Op Ed

Foshnja ka lindur gati-gati e vdekur





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:05 - 27/04/19 |
Nga Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla


Një pyetje e tillë është e rëndësishme të kuptohet në të gjithë shtrirjen dhe thellësinë e vet, e jo thjesht në realitetin e këtyre ditëve të fundit kur sapo është krijuar një parti e re, me sfond nga radhët e demokratëve. A është e nevojshme të kemi një mendësi të re politike, një mënyrë organizimi dhe veprimi të ri të opozitës, kjo është çështja themelore?. E kur flasim për opozitë, nuk duhet ta ngushtojmë konceptin vetëm në opozitën e sotme, por sidomos për opozitën e ardhme, cilado qoftë ajo. Në parim, përgjigjja e kësaj pyetjeje është po, në kuptimin që situata në të cilën gjendet sot Shqipëria është aq e rëndë dhe aq konfliktuale, sa mund të themi se gjendemi padyshim në kufirin midis regjimit dhe demokracisë, madje edhe në pragun ndarës midis së mirës dhe së keqes.


Në këtë udhëkryq, zgjidhja nuk mund të vijë thjesht duke luftuar për zgjedhje të lira e të ndershme, por duke krijuar një ambient të ri, parësisht brenda partive politike, paskëtaj krijimit të një mekanizmi të ri të zgjedhjes së përfaqësuesve partiakë në postet politikë, bashkiakë, institucionalë e kështu me radhë. Më tej, do të nevojitej një sistem i ri i dhënies llogari të shtetit dhe politikës përpara zgjedhësve, e së fundi nëpërmjet gërshetimit me reformën në drejtësi, edhe të një sistemi që të prodhojë antikorpet e mjaftueshme që as edhe një pushtet i ardhshëm të mos kthehet në një regjim apo ta shpërdorojë në mënyrë flagrante dhe të papërgjegjshme besimin e votës së dhënë. Pra, që kjo krizë e thellë të kthehet në një kthesë vendimtare për largimin njëherë e mirë të Shqipërisë nga periudha e tranzicionit, ne kemi padyshim nevojë për një mendësi të re politike, të shoqëruar me një ndryshim rrënjësor të qasjes civile e shoqërore ndaj kësaj politike të re.


Nëse do të ecim me platforma dhe veprime konkrete kah këtyre qëllimeve, atëherë mund të themi se jemi në binarët e mendësisë politike që i nevojitet stadit në të cilin ka arritur gjendja e sotme. Nëse jo, nuk do të dalim dot kurrë nga ai qerthull i mendësisë së vjetër të politikës që duhet lënë mënjanë e duhet i mendësisë së vjetër të politikës që duhet lënë mënjanë e duhet çrrënjosur patjetër. Rruga dhe mjetet që zgjidhen për të arritur kah këtij qëllimi, përkojnë thelbësisht me përgjigjen që i jepet pyetjes së shtruar që në fillim. Janë pikërisht ato që mund të ndajnë qëndrimet e sotme politike. Kemi vërtet nevojë për një mënyrë të re të politikës dhe të gjithë sistemit shtetëror dhe institucional që ajo krijon rreth vetes, por jo detyrimisht për parti të reja që nuk i përgjigjen kësaj fryme, pasi në të kundërt ato do të silleshin si vurkollakë të frymës së vjetër në të ardhmen e re që duam të ndërtojmë.


Nga ana tjetër, qëllimi i mendësisë se re politike, nuk mund të mbështetet përjashtimisht në krijesa të reja politike, pasi kjo nuk mund t’i hiqet si e drejtë vetëkorrigjuese dhe vetëgjeneruese partive tona të mëdha ekzistuese, të majta e të djathta. Në rastin e opozitës së sotme, kjo detyrë e vetëndryshimit si domosdoshmëri historike i takon koalicionit të djathtë, por në kuptimin e përgjithshëm të sistemit, ky ndryshim duhet të përfshijë edhe vetë të majtën në pushtet. Ndaj, ngjan paradoksale krijimi i një partie të re në radhët e së djathtës, të përfshirë prej kaq kohësh në luftë frontale ndaj sistemit, e që si rrjedhim të natyrshëm të kësaj lufte ka kohezionin dhe kanalizimin e të gjitha energjive kah qëndresës, jo ndaj mënyrave të ndryshme të organizimit të kësaj qëndrese, në parlament apo jo, në zgjedhje apo jo.

Diçka e tillë, sot, ngjan me një luks, me diçka kundërproduktive, për të mos kaluar në terma të tillë si tradhti apo dorë ndihme ndaj qeverisë. Përkundrazi, një realitet i tillë ku ndahen qëndrimet dhe parimet e reagimit ndaj aktit të pashembullt të opozitës dhe koalicionit të saj për të mos hyrë në zgjedhje i takon terrenit të majtë. Disa herë është diskutuar për zëra të ndryshëm, për zëra rebelë e kështu me radhë, por si duket pushteti duket se i bashkon të gjithë në një mendje, edhe pse jo në një zemër. Atëherë, nëse ndodh kështu nga e majta, natyrshëm shtrohet pyetja: cilën zemër demokrate mund të ngrejë sot peshë krijimi i një partie të re? Nuk mund të themi se të gjithë janë të kënaqur me drejtimin e sotëm të opozitës, por është gabim strategjik të dobësojmë radhët e qëndresës qoftë edhe me një njeri të vetëm, të hutojmë, konfuzojmë apo ta nxisim të dalë nga radhët qoftë edhe një grup sado të vogël. Koha kërkon bashkim, qëndresë të pashembullt, pasi e tillë është gjendja ku gjendemi. Me mendje mund të kemi të gjithë dyshimet tona, kritikat tona për gjithçka thamë më lart, por një parti që krijohet sa për të hyrë në zgjedhje, si mundet vallë të jetë e përgatitur për to? S’ta rrok dot as zemra as arsyeja një përgjigje të tillë ndaj krizës që ajo pretendon të japë.

Nëse do të donte ta shpëtonte PD-në nga asgjësimi, siç thotë Astrit Patozi , duke mos i dhuruar qeverisë një minierë ari, të tilla si zgjedhjet lokale, duhet të kujtojmë se në shumicën e rasteve regjimet bien nga pesha e degradimit dhe korruptimit të vet. Pushteti qendror dhe lokal bashkë, i dalë nga zgjedhjet pa opozitën, është shtrati më i mirë ku regjimi do të sëmuret e të dergjet deri në vdekje, ndaj një pretendim i tillë është krejtësisht demagogjik. Nga ana tjetër, nëse grupi i saj themelues do të kish më parë një jetë të tij me shpalosje alternativash, reformash, ekip përfaqësues, atëherë padyshim që shumë dyshime do të davariteshin, por kjo brofje e çuditshme në podium, në një kohë kur jemi në kohën e gazit lotsjellës dhe demonstratave të shpeshta, të jep një shije të hidhur. Nuk është tregues as i një maturie, as i një projekti politik, e jo më i një mendësie të re, për të cilën kemi aq shumë nevojë. Koha do ta tregojë, por duket që foshnja ka lindur gati-gati e vdekur.


Etiketa: , , ,

Pas