Panairi i Punës UET 2018 u mbajt më 31 maj në Universitetin Europian të Tiranës, duke iu ofruar studentëve të këtij universiteti një mundësi për të kontaktuar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e të paktën 52 kompanive të ndryshme në vend.
Qindra CV dhe intervista u bënë gjatë disa orëve të panairit në stendat e kompanive të pranishme, të cilat ofronin mundësi intershipi dhe punësimi në fusha të ndryshme, që nga puna në sektorin bankar, menaxhim biznes, zyra kontabiliteti, IT, marrëdhënie me publikun, dizajn etj.
Si i ftuar special në këtë panair ishte Drejtori i Përgjithshëm ekzekutiv i Bankës Societe Generale Albania, Frederic Blanc.
Drejtoresha e programeve Master në UET, dr. Orkida Ilollari, njëjkohësisht dhe drejtuesja e Programit 250+, duke përshëndetur të gjithë kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair, vuri theksin në strategjinë e Universitetit Europian të Tiranës, “UET, Universiteti i Biznesit”, ku nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me kompanitë dhe institucionet e ndrsyhme i afrohet më shumë tregut të punës për të nxjerrë studentë jo thjesht të diplomuar, por studentë kreativë, studentë me një model të të menduarit kritik dhe sa më të aftë për t’u përshtatur në pozicionet e punës ku ata duan të ndërtojnë karrierën e tyre.