17 nëntori shënon 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga forcat nazi-fashiste.
Fotot e rralla tregojnë kryeqytetin pas lufte i shkatërruar dhe i rrënuar, blinda dhe automjete të shkrumbuara.
Pamjet i përkasin qendrës së Tiranës ku duket Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, një ndërtesë në krah që sot është Bashkia e Tiranës, si dhe forcat partizane te blindat e armikut dhe vendmburojat e mbetura pas luftimeve disa ditëshe me gjermanët.
Një urim në nder të kësaj dite ka ardhur edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili ka publikuar në rrjetet sociale edhe këto foto të veçanta.
“76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet. Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit! Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste“, ka shkruar kreu i Shtetit.