Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermine Lekaj Prljaskaj.
Detajet e takimit i ka njoftuar vetë kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto.
Meta vlerëson se deputetja Lekaj përfaqëson denjësisht komunitetin shqiptar në Kroaci, i cili ka dhënë kontribut në luftën për pavarësinë e Kroacisë.
Postimi
Pata një takim shumë të përzemërt me deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, zonjën Ermine Lekaj Prljaskaj dhe delegacionin, që e shoqëronte. I përgëzova për përpjekjet e tyre në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kroacisë, për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit të rëndësishëm shqiptar në Kroaci, kontributi i të cilit, si në luftën për pavarësinë e Kroacisë, ashtu edhe gjatë viteve të fundit, mbetet një garanci e fortë e marrëdhënieve të shkëlqyera historike, kulturore, politike dhe njerëzore mes dy popujve dhe vendeve tona.
Vizita e tyre në Shqipëri për bashkëpunim mes Durrësit e Rijekës dhe Beratit e Bjellovarit, si dhe për marrëveshje e shkëmbime mes universiteteve kanë plotësisht mbështetjen time.
E përgëzova Konsullin e ri të Nderit të Shqipërisë në Prefekturën e Rijekës, z.Bashkim Enesi dhe e mbështeta angazhimin e tij serioz në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht atë ekonomiko-tregtare, nxitjen e investimeve kroate në vendin tonë, kulturë, arsim, sport dhe turizëm.