Shkolla 9–vjeçare që mban emrin e aktores së madhe Drita Pelinku, në kryeqytet ka mbetur pa rrugë dhe pa oborr. Ngjitur me të thuhet se po ndërtohet ambasada e re kineze.
Prej afro një jave, ngjitur me murin e shkollës është vendosur një gardh me llamarina siç shihet në pamjet që shoqërojnë shkrimin.
Gazeta Mapo kreu një vëzhgim mesditën e sotme në ambientet e jashtme e të brendshme të kësaj shkolle, ku vumë re se rrethimi i tokës ngjitur me shkollën ka krijuar vështirësi për nxënësit e mësuesit.
Siç shihet nxënësit janë të detyruar të hyjnë e të dalin nga shkolla përmes një rrugice të ngushtë. Në njërën anë është një kabinë elektrike dhe në anën tjeter gardhi metalik.
Çfarë ka ndodhur
Toka që tashmë është rrethuar për shesh ndërtimi ka qenë më parë lavazh dhe parkim që menaxhohej nga disa persona privatë. Ata janë anëtarë të familjes Nelaj në Tiranë që kanë pretendime mbi pronësinë e tokës dhe prej afro 20 vitesh janë në procese gjyqësore me shtetin.
Befas, një javë më parë aty u shfaqen përfaqësues të ambasadës kineze, të Bashkisë Tiranë, shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe Polcia Bashkiake. Pronarëve u thanë se këtu do ndërtohet ambasada kineze. Ndërsa drejtuesve të shkollës nuk u tha kush asgjë. Kjo situatë ka shkaktuar kaos pasi janë 10 furgonë që vijnë çdo ditë për të marrë fëmijët, por prej një jave nuk kanë ku qendrojnë. Prindërit janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre . Po kaq edhe trafiku është tejet i rënduar në rrugën Uran Butka ose siç njihet ndryshe lagjja tek ish-Nisharaku .
Në këtë shkollë mësimi zhvillohet me dy turne. Paradite nxënësit e “Drita Pelinkut” dhe pasdite bëjnë mësim nxënësit e shkollës “Gustav Majer”. Me mijëra fëmijë që hyjnë e dalin çdo ditë përmes këtij tuneli të ngushtë….
Gazeta Mapo u interesua pranë drejtorisë së shkollës, ku mësoi se ata i janë drejtuar me shkresë zyrtare minibashkisë nr. 7.
Punonjës së zyrës së urbanistikës kanë shkuar kanë parë se si është bllokuar hyrja e shkollës, por ende nuk kanë kthyer përgjigje se si do të zgjidhet situata. Drejtuesit e shkollës me të drejtë ngrenë shqetësimin se nuk është lënë rrugë as për zjarrfikësen apo ambulancën.
Gazeta Mapo kërkoi një sqarim edhe nga Bashkia e Tiranës për këtë situatë, por zëdhënësi tha shkurt: “Aty po ndërtohet ambasada kineze!”
Një tabelë është vendosur në rrugë, ku shkruhet: “Deklaratë paraprake punimesh”. Investitore është Ambasada Kineze, ndërsa kompania që do kryejë punimet “Mane TCI”.
Kjo deklaratë është lëshuar nga Bashkia e Tiranës dhe mban firmën e drejtorit të zhvillimit të territorit Ditjon Baboçi.
Në këtë dokument thuhet është dhënë leje për rrethimin e tokës me nr 1/ 1019, z.k 8250/ rruga Sali Butka, në pronë të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e punimeve. Leja është dhënë vetëm për struktura që instalohen për nevoja të çastit të përkohshme, pa themel, që qendrojnë 6 muaj.
Pra në këtë tabelë njoftohet vetëm rrethimi i tokës dhe nuk ka leje ndërtimi se çfarë objektesh do ndërtohen konkretisht: Vetëm ambasada kineze apo dhe rezidenca banimi?!