Aktualitet

Foto-detaje/ 600 mijë pelegrinë drejt Malit të Tomorrit






               Publikuar në : 16:03 - 22/08/19 |
mapo.al

Dita e sotme shënoi nisjen e pelegrinazhit drejt Tomorrit, një mal i konsideruar “i shenjtë”, pasi në të, sipas bektashinjve prehet shenjtori, Abaz Aliu. Mali i Tomorrit ‘pushtohet’ gjatë 7-ditëve të peligrinazhit nga mijëra qytetarë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritet fetare të bektashinjve.


Si asnjë vit tjetër, pelegrinazhi këtë vit parashikohet të kapë shifrën rekord të rreth 600 mijë njerëzve. Kryegjyshi Botëror, Baba Mondi tha se vetëm në 4 ditët e para të këtij pelegrinazhi në Malin e Tomorrit kanë mbërritur rreth 400 mijë pelegrinë nga të katër anët e botës, madje edhe nga Australia. Të parët që vendosen në malin e shenjtë të bektashinjve janë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës, qengjat, që janë dhe personifikimi i kësaj feste të veçantë.

Gjatë 7-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet e festës. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, ngrenë çadra dhe në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Edhe ky vit ka qenë sfilitës për pelegrinët. Mungesa e një rruge të mirë i ka munduar jo pak. Ata thonë se kanë duruar me orë të tëra për të përshkuar pak kilometra në rrugën që të çon drejt Teqesë së Kulmakut.

Pavarësisht vështirësive, pelegrinët nuk ngurojnë të vijnë me qindra mijëra në malin e Tomorrit. Kulmi i kësaj feste është 22 Gushti, ndërsa pelegrinazhi përfundon më 25 gusht.

Presidenti, Ilir Meta mori pjesë sot, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut. Presidenti uroi që figura e Abaz Aliut t’u japë forcë të gjithë shqiptarëve në rrugën për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar dhe një Shqipëri të vërtetë europiane.

Në fjalën e tij, Kreut i Shtetit theksoi:

Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorrit. Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut.

Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorrit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare.

Abaz Aliu të na japi forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, siç e meritojnë të gjithë shqiptarët e sidomos të rinjtë e të rejat, por edhe të gjithë këta fëmijë të mrekullueshëm të cilët kanë mbushur sot malin e Tomorrit.

Na ndihmoftë Abaz Aliu të gjithëve!

Rroftë Shqipëria!”

<
>
a8238d0d-8a33-4e39-a8c6-b3d8b1ea35b0 dcd6dfc1-9547-4f5e-b50a-64c3f5a46347 ec37b521-77ec-47c9-9121-62165924941c f6c7d646-8880-4621-bea3-2b0545496b05 fb25c167-434a-4fd9-b78f-809f82e0aa74 Mali-i-tomorrit-760x450


Etiketa: , , ,

Pas