Mapo sjell disa nga momentet më pikante nga protesta e sotme e opozitës para Parlamentit. Pikënisja e tubimit ishte sheshi përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë ku u mblodhën mijëra mbështetës të PD dhe LSI, për largimin e Edi Ramës dhe formimin e një qeverie tranzitore me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme. Turma prihej nga Basha, Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë mes protestuesve ishte edhe bashkëshortja e Lulzim Bashës, Aurela.
Pas Parlamentit, Basha udhëhoqi protestuesit në një marshim në këmbë drejt Kryesisë së Kuvendit, për të dorëzuar në mënyrë simbolike mandatet parlamentare. Ishin Basha dhe një grup deputetësh të cilët u futën brenda Kryesisë dhe dorëzuan listën e deputetëve që heqin dorë nga mandati. Më pas turma e protestuesve parakaloi në këmbë përpara Kryeministrisë për t’i dhënë fund protestës te selia e PD me një fjalim nga Lulzim Basha, i cili njoftoi protesta masive në të gjithë vendin.
/Gazeta Mapo/