Aktualitet

Fotomania e plakjes/ Çfarë fshihet pas aplikacionit rus “faceapp”






               Publikuar në : 17:03 - 17/07/19 |
mapo.al

Një aplikacion i ri që quhet “FaceApp” është kthyer në trendin e verës. Me mijëra përdorues të facebook dhe instagram përfshirë dhe personazhe VIP po postojnë foto ku duken 50 vite më të vjetër seç janë. Pakkush po i reziston këtij tundimi për të parë në foto se si do të jetë kur të plaket.


Megjithatë, njerëzit duket se janë të painformuar për rrezikun që u kanoset. “FaceApp” funksionon duke shkarkuar fillimisht aplikacionin. Mjafton të bësh një foto dhe ta përzgjedhësh përmes aplikacionit. Pastaj, në pak sekonda aplikacioni të jep mundësinë të zgjedhësh çfarë do të bësh me foton, do të plakesh apo do të rinohesh. Shumica zgjedhin plakjen.

Janë me miliona postime të shpërndara gjatë këtyre ditë. Shumë efekte që mund të aplikohen në foto janë me pagesë dhe tarifat variojnë nga 3.99 euro për ata që zgjedhin një abonim mujor, 19.99 euro për abonim vjetor dhe 43.99 euro për abonim të përjetshëm.

Në bazë të “FaceApp” janë algoritme të inteligjences artificiale. “Kemi zhvilluar një teknologji të re që mundëson modifikimin në mënyrë reale të imazhit tuaj në foto”, ka shpjeguar themeluesi dhe drejtuesi Yaroslav Goncharov.

“Elementi që na diferencon nga të tjerët është fotorealizmi. Pasi aplikohet filtri është sërish fotoja jote. Aplikacionet e tjera qëllimisht ndryshojnë imazhin në mënyrë humoristike por nuk është më një foto reale”, shprehet ai.

Shumë kanë tendencën të besojnë se “FaceApp” është në pronësi të Facebook ose ndoshta të Instagram. Por e verteta është se aplikacioni është hedhur në qarkullim në janar të vitit 2017 nga Wireless Lab, një kompani ruse me seli në Shën Peterburg, e themeluar nga Yaroslav Goncharov.

Faqja në Facebook-ut e “FaceApp” është hapur në 27 janar 2017 dhe sot numëron më shumë se 310 mijë ndjekës. Dhe nga seksioni ‘Transparenca e faqes’, mësohet se administratorët e saj janë 4 persona; 3 rusë dhe 1 ukrainas.

Është evidente tashmë se ky aplikacion është i lidhur ngushtë me Rusinë. Dhe duhet të nënvizuar që pas lojës, ka insinuata të rënda lidhur me privatësinë. Në seksionin e aplikacionit dedikuar përdorimit të informacioneve lexohet se aplikacioni “mund të bashkëndajë përmbajtjen dhe informacionet e përdoruesve me kompanitë që bëjnë pjesë në grupin e shoqërisë së FaceApp”.

Ekspertët e teknologjisë janë të shqetësuar se përmes këtij aplikacioni mund të hyjnë dhe ruajnë imazhe nga kamera e telefonit tuaj.

Shqetësimet fokusohen rreth një klauzole të dyshimtë të aplikacionit, i cili mund të hyjë, të ruajë dhe të përdorë imazhe pa lejen tuaj.

FaceApp është aktualisht një nga aplikacionet më të shkarkuara për IOS dhe Android, pasi postimet e #faceappchallenge i kanë marrë përsipër mediat sociale.

James Whatley, një strateg nga Digitas ka postuar një fragment në faqen e tij të Twitter.

Ai shprehet: “Ju i jepni “FaceApp” një licencë të vazhdueshme, të parevokueshme … pa pagesë … për të përdorur, përshtatur, publikuar, shpërndarë përmbajtjen tuaj… në të gjitha formatet e medias …”FaceApp” lejohet të përdorë emrin tuaj, emrin e përdoruesit ose ndonjë ngjashmëri të dhënë, në çdo format pa kompensim dhe nuk do të keni ndonjë aftësi për ta hequr atë ose për tu ankuar”. Gjithashtu, imazhi juaj do të ruhet edhe për shumë kohë pasi të keni fshirë aplikacionin.

 

FaceApp është në pronësi të një kompanie ruse, Wireless Lab, e cila e ka qendren  në Shën Petersburg dhe kjo i shton akoma më shumë dyshimet se të dhënat mund të keqpërdoren.
/MAPO.al


Etiketa: , , , ,

Pas