Konferenca e Kryetarëve votoi të mërkurën kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për hetimin e investimeve strategjike, por opozita nuk dorëzohet.
Deputetët kanë nisur sot në Kuvend mbledhjen e firmave. Siç duket edhe nga fotot e LSA, nismëtar ka qenë deputeti Gazment Bardhi. Ai është fotografuar me dokumente të firmosur nga deputetët, teksa diskuton me deputetët, Flutura Açka dhe Dashnor Sula.
Iniciativën e tij, Bardhi e lajmëroi një ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai shprehej se PD-ja do të depozitojë sërish kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor dhe se përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për t’i fshehur qytetarëve aferat korruptive të ministrave të tij, do të dështojnë.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë verifikimin e procedurave të ndjekura nga qeveria për dhënien e statusit investitor strategjik të një sërë kompanish.
Sipas tyre, ky komitet ka dhënë vendime që prekin çështje të pronave publike dhe pasurive natyreore, pa transparencë.