Detaje të tjera që dalin në dritë nga vrasja e 20-vjeçares në Glyka Nera vazhdojnë të trondisin Greqinë. Oficerët e policisë që hynë në banesë e viktimës mëngjesin e së martës, njoftuan se gjetën të pajetë trupin e lidhur të Caroline-s, ndërsa mbi të ishte foshnja 11-muajshe e cila po godiste nënë e saj me duar duke u përpjekur ta zgjonte.
Në një intervistë të dhënë për media greke, kreu i Shoqatës së Oficerëve të Policisë të Atikës Juglindore, George Kalliakmanis, tha se burrit të Carolines grabitësit i kishin lidhur duart, gojën dhe sytë me shirit izolues. Sipas shefit të policisë 32-vjeçari vuante nga hipoksemia dhe humbi përkohësisht ndjenjat.
Pistat e hetimit dhe bllokimi i pikave kufitare
Sipas disa të dhënave të bëra publike nga media greke “Tanea.gr” rreth 300 anëtarë të disa bandave të ndryshme, të cilët kryenin grabitjet nëpër shtëpitë e qytetarëve janë liruar nga burgu në periudhën 2019-2021 pasi kanë përfituar nga amnistitë e mëparshme.
Disa prej tyre përveç grabitjes, akuzoheshin edhe për dhunë ndaj banorëve apo abuzimi të grave.
Akti i paprecedent kriminal erdhi si një befasi edhe për oficerët e policisë, të cilët shprehin frikën se mund të jetë fillimi i një cikli të ri sulmesh ekstreme.
Në të njëjtën kohë, drejtues më të lartë të policisë kanë urdhëruar kontrolle intensive ndërkufitare në mënyrë që të ndalojnë autorët të ikin jashtë vendit.
Gjithashtu policia është duke hetuar nëse sulmi ka të bëjë me një blerje të fundit të një trualli prej 100,000 euro dhe që çifti do të niste punimet. Ndërkohë polica ka vënë një shpërblim prej 300 mijë euro për kapjen e autorëve.
Policia do të përdorë rezultatet e laboratorëve kriminalistikë për të gjetur gjurmët e ADN-së dhe gjurmëve të gishtërinjve të lëna pas nga kriminelët. Edhe rrobat e veshura nga dy viktimat janë dërguar për analiza.
Si ndodhi vrasja e 20-vjeçare
Sipas informacioneve, njëri nga tre autorët e grabitjes e mbylli gojën e vajzës 20-vjeçare, nënë e një foshnje, me copa lecke. Në të njëjtën kohë, me gishtin e madh dhe gishtin tregues, grabitësi mbylli hundën derisa ajo humbi ndjenjat.
Fytyra e Caroline kishte shenja të zbehta dhune.
Sa ishte shuma me para që morën hajdutët nga familja greke
Policia vlerëson se pasi 3 autorët e krimit me kapuç varën qenin e familjes në kangjella, ata hynë në shtëpi në mes të dritares në bodrumin e shtëpisë dhe prej andej filloi makthi për çiftin.
Burri, një 32-vjeçar, pilot helikopteri, tha se kriminelët e pamëshirshëm e kërcënonin se do të vrisnin vajzën e tij 11-muajshe.
“Unë u thashë atyre se i kisha fshehur paratë, në mënyrë që të largoheshin dhe të mbroja familjen. Dëgjova gruan time që ulërinte vazhdimisht për ndihmë. Ne bërtisnim që të mos lëndoheshim. Foshnja po qante, gruaja ime po qante dhe dikush nga hajdutët po kërkonte nëpër shtëpi për të gjetur më shumë para dhe bizhuteri. Papritmas ata u larguan nga dhoma dhe unë nuk po dëgjoja më zërin e gruas sime”- tha burri.
Sipas dëshmisë së burrit 32-vjeçar, të tre burrat me kapuç qëndruan në shtëpi për një orë, duke e shantazhuar për t’i thënë se ku i kishte fshehur paratë dhe bizhuteri, megjithëse nga momenti i parë, pa rezistuar, ai kishte zbuluar kutinë me 10,000 euro.
Policia ka në dispozicion një video, në të cilën është regjistruar imazhi i bashkëpunëtorit të katërt. Ishte ora 5:30 e mëngjesit dhe kamera ka kapur një nga autorët jashtë shtëpisë. Ky material do t’u vijë në ndihmë autoriteteve policore për zbardhjen e ngjarjes.
LEXO EDHE:
“U përgjëruam, grabitësi e mbyti”, rrëqeth burri i të resë që u vra në Greqi