Talenti është ai zëri i brendshëm, që thotë “Më nxirr! Tregojua njerëzve atë që di të bësh!”
Kështu ua përshkroi aktori Florian Binaj, thirrjen e brendshme që e çoi drejt artit skenik, studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, në një bashkëbisedim me ta.
Binaj, i cili është gjithashtu imazhi i ri i UET, tha se në “Portokalli” e çoi ngulmimi i shokëve, të cilët gajaseshin me imitimet e tij. “Me mendjen time nuk do të shkoja, sepse e shihja veten në disavantazh; shumica vinin nga aktrimi, ndërsa unë isha nxënës në vitin e katërt të liceut për Pikturë”.
Ai rrëfeu se e shihnin si të përkohshëm dhe madje hasi edhe në pengesa, ku askush nuk shfaqi dëshirën për ta mësuar . “Por thashë: Ju nuk ma mësoni, unë do ta vjedh! Nisa të vëzhgoj me kujdes si e lexonin tekstin, si rrini nën skenë, si komunikonin me publikun dhe prezantuesin, si menaxhonin emocionalisht sallën e mbushur me afro katërqind vetë, të cilët nuk duhet t’i zhgënjesh gjatë numrit tënd. Besoj se, vullneti dhe durimi i kalitur i pikturës, më bëri të aftë të përshtatem”, rrëfeu aktori.
Ai gjithashtu tha se po përpiqej të organizonte ekspozitën e tij të re vetjake, ndërsa shtoi se ky dimension është më pak i njohur duke pasur edhe kohë më të paktë për t’iu dedikuar.
Duke kujtuar fillesat në skenën e spektaklit të humorit, ai foli rreth ndikimit që kanë emocionet. “Në fillim të kapin e të mposhtin, pastaj ka raste që i mposht. Herën e parë që kam dalë në skenë, kur më thirri Goni e tha: Dhe tani, ftoj në skenë Edi Raaamën!”, pata një goditje sikur më ranë me grusht. As zërin tim nuk e dëgjoja. Kjo ngaqë edhe nuk u kujdes shumë njeri për mua, të më mësonte në fillim. Edhe kur dola në skenë, pata një tjetër goditje në zemër”.
Ai zbuloi edhe arsyen pse mbante syze dielli, kur dilte në skenë si personazhi Edi Rama. “Ishte një periudhë që mbaja syze dielli tek roli, se e errësonte pak publikun dhe nuk më mposhte shikimi njerëzve. Dhe nga 2005 fillova ta menaxhoj më kollaj. Edhe pritja e njerëzve ndryshoi, sepse kishin krijuar një afrimitet dhe pëlqyeshmëri. Ishte më e kollajtë kur përmendej emri i personazhit dhe kishte duartrokitje”. Personazhet e interpretuara në “Portokalli”, ku shumica prej tyre ishte krijuar nga vetë Binaj, i cili po ashtu i shkruante vetë skeçet, i cilëson si fëmijët e tij.
Aktori renditi disa njerëz që e kanë mbështetur në karrierën e tij, në skenë, ndër ta edhe aktori i humorit dhe moderatori, Agron Llakaj, “…që në një farë mënyre shihte veten tek unë, sepse hyri në botën e televizionit pa pasur shkollimin e duhur”. Mbështetje gjeti edhe tek familja, e cila qe më e lumtur me zgjedhjen e “Portokalli”-së, sesa largimin drejt Italisë për të studiuar Pikturë. Mes mbështetësve të mëdhenj, ai tha se qëndronte bashkëshortja dhe rrethi shoqëror “që më bindën se dhuntia që kisha për të imituar, ia vlejti.”
Ai i inkurajoi të rinjtë që t’i ushtrojnë dhuntitë apo aftësitë e ndryshme. “Mos i lini pas dore, sepse veniten”, iu tha Binaj studentëve.
Ai foli edhe për vështirësitë që sjell një jetë e dedikuar artit. “Sa iu përket disfatave, për çdo sukses që shihet në televizor, ka dhjetëra disfata që nuk shihen. Sa më i madh suksesi, aq shumë përpjekje, stres, pagjumë, aritmi, ilaçe kundrash ankthit: jo në rastin tim, por në art është e vështirë t’i bësh njerëzit për të qeshur. O i bën, o nuk i bën! Kjo të gërryen dita-ditës dhe ajo gërryerje, të çon edhe më thellë për të gjetur minerale e për t’ia treguar publikut, që të mahnitet”.
