Stenda e UET-Press, më e vizituara në ditën e parë të Panairit të 21 të Librit
Stenda e UET-Press ka pritur qindra vizitorë në ditën e parë të Panairit të Librit, që u hap të mërkurën në Pallatin e Kongreseve. Bashkë me lexuesit, në stendë kanë ndaluar dhe autorë të njohur të letrave shqipe, të cilët kanë vlerësuar përpjekjet e UET-Press e Institutit Europian Pashko për të mbështetur librin dhe autorët shqiptarë. Fatos Kongoli, Diana Çuli, Grigor Banushi, Xhevat Lloshi, Iva Tico etj, kanë kaluar orë pranë UET-Press.
Autorët në stendë si Alfred Peza, Ylli Pango, Preç Zogaj,Mimoza Ahmeti, Maks Velo kanë firmosur për lexuesit. Interes ka ngjallur për lexuesin libri me kujtime i Vera Bekteshit “Vila me tri porta”. Rrëfimi i jetës në internim plot stil e një prej vajzave të gjeneralit të njohur në pushtetin e Hoxhës ka tërhequr vëmendjen e lexuesve që kanë rendur ta blejnë librin. Po kështu publicistika politike e Prec Zogajt në tre volume, ku tregohet gjithë rrugëtimi i Shqipërisë politike, ka qenë një ndër librat e kërkuar nga lexuesit.
Romani “Sarah” me autor Alfred Pezën duket se vazhdon të joshë lexuesit. Historia e Sara Blloshmit, gruas me të cilës Mbreti Zog jetoi një dashuri të fshehtë, vazhdon të kërkohet nga lexuesit.
Nuk ka munguar interesi për autorë si Ben Blushi, Kim Mehmeti, Blendi Fevziu apo për kolanën e librave studimor ku UET-Press ka një ndër arkivat më të pasura.
Të enjten, UET-Press organizon konferencën “Shkrimtari shqiptar, tregu-leximi-komunikimi” ku do të marrin pjesë personalitete të letrave shqipe.