Performancë e jashtëzakonshme e Rita Orës në kryeqytetin shqiptar. Këngëtarja ka surprizuar publikun, me këngën e saj më të re, ku në sfond janë shfaqur shqiponjat; ndërsa ka befasuar ashtu si edhe në Kosovë, me vallen e Rugovës, sjellë edhe në versionin remix
Ka surprizuar admiruesit me look-un e saj: E veshur me të verdha, transparente, me flokë të kuqe në orën 9:30 rockstari me famë botërore, Rita Ora është shfaqur në skenën, e ndërtuar në Sheshin “Skënderbej”, tejmbushur nga një publik i jashtëzakonshëm.
Me atmosferën e ngjyrave të verës, ngrohtësia e këngëtares ka ndezur publikun e kryeqytetit qysh në këngët e saj të para, duke e duartrokitur gjatë.
Ajo ka përfshirë menjëherë publikun duke e tërhequr në spektaklin e shumëpritur prej ditësh. “Dua t’ju dëgjoj juve të këndoni me mua”, i është drejtuar Rita Ora publikut.
Do të këndoj diçka special për ju këtë natë, këngën më të re nga albumi. Jam krenare kush ju jeni”. Një këngë për shpirtin e mbijetesës, ka sqaruar Rita, ndërsa janë shfaqur dy shqiponja në klipin e skenës. Një performancë e jashtëzakonshme, plot ndjeshmëri, brenda linjës së saj muzikore.
Pas saj, performanca e Rita Orës tashmë duke hequr gjithë pëlhurën e saj të verdhë, duke thirrur zonjat e publikut, ndërsa repertori ka përfshirë këngët e saj më të njohura, tashmë hite botërore, të performuar live në Tiranë.
Me mbërritjen e saj në Tiranë Rita Ora është shprehur tejet e emocionuar, teksa në një postim në Twitter ka shkruar pak orë para ardhjes se: “Mezi pres t’ju shoh të gjithëve, Tirana Shqipëria”.
Rita Ora kthehet kështu në Shqipëri pas gjashtë vitesh. Ndërsa në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ajo ishte kuqezi në një spektakël të madh në sheshin e Prishtinës.
Së bashku me bendin e saj ajo ka performuar këngët më të njohura të saj. Tirana e përgatitur prej ditësh për këtë koncert, ndërsa në anën tjetër Rita Ora duket se ka qenë e emocionuar, pasi vazhdimisht ka postuar gjatë gjithë ditës së djeshme në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, video kur po nisej për në Shqipëri.
Nga aeroporti i “Luton” të Londrës, ajo ka shkruar mbi foton e saj, teksa po i afrohej avionit privat: Shihemi së shpejti Tirana. Po ashtu, me këto fotografi, Rita ka treguar edhe ndryshimin drastik që ka bërë në pamje, duke ngjyrosur flokët e kuqe.
Gjatë udhëtimit të saj, ajo ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale disa fotografi, përmes së cilave ka treguar se në këtë udhëtim po shoqërohet nga babai i saj, Besnik Ora.
“Vera është këtu unë madje e kam nxjerr edhe fustanin. Së pari, spektakli në Tiranë, pastaj në Veronë, oh dhe flokët e mia të kuqe”, ka shkruar ndër të tjera këngëtarja mbi fotografitë ku shihet e veshur me një fustan me ngjyra, një palë çizme të gjata dhe xhaketë me po të njëjtën ngjyrë. Rita Ora është një nga këngëtaret më të suksesshme, aktore, dizajnere mode dhe një nga yjet me më shumë lidhje dhe ndikim në botë.
Derisa vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias britanike në një reportazh të historisë së jetës së saj, Daily Mail shkruan se suksesin Rita ia dedikon edhe katër anëtarëve të familjes së saj, mamasë Vera, babait Besnik, vëllait Don dhe motrës Elena. Duke folur për Evening Standard, Rita Ora kujton: “Ne jetonim në Earls Court. Një dhomë për të gjithë ne. Motra më bezdiste pasi përsëriste mësimet me zë, kurse unë doja të flija”. Vëllai i saj lindi në vitin 1998 dhe familja u zhvendos në Kensal Rise, ku babai bleu një pub të quajtur Queen’s Arms. Nëna e saj, Vera, studionte mjekësi gjatë ditës dhe natën punonte si kameriere. Tani ajo punon si psikiatre.
Rita më vonë ndoqi shkollën e njohur “Sylvia Young Theatre School”. Hapat e parë në muzikë i nisi kur këndonte në pub-in e babait. Në atë kohë, kur ishte 15 vjeç, mamaja u prek nga kanceri në gji. Rita e la shkollën për t’u kujdesur për nënën, e cila e mori veten plotësisht.
Pas disa provave, shansi i doli. Kjo falë një ylli të muzikës hip hop, Jay Z. Menaxherja e saj, Sarah Stennet, që ka çuar përpara karrierën e Ellie Goulding, Jessie J dhe Conor Maynard, e prezantoi me këngëtarin. Brenda 48 orësh ajo nënshkroi një kontratë me shtëpinë e tij diskografike. Rita u ‘fsheh’ në një studio dhe regjistroi këngën e saj të parë, hitin RIP me Tinie Tempah, që menjëherë u bë numri një. Motra e saj është pjesa e Team Ora dhe e ndjek nga pas në turnetë botërorë. Rita është besnike edhe ndaj mamasë, të cilën e mori edhe në Glamour Woman Of The Year. Perandoria e saj zgjerohet vazhdimisht dhe tani ajo është një yll edhe në botën e modës. Aktualisht ka shtëpi në Britani, SHBA dhe në Kosovë. E pyetur për suksesin e saj, ajo thotë: “Duhet të kesh këshilltarë të mirë. Unë kam njerëz shumë të mirë. Motra dhe familja imë mbikëqyrin të gjithë gjërat. Është si një perandori e vogël e mirë. Po përpiqem të krijoj diçka, që familja ime të jetë mirë”.