I pyetur nga studentët e Arteve Skenike, se cilin do të zgjidhte mes teatrit, filmit dhe politikës, aktori u përgjigj: “Teatrin dhe filmin, por që fatkeqësisht varen nga politika….” Ai shtoi se magjia e kinemasë dhe e teatrit, është ende e gjallë në shekullin XXI dhe e pazëvendësueshme nga politika “që nuk e jep asnjë fushë e politikës dhe ai ushqim shpirtëror që mund të marrësh nga teatri dhe kinematografia, është i jashtëzakonshëm”.
Aktori zbuloi disa nga projektet që parashikon për të ardhmen. Ai i ftoi të rinjtë të ndjekin në Teatrin Eksperimental, komedinë “Komshinjtë”, realizuar prej tij, nga data 16 qershor. Po ashtu lajmëroi një shfaqje stand-up në vjeshtë, ndërsa u premtoi studentëve se personazhet e dashura të “Portokalli”-së do t’i risjellë së shpejti për audiencat.
“Dëshira ime më e madhe, është t’i hyj kinematografisë”, zbuloi më tej ambiciet profesionale aktori. Binaj tha se ka shkruar skenarin e një tragjikomedie, një ngjarje e jetuar e gjyshes së tij e po ashtu ka shkruar edhe një komedi.
“Dua të jap kontributin tim me aq sa dhunti, mundësi dhe kohë kam që të bëjmë disa filma, të disa epokave. Kemi parë filmat gjatë komunizmit dhe e kemi lënë me kaq atë periudhë, por ka boshllëqe pafund: histori njerëzore të pa treguara. Nëse pyesni gjyshërit -lum kush i ka-, ka histori të luftës që do t’i ëndërronin edhe regjisorët e Hollivudit. Pastaj, periudha post-diktaturë, ajo e viteve 2000…, që duhen jetësuar, që edhe brezat e rinj të kuptojnë çfarë ka ndodhur”, tha më tej ai.
Binaj tha se po punonte edhe për një film të animuar, me skenar të tij, që sipas aktorit do të jetë mjet i mirë edukativ për fëmijët.
“ jemi në fazën që po kërkojmë fondet, për të pagur disa grafistë që të punojnë tetë orë në ditë, vetëm për këtë film”.
Për të rinjtë, që dëshirojnë të ndjekin një karrierë në aktrim, Florian Binaj iu tha se sekreti i vetëm është puna e palodhur. “Shpeshherë kam arritur në vetëmohim, të mos angazhohem shumë me familjen, shoqërinë, të mos dal darkave, duke copëzuar pushimet verore… Është vetëm puna që shpërblen dhe puna nuk di të gënjejë, në çdo fushë të artit: pikturë, skulpturë, aktor, këngëtar …është puna në fund që tregon sa ke bërë”.
Ai kujtoi kohët e shkuara në Top Albania Radio dhe në “Portokalli”, nga e cila u shkëput disa vjet më parë , ndërsa u angazhua më vonë me shoqërinë civile duke u shfaqur në disa protesta qytetare dhe si moderator i një programi investigativ si “Piranjat. I pyetur nga studentët rreth zërave që qarkullonin se në spektaklin e humorit, në Top Channel ka pasur edhe përpjekje për të sabotuar disa aktorë, Binaj e pohoi. “Përpjekje për të sabotuar, ka pasur, nga ata aktorë që ndiheshin të cenuar, ata që kishin rënë rehat me një personazh…e vetmja gjë që të shpëton është puna individual dhe studimi me orë të tëra”, tha ai.
Aktori ndau edhe disa këshilla me brezin e ri, duke iu thënë: “Mos shkoni pas gjërave të kollajta! Nuk ju çojnë larg. Ju hedhin një hap, por ata që kanë punuar, do t’ju parakalojnë. Mos harxhoni kohë kot”, shtoi më tej ai, duke i inkurjauar se kjo është koha më e mirë që ata të mësojnë informacion dhe aftësi të reja, që do iu shërbejë në të ardhmen.
Në një bashkëpunim trevjeçar që aktori i mirënjohur i humorit ka me UET, ai nuk është vetëm imazhi publicitar i universitetit, por do të shpalosë në mjediset universitare dijet e tij, në arte si piktura apo edhe arkitektura- që është formimi i dytë i tij- aktrimi, por edhe pasione të tjera që lidhen me fotografinë e florës dhe faunës, si edhe aktivizmin në kauza të ndryshme mjedisore dhe sociale. Binaj do të jetë i ftuar vazhdimisht në UET, në leksione të hapura, por edhe veprimtari të tjera.