Një shpërthim i fuqishëm tronditi sot një nga lagjet më të frekuentuara në Tiranë, siç është zona e ish-Bllokut. Shpërthimi që besohet se ka ardhur nga bombolat e heliumit ndodhi rreth orës 13:15 në një dyqan eventesh, në katin e parë të një pallati shumëkatësh. Nga shpërthimi janë dëmtuar banesa dhe dyqane mes tyre një argjendari në katin e parë që duket se ka dëme të konsiderueshme. Deri më tani raportohet për 4 të plagosur. Gazeta Mapo ka publikuar pamje të ngjarjes në kohë reale. Akoma në këto momente vazhdojnë të dalin shtullunga tymi nga pallati në ish-Bllok. Në pamje shihen zjarrfikësit që vazhdojnë të luftojnë me flakët prej afro një ore.
Policia jep informacionin paraprak
Rreth orës 13:15 në rrugën “Vaso Pasha” në ambientet e një dyqani eventesh ka shpërthyer një bombul gazi.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në Spital për ndihmë mjeksore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.