Florin Muça nga fshati Mallkuç i Fushë-Krujës ishte objekt i një atentati me tritol në makinë, tre ditë më parë. Lënda plasëse e vendosur në mjetin e tij është shkëputur në momentin që 43-vjeçari ka ndezur makinën. Burimet thanë se lënda plasëse do të shpërthente me anë të telekomandës, por, për fat të mirë, ajo është shkëputur nga mjeti.
Pakoja që ka rënë në tokë, është parë nga një person tjetër që ka njoftuar policinë.
Grupi hetimor nisi menjëherë punën për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Fillimisht, në pyetje është marrë vetë objektivi i atentatit, shtetasi Florin Muça, i cili ka thënë se nuk ka pikasur asgjë të dyshimtë në makinën e tij, ndërsa ka theksuar se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët.
“Nuk kam parë asgjë vetëm kur më lajmëruan se kishte rënë diçka e dyshimtë nga poshtë makinës. As e kam idenë se kush mund të fshihet pas kësaj. Nuk i kam bërë keq askujt”, mësohet të jetë shprehur 43-vjeçari.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën “Panorama” se disa vite më parë, Muçës i kanë vrarë të vëllain po në afërsi të banesës. Ata lënë të kuptohet se një ndër pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes dhe konflikteve të vjetra të familjes Muça.