Presidenti ynë Ilir Meta është takuar sonte në Prishtinë me kryeministrin e dorëhequr të Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmin e bën të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyër mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, – shkruan Haradinaj.
Ndërsa Meta shkruan: “I lumtur të takoja sot Kryeministrin Ramush Haradinaj në Prishtinë. Krenar për karakterin e tij frymëzues!”.
Mësohet se ata po darkojnë në një nga restorantet e Prishtinës. Takimi vjen dy ditë pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit për shkak se është thirrur, si i dyshuar, nga Gjykata Speciale në Hagë. Meta dhe Haradinaj kanë konsoliduar marrëdhënien e tyre sidomos gjatë këtij viti kur të dy u shfaqën në një linje përballë dyshes tjetër Rama-Thaçi.