Arbër Çekaj ka dalë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për rivlerësimin e masës së sigurisë. Gjykata vendosi ta lërë në “arrest me burg”.
Sot në seancë Çekaj ka qeshur me ironi gjatë gjithë kohës që lexoheshin akuzat e rënda ndaj tij.
Sakaq, avokati i tij Maks Haxhia ka kërkuar revokim të masës, dhe ndryshimin e saj në një masë më të butë. Sipas avokatit Haxhia, klienti i tij është pronar i bananeve dhe jo i drogës. “Pronari i kontenierit ka qenë tjetër person dhe ai duhet hetuar. Arbër Çekaj nuk ka lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë avokati.
Çekaj është pronari i kompani “Arbri Garden”, në kontenierin e të cilit u gjetën plot 613 kg kokainë në shkurt të 2018-ës. Një javë para se të kapej sasia më e madhe e drogës në Shqipëri, Çekaj ishte larguar nga Shqipëria. Ai u arrestua në Gjermani dhe u mbajt nga autoritetet gjermane për 1 vit. Ai u ekstradua para ditësh në Shqipëri ku do të përballet me akuzat e rënda për trafik ndërkombëtar droge, grup kriminal, etj.