Gjashtë ish-deputetë të PD-së, janë nën hetim pasi kanë hyrë me dhunë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pasditen e 16 shkurtit, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar.
Një ditë pasi policia njoftoi zyrtarisht se kanë nisur hetimet, ish-deputetët dolën në një konference në selinë e PD-së për të sqaruar pozicionin e tyre në këtë ngjarje.
Alibeaj tha se Policia na pengoi në të drejtën tonë kushtetutuese dhe ligjore për të marrë informacion.
“Interesi ynë ishte për të marrë informacion për protestuesit e arrestuar e të dhunuar në menyre te kundraligjshme. Drejtori i Pergjithshem, N/drejtori i përgjithshem, prokurori i ceshtjes ishin te impenjuar jo me detyrat e tyre, por te mbytur nga avujt e alkoolit. Në zyrat e shtetit u vumë perballe agresionit te disa funksionareve te lartë të policise të dehur nga alkooli. Pamjet tregojne se Drejtori i Pergjithshem i Policise agreson deputetin Strazimiri për t’i marre telefonin me te cilin po filmonte. Nendrejtori i policisë vendos dorën në brez per te nxjerre armen”, tha Alibeaj teksa publikoi edhe foto nga kjo përplasje në zyrën e drejtorit të policisë së Tiranës në shkurt të këtij viti.
Ai tha se “ne kemi depozituar në prokurori kallëzim penal ndaj çdo personi që na ka penguar të kryejme detyrat kushtetuese, por prokuroria nuk ka bërë asnjë”.
Ndërsa Flamur Noka u shpreh se “jemi përballe një tentative të kërcenimit politik të opozitës nga pushteti. Ne si deputetë ishim duke kryer funksionet kushtetuese dhe ligjore. Nuk ka ndodhur që policia të godasë apo dhunojnë deputetë në krye të detyrës. Ky është rast i paprecedente”.