratike duhet t’iu kthehet parimeve bazë të një force të hapur ku pranohet mendimi ndrysh. “T’iu kthehet gjërave që i ka braktisur, të largohet nga mënyra autoritar e një njeriu që i merr të gjitha vendimet dhe vendosjes së gjithçkaje”.
Selami tha se do të vazhdojë të japë kontributin e tij dhe se për momentin nuk është i mendimit për një forcë të re politike. “Me kënaqësi do të bëhesha pjesë e çdo ndryshimi që do e vendoste Shqipërinë në korsinë e shpejtë të ndryshimit për të ardhmen tonë të përbashkët”.
O selami, po nuk behest Stan me lepuj kur atje ka derra.po ik atje Ku ishe se PD nuk egziston, ose nuk do te egzistoje.