Policia e Burgut të Lushnjes ka mundur të ndalojë futjen në këtë IEVP të një sasie prej 600 gram lënde narkotike, të dyshuar kanabis sativa.
Në datë 05 tetor 2018, rreth orës 11:45 gjatë kontrollit të shtetasit Besnik Bali në ambjentet e kontrollit në IEVP Lushnje u gjet e fshehur në ushqime sasia e lëndës narkotike, e presuar dhe e paketuar përmes mbështjelljes me natriban.
Droga ishte futur brenda një sasie mishi, të cilën Besnik Bali po ia dërgonte një shtetasi të dënuar, i cili vuan dënimin në IEVP Lushnje.
U kryen të gjithë veprimet procedurale dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Elbasan dhe u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Besnik Bali.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në Elbasan policia gjeti një tjetër sasi lënde narkotike të ngjashme me atë që u kap në IEVP Lushnje. Materialet e çështjes i kaluan Prokurorise së rrethit Elbasan për veoprime të mëtejshme.
Burimet thanë për News24 se droga do shkonte tek Lulzim Caka. Ai njihet si i forti i Beratit dhe është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Gani Malushit dhe Ilir Ngresit pas një operacioni të forcave policore.
Krimet e Cakës datojnë në vitin 1995, kur ai ka kryer vrasjen e parë. Nisur nga lidhjet e krijuara, Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat–Lushnjë. Më 21 korrik 1997, Caka vret në Lushnjë, Pëllumb Eminin, vëllai i Mile Çamit. Më 6 janar të vitit 2001, vrau tre pjesëtarë të hasmit. Por krimi më i rëndë i tij do të ishte vrasja e 22 marsit 2001, kur 100 metra nga qendra e fshatit Samaticë, në orën 18.30 minuta, Lul Caka dhe i vëllai i vogël i tij, 19-vjeçari Gjelosh Caka, qëllojnë me breshëri automatiku dy të rinjtë Maringlen Cami, 24 vjeç, dhe Valter Bega, 23 vjeç.