Në Kosovë u zhvillua sot ceremonia e 11-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në seancën solemne dhe në parakalimin e trupave të FSK-së në shesh mori pjesë dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ceremonia përkon me një situatë të tensionuar politike, ku liderët janë vënë ballë për ballë për taksën e Serbisë.
E në këtë konteks mediat kanë vëzhguar çdo lëvizje të Ramës, Haradinajt apo Thaçit.
Në pamjet e transmetuara “live” në TV duket qartë momenti kur Rama del nga rreshti për të takuar Rifat Jasharin dhe Ramush Haradinaj, por ndërsa Jashari ndalet e takon Ramën, Haradinaj zë vendin e tij pa u ndalur të takojë Ramën.
Nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës Haradinaj donte ta injoronte publikisht Kryeministrin e Shqipërisë, apo kjo ishte thjesht një pakujdesi nga ana e tij. Ose mbase Haradinaj nuk e ka vlerësuar këtë moment, pasi mund të ketë patur rastin ta takojë Ramën gjatë seancës në Kuvend.
Ajo që dihet është se marrëdhënia e tyre sëfundmi është acaruar. Duke qenë se Rama është përfshirë në çështjet e Kosovës, Haradinaj disa ditë më parë i ka bërë thirrje të mos merret me çështjet e brendshme të Kosovës. Nga ana tjetër duket se Rama ka aleat kryesor Presidentin Thaçi. Në media është shkruar shpesh për lidhjen e tyre dhe projektin e përbashkët për të ndryshuar kufijtë e Kosovës, për të cilën Haradinaj është kategorikisht kundër.
/Mapo.al