Gazetari i rrjetit televiziv britanik BBC, Danny Barker, është pushuar nga puna pasi e krahasoi foshnjen e porsalindur mbretërore me një majmun. Pasi postoi në rrjetin social “Twitter” foton e parë të çiftit mbretëror pas lindjes së Archie Harrison, duke e zëvendësuar këtë të fundit me një majmun, duket se BBC Radio 5 e ka pushuar puna. Lajmi është bërë i ditur nga vetë gazetari. Fillimisht ai kërkoi falje, duke e konsideruar shakanë e tij si një gabim tepër të madh. Por më tej, nuk ngurroi ta kritikonte ashpër BBC-në për vendimin e nxituar.
Nga ana tjetër, BBC bëri të ditur përgjatë një deklarate në faqen e tyre se Barker shkoi me shakanë e tij kundër vlerave të gjigantit britanik.“Ky ishte një gabim serioz i gjykimit dhe shkon kundër vlerave që ne kemi si stacion dhe që dëshirojmë të mishërojmë. Danny është një transmetues i shkëlqyer, por nuk do të jetë më me ne”– u shpreh BBC.
Kujtojmë se Meghan Markle dhe Princ Harry u bënë prindër të Archie Harrison më 6 maj. Archie është futur në historinë e monarkisë britanike si i pari me gjak afro-amerikan.