Flakët vijojnë prej dy netësh të djegin kurorën e gjelbër në Shëngjin, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe ato të shpëtimit, po bëjnë të pamundurën për shuarjen zjarrit masiv.
Zjarrfikësit në Shëngjin të Lezhës, të cilëve u kanë shkuar në ndihmë edhe ekipe nga kryeqyteti dhe qytete të tjera përreth, ende po luftojnë me vatrat e zjarrit. Duket se rreshjet e pakta të shiu kanë ndihmuar që zjarri të mos vijojë të përhapet edhe më shumë. Policia ka ndaluar 2 persona, të cilët dyshohet se kanë vendosur zjarrin në zonë.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me këtë situatë.
Aktualisht janë të angazhuar në terren 200 efektivë për shuarjen e flakëve.
Sipas MB, trupat e MZSH-së, pushteti vendor, Forcat e Armatosura në bashkëpunim edhe me banorët e zonës, po punojnë intensivisht për të mbajtur flakët nën kontroll.
Deri tani, asnjë prej banesave të zonës nuk është e rrezikuar.