Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër ku po merr pjesë në forumin mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga “Financial Times” me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”. Në forum marrin pjesë dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic.
Por Kryeministri Edi Rama nuk ka shkuar vetëm. Atë e shoqëron dhe një delegacion nga Shqipëria. Këtë e ka zbuluar ministri për Sipërmarrjen Eduard Shalsi përmes një postimi në Twitter. Shalsi ka bërë një selfie teksa niste forumi, ku shihet përkrah, ministres së Ekonomisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, drejtorit të Komunikimit, Endri Fuga. Por përpos zyrtarëve të lartë, me Ramën në Londër është dhe biznesmeni i njohur Samir Mane si dhe Leonard Kastrati, djali i një tjetër biznesmeni të njohur, Shefqet Kastratit.
Më poshtë pjesë nga deklarata e kryeministrit në forum
Rama: Në Shqipëri po punojmë fort që të reformojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që vendi të ketë një pozitë më të fortë për t’i ofruar jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe investitorëve, garancitë maksimale, si dhe produktivitetin maksimal në investimet e tyre.
Në të njëjtën kohë e dimë shumë mirë që duhet të ndërthurim burimet tona natyrore, sidomos naftën dhe mineralet, si dhe energjinë hidrike. Po ashtu duhet të kujdesemi për investimet turistike përgjatë bregdetit. Shifrat tona në sektorin e turizmit po rriten nga viti në vit. Pra, po arrijmë rezultate shumë të mira në mposhtjen e papunësisë. Siç e përmendi Banka Botërore në raportin e vitit të kaluar kemi rezultate të mira, por patjetër e kemi të qartë që ato që kemi bërë nuk mjaftojnë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë dhe t’i arrijmë më shpejt qëllimet tona.