Dikur

Fotot e rralla/ Vdekja e mbretit Zog në kujtimet e të afërmve




               Publikuar në : 21:55 - 08/04/19 |
Nga Adi Darsi

Më 9 prill 1961, dita kur Mbreti Ahmet Zogu ndërroi jetë në Paris, kombi shqiptar humbi një nga burrat e shtetit më të shquar dhe më me ndikim në historinë e tij moderne. Vdekja e tij u lajmërua në gazetat më të mëdha botërore të kohës, ndërkohë që në vendin që e kishte lindur, tashmë nën sundimin komunist, heshtja qe e plotë.


Po si i kujtojnë ata që ishin më pranë Mbretit Zog ditët e tij të fundit dhe ceremoninë mortore të zhvilluar në atë kohë, dhe për të cilën po sjellim ekskluzivisht edhe fotot origjinale të atij varrimi, që për shumë njerëz janë pothuajse të panjohura.

Në librin e tij “Ahmet Zogu, Presidenti që u bë Mbret”, gazetari Blendi Fevziu ka sjellë mes të tjerave edhe kujtimet e Mbretëreshës Geraldinë për vdekjen e Mbretit Zog. Ja çfarë shkruan gazetari:

MBRETËRESHA GERALDINË

E ndiente që i kishte ardhur fundit dhe një ditë i deklaroi Geraldinës se nëse do të ekzaminohej me kancer, do të vriste veten për t’i kursyer dhimbjet që kishte ndjerë në vdekje e motra. Geraldina kujton se gjatë gjithë kohës, mbante nën jastëk revolverin prej ari që nuk e kish hequr nga brezi që në vitet që ishte President i Republikës. Por revolveri ishte i rëndë dhe pak nga pak e ndjeu se nuk e ngrinte dot më. Atë dite i kërkoi Geraldinës revolverin e saj të vogël e të lehtë, të larë me ar që ia kishte falur në ditën e fejesës së tyre.

Biografja e Geraldinës kujton: “Mbretëresha i kishte kërkuar fshehurazi Princit Leka t’ia hiqte plumbat, por kur ia vendosën mbi tavolinën pranë tij, Mbreti urdhëroi: Hape! Kur pa që në revolver nuk kishte plumba, e detyroi të birin t’i fuste përsëri.”

Geraldina ishte e para që e mësoi se Mbreti vuante nga kanceri. Për Mbretin kishin ardhur ditë të vështira. Atëherë ajo mori njërin prej vendimeve më të rënda të jetës. Vendosi të shesë stolitë e hershme, përfshi unazën e fejesës, e prodhuar nga firma Cartier me një diamant blu, 14 karatësh. “Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte në emrin e Lekës 10 mijë dollarë. Kishim bërë një kontratë në Nju Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër”.

Kur Mbretit i filluan dhimbjet, Geraldina u kërkoi doktorëve që t’i injektonin morfinë për t’ia lehtësuar ato. Por motrat e Zogut që ndodheshin aty deklaruan se kjo nuk mund të ndodhte, sepse ato ishin besimtare. Kërkesa e tyre fitoi, siç kujton Geraldina: “Në vend të morfinës, u vendosën në anët e shtratit të Mbretit dy roja shqiptare që të ishin pranë e të mos e linin mbretin të binte nga krevati, prej agonisë, dhe të mos dëmtohej. Iu mohua edhe dinjiteti i një vdekjeje të qetë”.

Geraldina u përkul mbi të ngadalë: “Zoti më dha kurajë t’i mbyllja sytë e tij të bukur para se të gjunjëzohesha para shtratit për t’u lutur.”

HYSEN SELMANI

Në librin e tij “Notime të Mbretit Zog I, Mret i Shqiptarëve”, njeriu që ka qëndruar më afër Zogut, koloneli Hysen Selmani ka bërë këtë përshkrim për ditët e fundit të Zogut dhe varrimin e Tij:

Më 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Ishte jo dhe aq lodhur. Gjithmonë ishte me ato shaka, por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Javën e parë ishte fare mire. Edhe në spital pranonte vizita, e kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Kur nisi të ndiejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë u thirr profesori Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche.” Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Më datë 28 Mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës. Ata konstatuan se, përveç ulcerit, kishte dhe kancer në mëlçinë e zezë. Profesorët u këshilluan dhe pas ekzaminimesh, vërtetuan se nuk mund t’i bëhej një operacion. E panë të pamundur, sepse kishte arritur në gradën e fundit.

Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhënia e Tij, Zog I, Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut!” Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e dha shpirtin. Këto minuta nuk ka penë që t’i shkruajë.

Me datën 10 prill 1961, trupi i Madhërisë së Tij Mbretit Zog I, u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe me një sallon të madh të spitalit. Ai për 24 orë ishte nën shikimin e shqiptarëve e shqiptareve që i silleshin përqark duke derdhur lot e duke lutur të madhin zot për Shpirtin e Tij.

