Para tre ditësh, presidenti amerikan Donald Trump shpalli mposhtjen e Shtetit Islamik. Njeriu më i fuqishëm në botë tha se tashmë ISIS do të jetë histori.
Këto foto të publikuara nga Daily Mail tregojnë se çfarë ka mbetur nga ai që dikur njihej si kalifati i Shtetit Islamik. Bëhet fjalë për fortesën e fundit të ISIS, qytetin Baghouz në lindje të Sirisë. Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga SHBA, kanë shpallur të shtunën fitoren mbi xhihadistët..
Në foto shihet se çfarë ka lënë pas beteja, jo vetëm armatime e makina të shkatërruara, por edhe trupa njerëzish të shpërndarë në fushë.
Një nga luftëtarët e FDS thotë se Shteti Islamik bëri rezistencë për orë të tëra, madje duke përdorur edhe snajperët. Në fund, tetë prej xhihadistëve hodhën veten në erë, të tjerët u dorëzuan.
Shumica prej tyre ishin të huaj, nga Franca, Arabia Saudite, Iraku apo Kazakistani. Ata nuk kursyen edhe gratë e fëmijët duke i angazhuar në luftime.
Shteti Islamik u vetëshpall si kalifat në vitin 2014 në territore të gjera në Irak dhe Siri. Në kulmin e tyre, ata kontrollonin një sipërfaqe sa Britania e Madhe, me miliona njerëz.
“Kur nisëm të luftonim ndaj tyre, ata kishin strategji ushtarake dhe ekspertizën e duhur për luftime. Por drejt fundit, ishte si Tomi dhe Xherri- tashmë miu është në një qoshe, nuk shpëton dot nga macja,” tha një luftëtar.