Më datën 11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të Zog I, Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog I, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha.” Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve e kishin rrethuar Mbretëreshën e Princin Leka. Me një kortezh mjaft, madhështor u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupit të pavdekshëm të Madhërisë së Tij Zog I, Mbret Shqiptarëve në banimin e përjetshëm në “Thiais Parisien”. Kur po varrosej, me një anë u bënë lutjet fetare dhe në anën tjetër lotët e britmat e shqiptarëve nuk pushonin. U mbajtën fjalime, po kush mund të dëgjonte. Tamam në këtë kohë, tepër e impresionuar Madhërisë së Saj Mbretëreshës Geraldinë i bie si të fikët. Menjëherë doktorët na këshilluan që shpejt ta dërgojmë në një klinikë. Ajo ishte bashkë me të motrën Virginën dhe të mbesën Julian e dy oficerë. I dërguam në një klinikë, por ajo ishte mjaft e sëmurë. Të nesërmen me Princi Leka shkuam në klinikën në San Jerme për ta parë Madhërinë e Saj Mbretëreshën. Ajo ishte më e qetë, por mjaft e tronditur. Doktorët na thanë se duhej “një muaj kurë e fortë këtu në klinikë.” Ajo nuk mundej të dilte. E inkurajuam sa merrte pak fuqi.

SKËNDER ZOGU

Në librin e tij me kujtime “Një jetë në shërbim të kombit shqiptar – kujtime mërgimi”, Skënder Zogu e përshkruan kështu vdekjen e Mbretit dhe ceremoninë e Tij të varrimit: Shëndeti i Mbretit u rëndua dhe çdo të shtunë shkoja në spitalin Foch, në Suresnes për ta takuar. Hallat u vendosën në një hotel të vogël në një rrugë aty pranë dhe i rrinin gjithë natën te koka. Mbreti vuante dhe pashë se po shuhej pak nga pak. Oficerët besnikë flinin në dhomën ngjitur me të. Të hënën, 9 prill 1961,… buzë shtratit të tij pashë si u shua dhe e putha në ballë. Hallat qanin, Leka i mbante duart, ndërsa mbretëresha lutej në gjunjë pranë shtratit. Kolonel Hysen Selmani, sipas traditës, briti në dhomë: “Mbreti vdiq, rroftë mbreti Leka I”.

Unë u mora organizimin e funeralit. Kolonel Selmani më dorëzoi një listë me degët e shumta të Legalitetit në botë dhe më kërkoi që t’i njoftoja me telegram. Dërgova rreth njëzet e pesë telegrame në shqip.

Drejtoria e spitalit hapi një sallë të veçantë, në mënyrë që shqiptarët të vinin e t’i jepnin nderimin e fundit atij që kishte qenë themeluesi i shtetit shqiptar dhe që tërë jetën e vet ia kishte kushtuar kombit shqiptar. Qivuri me trupin e Mbretit u mbulua me flamurin kombëtar të Shqipërisë. Për dyzet e tetë orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota erdhën e u përkulën para trupit të Mbretit. Gjenerali De Gol kishte dhënë udhëzime që refugjatët që vinin për këtë rast, të hynin në Francë pa viza.

Roja e nderit u formua nga Garda Mbretërore e përbërë nga Muharrem Gjoka, Bajram Neli, Ali Çupi, Qazim Preni etj., Kolonel Hysen Selmani dhe Salih Doshishti ishin ngarkuar me detajet dhe me ceremoninë e varrimit në varrezat e Tiesë në Paris, me ndihmën e Xhamisë së Parisit dhe të imamit Mustafa Hoxha.

Më 11 prill 1961, në orën trembëdhjetë, kortezhi mortor, i shoqëruar nga rreth një duzinë me makina të xhandarmërisë franceze, mori drejt Tiesë. Makinën me arkivolin e ndiqnin shumë vetura dhe një autobus me shqiptarë. Mes shumë delegacionesh, ai i gjeneralit de Gol përfaqësohej nga Roger Frey i afërt me mjediset antikomuniste. Tërë ata flamuj shqiptarë të vënë në xhamat e makinave zgjonin kërshërinë e kalimtarëve. Te varrezat ishin mbledhur rreth njëmijë e dyqind persona, për t’i bërë nderimet e fundit mbretit të ndjerë të shqiptarëve. Pas fjalëve të rastit dhe lutjeve të dy imamëve, kur arkivoli po futej nën dhe, pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar “Mëmëdheu”.

 EPILOG

Pas 51 vjetësh nga vdekja, eshtrat e Mbretit Zog kthehen në Shqipëri dhe u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore, aty ku në vitin 1934 qe varrosur edhe Nëna Mbretëreshë.

Përgatiti: Adi Darsi

<
>
Ushtare te Gardes duke mbajtur arkivolin me eshtrat e Mbretit Ahmet Zogu i Pare, gjate ceremonise se mberritjes se eshtrave te tij, ne aeroportin e Rinasit.
1961 Vdekja AZ 1 1961 Vdekja AZ 2 1961 Vdekja AZ 3 1961 Vdekja AZ 4 1961 Vdekja AZ 5 1961 Vdekja AZ 6 1961 Vdekja AZ 7 1961 Vdekja AZ 8 1961 Vdekja AZ 9 1961 Vdekja AZ 10 1970 Varri i Mbretit Zog ne Thiais Parisien - France 2012 - Kthimi i eshtrave te Zogut


Etiketa: , , , ,

loading...
KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas